KULLA E PIZËS – JO TË GJITHA CENET JANË TË KËQIJA!

 

Në qendër të qytetit të Pizës (Pisa) në Itali gjendet Piazza del Duomo – Sheshi i Katedrales – e cila është e famshme për artin e saj të bukur mesjetar. Ky shesh ndryshe njihet edhe si Piazza dei Miracoli – Sheshi i Mrekullive – pasi që aty gjendet Katedralja (Duomo) e qytetit dhe kulla e veçuar e kambanës e quajtur “Campanile”.

 

Shumica prej nesh Campanile-në e njohim nga emri i saj më i popullarizuar: Kulla e Pjerrët e Pizës. Ndonëse konsiderohet si një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës romane, kulla e lartë 60 metra famën e saj botërore e ka fituar falë një ceni të saj, gjegjësisht për shkak të pjerrësisë së saj.

 

Fati në fatkeqësi

Për shumë vite, njerëzit kanë besuar se projektuesi i saj qëllimisht e ka projektuar atë që të jetë e pjerrët. Mirëpo, e vërteta është që pjerrësia e kësaj ndërtese është rezultat i një aksidenti të shkaktuar nga planifikimi i dobët.

 

Kulla e Pizës është ndërtuar nga rreth 16.000 tonelata gur gëlqeror, llaç i gëlqeres dhe mermer. Për fat të keq ajo është ndërtuar në shtratin e një lumi të përbërë nga rëra dhe argjila, të dyja këto materiale që nuk janë mjaftueshëm të qëndrueshme për ta mbajtur një ndërtesë kaq të lartë dhe kaq të rëndë.

 

Ndërtimi i kullës filloi në vitin 1173. Për shkak se qytet shteti i Pizës u përfshi në disa luftëra, ndërtimi i kullës nuk përfundoi deri në vitin 1350. Kështu gabimi i projektuesit u ndihmua nga kjo fatkeqësi pasi që koha e gjatë që u desh për ndërtimin e saj, sipas të gjitha gjasave e ka shpëtuar këtë kullë nga rrëzimi.

 

Vetëm disa vite pasi filloi ndërtimi, njerëzit mund ta shihnin që tri katet e para kishin anuar dhe ndërtesa ishte e pjerrët. Gjatë ndërtimit të tri kateve të radhës, ndërtuesit qëllimisht i ndërtuan muret e njërës anë më të larta, si masë për të korrigjuar animin/pjerrësinë. Kjo bëri që kulla të anonte në anën tjetër. Po ashtu, kjo do të thotë që kulla tani është e lakuar.

 

Për shkak se toka nën kullë përbëhet nga rërë dhe argjilë e paqëndrueshme, ndërtesa gjatë ndërtimit i shtypi shtresat e këtyre materialeve dhe toka u bë më e ngjeshur dhe më e fortë. Teksa toka ngjishej, ndërtesa sharronte në disa anë më shumë e në disa më pak.

 

Siç e cekëm më sipër, për fatin e popullit të Pizës, vonesat e mëdha gjatë ndërtimit i dhanë kohë strukturës që të qetësohej dhe tokës që të ngjishej dhe të bëhej më e qëndrueshme. Me kalimin e kohës themelet u forcuan dhe kjo është arsyeja kryesore pse kjo kullë nuk u rrëzua kurrë.

 

Pa ndërhyrjen e ekspertëve kulla nuk do të qëndronte edhe shumë kohë

Ndonëse për qindra vjet kulla me të vërtetë ishte duke u rrëzuar. Ajo anonte rreth 2,5 centimetra më shumë çdo njëzet vjet. Përfundimisht, në vitin 1990, ajo u mbyll për vizitorët nga frika që pesha e një grupi të madh të njerëzve në majë do të mjaftonte për ta rrëzuar atë.

 

Nga viti 1990-2001, inxhinierët nga e mbarë bota ndihmuan në stabilizimin e kullës. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të gjetur një zgjidhje, inxhinierët më në fund e krijuan një plan që dha rezultate. Ata gradualisht hoqën dhe poshtë anës më të lartë të kullës.

 

Në fund, kulla u drejtua për rreth 41 centimetra, duke u kthyer në pozitën të cilën e kishte pasur rreth vitit 1838. Me përjashtim të ndonjë katastrofe madhore si ndonjë tërmet, inxhinierët besojnë që kulla do të jetë e sigurt për 300 vjetët e ardhshme.

 

Tani, Kulla e Pjerrët e Pizës është e hapur sërish për vizitorët ndërsa anon në një kënd prej 3,99 shkallë. Kjo do të thotë që maja e saj është pothuajse 4 metra larg pozitës ku do të duhej të ishte nëse kulla do të qëndronte drejt.

 

Jo të gjitha cenet janë të këqija!

Nëse jeni duke pyetur se pse nuk e drejtuan kullën tërësisht, kjo është për shkak se për banorët e Pizës kjo nuk ishte aspak e pranueshme. Kulla e Pjerrët e Pizës është një atraksion i madh turistik pikërisht për shkak të cenit të saj, dhe po të drejtohej nuk do të ishte as për së afërmi po aq interesante!

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE