MASHTI DEL ME VENDIM DHE UDHËZUES PËR VLERËSIMIN E NXËNËSVE GJATË MËSIMIT NË DISTANCË

Në një postim të llogarinë e saj në Facebook, më 25 prill 2020, Ministrja për Arsim në largim znj. Hykmete Bajrami bëri të ditur se më datë 24.04.2020, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e nxori një vendim për “Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë”, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ajo në këtë postim, po ashtu, bëri të ditur se me ndihmën e shumë ekspertëve është përpiluar edhe një “Udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë” gjatë periudhës së rrethanave emergjente të krijuara nga pandemia COVID 19 për vitin shkollor 2019/2020.

 

“Këto dy dokumente duhet të konsiderohen pjesë integruese e mësimit në distancë. Udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë sugjeron që vlerësimi i nxënësve gjatë mësimit në distancë realizohet i integruar. Ashtu që, gjatë periudhës së mësimit në distancë në rrethana të pandemisë COVID 19 nuk do të zbatohen dispozitat e nenit 3 të Udhëzimit Administrativ 8/2016 për Vlerësimin e nxënësve sipas kornizës së kurrikulës së arsimit parauniversitar në Republikës së Kosovës”, theksoi në postimin e saj znj. Bajrami.

 

Në udhëzues ofrohen detaje për metodat, mënyrën dhe format e notimit dhe procedurat e vendosjes së notave në ditarin personal të mësimdhënësit. Notat e vendosura nga mësimdhënësit duhet të raportohen në organet e shkollës, me qëllim të lëshimit të librezave, certifikatave, dëftesave e diplomave për nxënës. Pastaj, në momentin që krijohen kushtet për kthim në shkollë, notat përfundimtare vendosen në ditarin e klasës përkatëse dhe në librat amë.
Znj. Bajrami po ashtu bëri të ditur se në muajin Maj, do të nxirret edhe një vendim për mbajtjen e Testit të Arritshmërisë (klasa 9) dhe Provimit të Maturës (klasa 12), në konsultim me autoritetet dhe institucionet përkatëse. Me këtë vendim gjithashtu do të harmonizohen datat për regjistrim në klasën e 10-të si dhe afatet për aplikim për studime në Universitete apo Kolegje.

 

Në fund të postimit të saj Ministrja në largim, znj. Bajrami i falënderoi edhe njëherë të gjithë ekspertët e angazhuar në përpilimin e udhëzuesit i cili ka qenë kërkesë e shumë mësimdhënësve dhe do të lehtësoj tërë procesin e vlerësimit të nxënësve në këto rrethana të pazakonta.
Të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë dhe shkarkojnë udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve, gjatë mësimit në distancë në këtë adresë:

https://masht.rks-gov.net/…/udhezues-per-vleresimin-e-nxene….

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE