MSU E MBËSHTET POLICINË E KOSOVËS NË PËRGJIGJEN NDAJ COVID-19

17.09.2020

Karabinierët Italianë të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it i dhuruan Policisë së Kosovës 22 makina gjeneruese të ozonit për dezinfektimin e zyrave dhe automjeteve nga viruset, bakteret dhe patogjenët e tjerë, bën të ditur Zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it.

 

Më tej në njoftimin në fjalë thuhet se pajisjet u financuan nga Ministria Italiane e Mbrojtjes dhe do të lehtësojnë përpjekjet e vazhdueshme nga Institucionet në Kosovë kundër pandemisë COVID-19. Në muajt e kaluar, Ushtria Italiane siguroi, me kërkesë të Institucioneve të Kosovës, një ekip prej nëntë personash nga Regjimenti i 7-të i Mbrojtjes Kimike-Biologjike-Radiologjike-Bërthamore ‘Kremona’, i cili i pastroi mbi 50 objekte publike në të gjithë Kosovën në 34 komuna të ndryshme.

 

Që nga shpërthimi i COVID-19, vendet aleate dhe partnere të NATO-së e kanë mbështetur përgjigjen e Institucioneve në Kosovë ndaj pandemisë përmes dhurimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe duke ofruar mbështetje teknike, me ç’ rast KFOR-i e luan një rol lehtësues.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj dhe Koloneli Enio Simone, Komandant i Regjimentit MSU-KFOR morën pjesë në ceremoninë e dorëzimit në Selinë e Policisë së Kosovës në Prishtinë.

 

Aftësia e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes nuk është dëmtuar nga COVID-19, dhe rreth 3.500 ushtarë nga 26 kombe janë duke i kryer rregullisht operacionet e tyre, ndërsa zbatojnë masa të matura dhe të forta për të kufizuar përhapjen e virusit dhe minimizuar rreziqet për anëtarët e saj dhe për komunitetet që ata i shërbejnë, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

NEW MAGAZINE