MARKO POLO – UDHËTARI I PARË BOTËROR

 

Marko Polo (Marco Polo), ishte një tregtar venedikas, eksplorues dhe një prej evropianëve të parë i cili e përshkoi Rrugën e Mëndafshit dhe arriti në Kinë. Për udhëtimet e tij u shkrua libri “Il Milione” (Milioni) i njohur edhe si Udhëtimet e Marko Polos. Shumica njohurive të evropianëve për Kinën asokohe buronin nga tregimet e Marko Polos.

 

Tregtia

Marko Polo lindi në Venedik të Italisë në vitin 1254. Venediku, asokohe, ishte një qytet i pasur tregtar dhe shumica e banorëve të tij merreshin me tregti. Edhe babai dhe xhaxhi i tij ishin tregtar. Në atë kohë rruga më e famshme e tregtisë ishte Rruga e Mëndafshit, e cila ishte një rrjet i rrugëve që i lidhte qytetet nga Evropa deri në Kinë, dhe nëpër të cilën transportohej mëndafshi i njohur kinez.

 

Asnjë tregtar nuk e përshkuar tërë këtë rrugë, pasi që tregtia kryesisht zhvillohej nga një qytet në një tjetër apo nga një pjesë e rrugës në një pjesë tjetër të Rrugës së Mëndafshit. Kështu mallrat udhëtonin ngadalë deri në destinacionin final duke kaluar dorë më dorë.

 

Babai dhe xhaxhai i Marko Polos dëshironin që të provonin diçka ndryshe. Ata dëshironin që ta përshkonin vet tërë rrugën dhe të sillnin mallrat drejt nga Kina. Ata mendonin se kështu do të pasuroheshin dhe për këtë arsye udhëtuan vet deri në Kinë ku njohën dhe punuan për sunduesin e Kinës perandorin mongol Kublai Khan, të cilit i patën premtuar se do të ktheheshin.

 

Rruga e Mëndafshit

Parko Polo u largua për herë të parë nga Venediku në vitin 1271, kur ishte veçse shtatëmbëdhjetë vjeç. Ai u nis me babanë dhe xhaxhain e tij në një aventurë që do t’i dërgonte deri në Kinën e largët. Atyre iu deshën tri vjet për të arritur atje, dhe përgjatë rrugës Marko Polo e pati rastin që të shihte shumë qytete dhe vende të rëndësishme, duke e përfshirë këtu qytetin e shenjtë të Jerusalemit dhe shkretëtirën Gobi.

 

Kur arriti në Kinë, ai u bë i preferuari dhe më pas edhe këshilltari i sunduesit të Kinës. Atje jetoi shtatëmbëdhjetë vjet dhe mësoi të fliste rrjedhshëm gjuhën kineze. Ai ishte i mahnitur nga pasuria dhe begatia e qyteteve kineze si dhe oborrit të Kublai Khanit.

 

Gjatë kësaj kohe ai udhëtoi nëpër Kinë si zëdhënës dhe agjent i Kublai Khanit. Kështu ai përshkoi edhe trevat ku sot shtrihen Mijanmari dhe Vietnami. Falë kësaj ai mësoi shumë për gastronominë, kulturën, qytetet dhe popujt e ndryshe. Me fjalë të tjera ai pa gjëra që deri atëherë asnjë njeri nga Evropa nuk i kishte parë. Mbi 25.000 kilometra të përshkuara për 24 vjet nga ku janë sjell “çudi” nga më të ndryshmet në Evropë, është përmbledhja e odisesë së tij legjendare.

 

 

 

Kthimi i Marko Polos

Pas shumë vitesh të udhëtime, Marko Polo vendosi që së bashku me babanë dhe xhaxhain e tij të ktheheshin në Venedik. Ata arritën në shtëpi në vitin 1295. Pak vite pasi u kthyen në shtëpi shpërtheu lufta në mes të Venedikut dhe Gjenovës. Me ç’rast Marko Polo u arrestua. Teksa ishte në burg, Marko Polo ia diktoi përjetimet e tij shkrimtarit Rustichello da Pisa, i njohur edhe si Rusticiano. Kështu lindi libri i Udhëtimeve të Marko Polos, e cila pati një ndikim thelbësor në periudhën e zbulimeve të mëdha. Madje hartat gjeografike të Lindjes së Largët, me shekuj të tërë u punuan pikërisht sipas udhë përshkrimeve të tij.

 

Madje sipas një legjende edhe fjala (numri) milion është i lidhur me Marko Polon. Sipas legjendës, pasi u kthye në Venedik, ai i tregonte përjetimet e tij në mënyrë megalomane duke i rritur faktet, përshkrimet dhe numrat. Shumë shpejt, ai u bë i njohur dhe numërorët e deriatëhershëm “normal” nuk ishin të mjaftueshëm për t’i përcjellë përshkrimet e tij. Mirëpo, për numrin 1.000.000 milion nuk kishte ndonjë shprehje të veçantë numerike. Duke qenë se emri i tij i mesëm ishte Emilio (pra emri i tij i plotë ishte Marco Emilio Polo) shumë shpejt në qarqet venedikase u krijua fjala “emilioni” e cila më pas u modifikua në “milion” dhe kështu lindi emri i këtij numri të ri.

 

Marko Polo vdiq më 8 janar 1324 në Venedik, e cila asokohe njihej si Republika Venedikase.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE