MISIONI I OSBE-së I TRAJNON MËSUESIT PËR MENAXHIMIN E STRESIT GJATË COVID-19

 

Më 19 nëntor 2020 Misioni i OSBE-së në Kosovë e përmbylli fazën e parë të projektit të vet “Shëndeti Mendor i Nxënësve gjatë Pandemisë së COVID-19”. Kështu bëhet e ditur në ueb faqen e këtij misioni. Më tej në njoftimin në fjalë bëhet e ditur se ky projekt u realizua në bashkëpunim me Organizatën Jo Qeveritare “Edukimi dhe Menaxhimi në Kosovë (EDUMEN-K), e cila është e specializuar në ofrimin e mbështetjes për sektorin e arsimit. Në kuadër të këtij projekti mësimdhënësit u trajnuan si të ndihmojnë në lehtësimin e problemeve të shëndetit mendor të nxënësve të cilat vijnë si pasojë e mbylljes së shkollave dhe izolimit për shkak të masave shëndetësore parandaluese.

 

Më këtë rast Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu citohet të ketë thënë: “Mbyllja e përnjëhershme e shkollave si dhe nevoja urgjente për të kaluar nga mësimi në klasë në atë online ishtin sfidat më të mëdha me të cilat sektori i arsimit është përballur ndonjëherë. Për më tepër, nxënësit e të gjitha moshave, si djemtë edhe vajzat, i ndërprenë kontaktet e tyre personale dhe u përballën me mungesën e pranisë fizike të bashkëmoshatarëve të tyre. Këto sfida i kanë ngarkuar të rinjtë dhe pa dyshim kanë shkaktuar stres dhe probleme të mundshme mendore dhe emocionale. Duke i trajnuar mësimdhënësit se si të përballen me stresin e nxënësve të tyre gjatë pandemisë së COVID-19, ne synojmë që të minimizojmë nivelin e pasojave që studentët mund t’i përjetojnë më vonë.”

 

Më tej bëhet e ditur se mbi 400 mësimdhënës nga të gjitha komunat dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë u trajnuan gjatë kësaj faze të parë. Në seancat trajnuese u trajtuan njohuritë bazike rreth stresit, menaxhimi i stresit dhe strategjitë për parandalimin e pasojave të stresit pas pandemisë së COVID-19.

 

Pas përfundimit të trajnimit, mësimdhënësit e përzgjedhur do të jenë në gjendje që të organizojnë dhe udhëheqin aktivitete për menaxhimin e stresit për nxënësit në shkollat e tyre. Faza e dytë e këtij projekti ka filluar dhe do të përfundojë në dhjetor të vitit 2020, thuhet në fund të këtij njoftimi.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE