Muhamet Dragusha, një ish futbollist profesionist, e ka shndërruar pasionin e tij për futbollin në një karrierë në lulëzim si pronar dhe krye trajner i Shkollës së Futbollit Zidane në Prishtinë. Rrugëtimi i tij, i cili f illoi në moshën shtatëvjeçare, tani është duke vazhduar përmes përkushtimit të tij për të ushqyer talentet e rinj të futbollit në Kosovë. Në këtë intervistë, ai i ndan me ne përvojat dhe pikëpamjet e tij për udhëheqjen e një shkolle të suksesshme të futbollit.
Karriera e hershme dhe transformimi në trajner
Dashuria e Muhamet Dragushës për futbollit nisi në moshë shumë të hershme. “Unë e kam nisur karrierën time futbollistike në moshën shtatëvjeçare dhe që atëherë kam jetuar dhe frymuar me futbollin,” rikujton Dragusha. Karriera e tij si lojtar aktiv zgjati deri në moshën 33 vjeçare, dhe pas kësaj ai vendosi që të themelonte Shkollën e Futbollit Zidane. “Themelimi I shkollës ishte një hap i natyrshëm për mua. Unë dëshiroja që të kontribuoja për këtë sport dhe t’iu ndihmoja lojtarëve të rinj që t’i zhvillojnë shkathtësitë e tyre,” shpjegon ai.
Që nga themelimi i saj, Shkolla e Futbollit Zidane është rritur dukshëm. “Aktualisht i kemi 150 fëmijë të regjistruar, dhe ky numër është dëshmi e punës sonë të zellshme,” pohon Dragusha me krenari. Shkolla merr pjesë në garat e rajonit të Prishtinës, dhe përkundër se ky është vetëm viti i dytë i garimit, ajo tashmë ka arritur sukses të konsiderueshëm. “Ekipet tona U13 dhe U15 janë të parat në kategoritë përkatëse, dhe ne jemi të bindur që edhe ekipet tona U19 dhe U11 së shpejti do të jenë të parat.”
Kualifikimet dhe përvoja
Kualifikimet e Dragushës janë mbresëlënëse, gjë që e përforcon besueshmërinë në shkollën e tij të futbollit. Ai ka diploma universitare si dhe licencat C dhe B të UEFA. Krahas kësaj ai ka marrë pjesë në seminare të shumta dhe ka shërbyer edhe si ligjërues për Federatën e Futbollit të Kosovës. “Si lojtar kam qenë pjesë e shumë ekipeve elitare në Kosovë si dhe ekipit kombëtar, ku kam qenë edhe kapiten,” thotë ai. “Unë synoj që t’ia kaloj njohuritë dhe përvojën që e kam fituar këtyre gjeneratave të reja.”
Kënaqësitë dhe sfidat e trajnimit
Trajnimi i fëmijëve i jep gëzim të pamasë Dragushës, por ai vjen edhe me sfida. “Puna me fëmijët më vjen natyrshëm sepse unë i dua shumë fëmijët,” thotë ai. Sidoqoftë, ai e thekson nevojën për të baraspeshuar dashurinë me disiplinën. “Përkundër dashurisë që unë e ndjej për ta, unë duhet të tregohem i prerë dhe nganjëherë edhe i largët në mënyrë që t’i shtyjë ata për të përmbushur tërë potencialin e tyre. Disiplina është prioriteti numër një në karrierën e një futbollisti, i përcjellë nga puna e zellshme dhe talenti.”
Vendimi i Dragushës për t’u fokusuar në trajnimin e lojtarëve të rinj është i nxitur jo vetëm nga pasioni i tij për këtë sport. “Krahas kënaqësisë shpirtërore, ka edhe përfitime ekonomike,” e pranon ai. “Por më e rëndësishmja është që unë dua të ndikoj dhe formësojë karrierat e tyre që nga fillimi, duke ua instaluar atyre zakonet e disiplinës dhe punës së zellshme.”
Ndërtimi i një shkolle të suksesshme të futbollit
Rrugëtimi drejt ndërtimit të Shkollës së Futbollit Zidane nuk ishte i lehtë. “Si çdo fillim, edhe i imi ishte i vështirë. Fillova me vetëm katër fëmijë,” rikujton Dragusha. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, reputacioni I shkollës i rrit, dhe tani ajo i ka rreth 150 fëmijë. “Ne nuk garuam gjatë viteve të para sepse fokusi ynë ishte te zhvillimi dhe trajnimi korrekt. Kur fëmijët e arritën nivelin e dëshiruar, ne filluam të garonim, dhe rezultatet tona kanë qenë mbresëlënëse.”
Dragusha e thekson rëndësinë e përgatitjes dhe zhvillimit të talentit përpara pjesëmarrjes në gara. “Suksesi ynë në gara është rezultat i përgatitjes së mirëfilltë dhe trajnimit cilësor,” thotë ai. Kjo strategji jo vetëm që e siguron zhvillimin e lojtarëve, por edhe ndihmon në rritjen e anëtarësisë së shkollës. “Suksesi në gara në kombinim me punën tone trajnuese është receta e rritjes sonë,” thekson ai.
Shkolla e Futbollit Zidane nuk është e fokusuar vetëm në zhvillimin Teknik dhe fizik të nxënësve të saj por, edhe në rritjen e tyre personale. Si prindërit ashtu edhe nxënësit e lavdërojnë qasjen tërësore të shkollës ndaj stërvitjeve. Leo, Learti, Omeri dhe Rroni, shokë të ngushtë, miqësia e të cilëve ka lulëzuar gjatë seancave stërvitore, me entuziazëm theksojnë: “Stërvitjet në Zidane jo vetëm që i kanë përmirësuar shkathtësitë tona por, edhe e kanë forcuar lidhjen tonë si shokë. Ne mezi e presim çdo stërvitje.” Me të vërtetë, duke e theksuar si zhvillimin individual edhe atë ekipor, Shkolla e Futbollit Zidane vazhdon të jetë një burim i shpresës dhe mundësive për entuziastët e rinj nga tërë Kosova.
Rritja e futbollit në Kosovë
Viteve të fundit peizazhi i futbollit në Kosovë ka pësuar ndryshime pozitive, me rritjen e numrit të shkollave të futbollit për fëmijë. “Kjo rritje iu jep mundësi të gjithë fëmijëve që e duan këtë sport ta provojnë veten në të,” thotë Dragusha. Sidoqoftë, ai nuk i harron sfidat që vijnë me një rritje të tillë. “Përkundër dëshirës sonë, një shkollë e vetme nuk mund t’i stërvitë të gjithë fëmijët e interesuar, kështu që ne duhet t’i përzgjedhim ata që besojmë se mund të kenë sukses në këtë sport. Mosha ideale për të filluar stërvitjet në futboll është mosha gjashtëvjeçare, ndonëse nganjëherë ne pranojmë fëmijë edhe më të vegjël,” thotë ai. “Sidoqoftë, programi ynë është i rreptë, dhe jo të gjithë fëmijët mund ta përballojnë fizikisht dhe mendërisht.” Dragusha, po ashtu e thekson mungesën e objekteve adekuate si një problem madhor. “Infrastruktura mbetet një sfidë domethënëse. Vetëm në rajonin e Prishtinës operojnë 48 shkolla, por ato i kanë në dispozicion vetëm 12 fusha futbolli. Ky numër është i pamjaftueshëm për të plotësuar kërkesat.”
Aspiratat për të ardhmen
Përkundër sfidave, Dragusha mbetet optimist për të ardhmen e futbollit kosovar. “Emrat si Zhegrova dhe Rashica, të cilët janë zhvilluar në Kosovë dhe tani luajnë në ligat evropiane, janë vetëm maja e ajsbergut,” thotë ai. “Eksportimi i lojtarëve cilësor është një trend në rritje, dhe futbolli ynë është duke u rritur, duke na përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Dragusha beson se e ardhmja e futbollit në Kosovë është ndritur. “Besoj se në dhjetë vitet e ardhshme prestigji i futbollit tonë vetëm sa do të rritet, duke përfituar nga puna dhe sakrificat e gjeneratave të kaluara dhe atyre të tashme,” parashikon ai. Ai po ashtu, i ceku deklaratat positive nga ekspertët ndërkombëtar të futbollit. “Ekspertët e kampit trajnues të Barcelonës më kanë thënë se e kanë të vështirë që të bëjnë përzgjedhjen e tyre për shkak të numrit të talenteve këtu.”
Rrugëtimi i Muhamet Dragushës nga një futbollist profesionist në një trajner dhe mentor të përkushtuar është vërtetë frymëzues. Përmes Shkollës së Futbollit Zidane, ai është duke e formësuar të ardhmen e futbollit të Kosovës, lojtar pas lojtari. Përkundër sfidave, përkushtimi i tij për zhvillimin e talenteve të rinj si dhe optimizmi për të ardhmen e futbollit kosovar mbeten të palëkundur. “Me vullnet, përkushtim dhe punë të zellshme, çdo gjë është e mundur,” pohon ai, duke e mishëruar frymën e vërtetë të një mentori të futbollit.