MELINDA ADEMI ‘DANCE LIKE NOBODY IS WATCHING!’

 

“Kohë pas kohe vjen dikush që e njeh veten, e zgjedh këngën e duhur, del në skenë, pa vështirësi, është e qartë, energjike. Ti e ke një ndriçim të mirë, dhe unë e kam parë vazhdimisht në të gjitha paraqitjet e tua. Më pëlqen!”

 

Kështu e vlerësoi Keith Urban një nga paraqitjet e Melinda Ademit në American Idol 2013. Që atëherë, ka kaluar shumë kohë, dhe Melinda Ademi tashmë është kthyer në një emrat më të njohur në skenën muzikore në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo vazhdon të punojë me ngulm dhe zell të madh në ndërtimin e karrierës së saj të cilën e ka zgjedhur që kur ishte pesë vjeçare. Padyshim, fakti që ikonat e muzikës si Steven Tyler, Keith Urban, dhe Nicki Minaj e kanë mbështetur talentin e saj, është një plus i madh në rezymenë e saj.

 

Çka të shtyri dhe kush të frymëzoi që të filloje të merreshe me muzikë?

Me muzikë merrem që kur kam qenë e vogël, ka qenë ëndrra ime që gjithmonë kam dashur ta realizoj.

 

Në American Idol 2011 këndove përpara gjyqtarëve Randy Jackson, Jennifer Lopez, Steven Tyler. Në American Idol 2013 këndove përpara gjyqtarëve Randy Jackson, Mariah Carey, Nicki Minaj dhe Keith Urban. Cilat performanca ishin më emocionuese për ty? Cili prej gjyqtarëve të ka bërë më shumë përshtypje dhe pse?

Performanca e parë ishte më emocionuese, sepse ishte hera e parë që performoja para të gjithë atyre gjyqtarëve, kurse performanca e dytë ishte më ‘fun’ dhe më lehtë për mua. Nicki Minaj më kë bërë përshtypje sepse më ka dhënë shumë komplimente të mira dhe nga ai moment s’jam ndalur kurrë.

 

Si kanë ndikuar këto dy përvoja në formësimin tënd si njeri dhe si muzikante?

‘American Idol’ nuk më ka bërë kush jam unë sot, edhe po të mos ishte American Idol unë përsëri do ta kisha arritur qëllimin tim si muzikante sepse që nga mosha pesë vjeçare këndoj dhe s’jam ndalur kurrë. Jeta më ka bërë kush jam unë sot, jeta në Amerikë, kultura e shqiptarëve, përvoja e rrugëtimit tim, dhe dashuria e madhe për muzike që e kam pas dhe do ta kem gjithmonë.

 

Si është procesi yt krijues?

Varet nga inspirimi që e kam në ato momente.

 

A këndon në dush? Nëse po, cilat këngë?

Po këndoj, madje shumë – hahahaha! Këndoj shumë këngë, por zakonisht në dush më shumë shkojnë baladat.

 

Cila është këshilla më e mirë që ta ka dhënë dikush?

Dance like nobody is watching! (Vallëzo sikur askush nuk është duke të të shikuar!)

 

A di të luash në ndonjë instrument muzikor?

Po, në piano dhe kitarë.

 

Çfarë arritje pret që të përmbushësh në pesë deri në dhjetët vjetët e ardhshme?

Të jem e lumtur, rehat dhe krenare me jetën time dhe familjen time. Të prodhoj shume këngë dhe t’i kënaq të gjithë fansat e mi.

 

A të ka shkuar ndonjëherë mendja që të braktisësh gjithçka dhe të fillosh nga e para?

Unë e kam braktisur gjithçka për muzikën, e kam lënë një jetë komplet të ndërtuar në Amerikë dhe kam ardhur në Kosovë të krijoj muzikë dhe ta ndërtoj karrierën time. Prandaj, muzikën s’do ta braktis kurrë.

 

Cilën këngë tënde e këndon më me dëshirë?

Të gjitha këngët e mia i dua dhe i dashuroj, kënga e fundit është ‘Melodia’ dhe është kënaqësi e madhe ta këndoj së bashku me publikun, siç ndodhi edhe në Mitrovicë më datën 28 nëntor 2021. Më të preferuarat janë ‘Ay Caramba’, ‘Pika’, ‘X5’, dhe freestyle-at e mi.

 

Si do t’i përshkruaje fansat e tu?

Unë i dua shumë fansat e mi, e sidomos MelindaTor sepse i kam shumë të flakët dhe nuk dorëzohen në asnjë moment për mua, janë shumë aktiv dhe më përkrahin çdo moment, çdo orë dhe çdo sekondë. Thjesht janë inspirimi im më i madh që më shtyn të punojë dhe të krijoj muzikë.

 

Cila është këshilla jote për një muzikant/e të ri/re në fillim të karrierës?

Duhet ta duash këtë profesion shumë! Asnjë pengesë s’bën të të ndaloj dhe të mos kesh asnjë dyshim të vetëm për këtë gjë, dhe të mos dorëzohesh as edhe një moment.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, Whatsap – cila është platforma e juaj e preferuar?

Instagram.

 

Sekreti për një milion përcjellës në Instagram?

S’ka sekret, me punë dhe përkushtim të madh gjithçka arrihet.

 

Emojit cilat i përdor më shumë?

Emoji – Zemër <3!

 

Porosia e juaj për të rinjtë në Kosovë?

Nëse e dini që keni talent për diçka mos ndaloni kurrë, sepse ajo që është e jotja një ditë do të vijë dhe askush s’mund ta merr nga ti.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE