METEOROPATIJA, SËMUNDJE APO MIT?

 

Sipas të dhënave ekzistuese, në Evropë pothuajse 50 për qind e njerëzve vuajnë nga kokë dhimbja, marramendja, nervoza ose pagjumësia të shkaktuara nga meteoropatia. Pjesa më e madhe e tyre janë në moshën e mesme dhe kjo dukuri është më e pranishme te femrat se sa te meshkujt. Mirëpo, janë shënuar raste kur nga meteoropatia vuajnë edhe fëmijët.

 

Përkufizimi më i thjeshtë për meteoropatinë e përshkruan atë si një gjendje e cila i përfshin një grup simptomash ose reagimesh patologjike ndaj ndryshimeve graduale ose të menjëhershme të faktorëve meteorologjik në një zonë të caktuar, të cilët supozohet se ndër veprojnë përmes ndikimeve natyrore elektromagnetike, të cilat e përfshijnë një gamë të gjerë të frekuencave dhe amplitudave. Rasti më i shpeshtë i ankesave nga meteoropatia janë ankesat e të moshuarve ose njerëzve që kanë përjetuar lëndime të rënda për dhimbje të kockave ose të vendeve të lënduara sa herë që ndryshon gjegjësisht sa herë që ndryshon moti, gjegjësisht kur bie shi ose ftohet koha.

 

Pse paraqitet meteoropatia?

Ekspertët thonë se meteoropatia paraqitet sepse sa herë që jashtë përkeqësohet situata biometeorologjike, në atmosferë vjen deri te rritja e përqendrimit të joneve pozitive dhe pikërisht ato ndikojnë negativisht në organizmin njerëzor. Në anën tjetër, jonet negative kanë ndikim tërësisht tjetër tek ne, passi që si rrjedhojë e tyre ne jemi më të lumtur dhe më të hareshëm.

 

Studimet, kanë treguar që meteoropatët arrijnë që t’i ndjejnë ndryshimet e motit deri në 48 orë përpara se ato të ndodhin. Po ashtu, theksohet që shkak i kësaj mund të jetë edhe stili modern i jetës. Me fjalë të tjera, trupi i njeriut mësohet me kushtet e reja të jetës dhe punës, gjegjësisht trupi mësohet me ambientet e mbyllura. Mungesa e kontaktit me natyrën bën që trupi të harrojë si të përballojë ndryshimet e saj. Në bazë të kësaj, arrihet në përfundimin që meteoropatët, në numrin më të madh, janë njerëz puna e të cilëve kërkon qëndrimin në zyrë për orë të tëra.

 

Simptomat e meteoropatisë, krahas atyre që janë cekur më sipër, janë edhe dhimbja e nyjave, si dhe lodhja. Ekspertët shpjegojnë edhe që ndikimi i fortë i cikloneve te njerëzit shkakton edhe ndërrimin e papritur të humorit të tyre. Kjo sepse, cikloni e nxit prodhimin e shtuar të hormoneve të stresit, gjë që bën që të lirohet më pak endorfinë, hormonit të lumturisë, që përndryshe është ilaç natyral kundër dhimbjeve.

 

Si ta shërojmë meteoropatinë?

Meteoropatia nuk ka shërim, të paktën jo në formën e prodhimeve farmaceutike, të cilat rrjedhimisht janë të kufizuara vetëm në trajtimin e simptomave. Mirëpo, ajo që mund të ndihmojë është dalja për shëtitje në natyrë, ose të paktën qëndrimi në park, pyll ose në natyrë në përgjithësi nga një deri në dy orë në ditë. Po aq e rëndësishme është që të mos e përcillni parashikimin e motit, sepse në mënyrë të pavetëdijshme ne i ruajmë këto informacione, posaçërisht ato negativet, të cilat më vonë ndikojnë në psiken tonë. Mirëpo, nëse nuk mundeni të qëndroni pa i përcjellë këto informacione, atëherë bëhuni gati edhe për ndryshimet e paralajmëruara të motit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE