MUSICBOX: SARDI

 

“Që herët e kam nisur muzikën, në moshën 5 vjeçare, pa e ditur atëherë që kjo do të ishte rruga e jetës sime. Fillimisht ka qenë një hobi, por duke u rritur dhe angazhuar në më shumë aktivitete muzikore e kuptova se ishte vendi ku unë përkas dhe që ia vlen të luftoj për të.”Sardi Strugaj

 

Cilat performanca deri më tani ishin më emocionuese për ty?

Do të veçoja performancën në ‘Fest59’, aty ku përzgjidhet edhe përfaqësuesi i Shqipërisë për në Eurosong, me këngën “Ka me t’ba me kajt”, ku u rendita në vendin e dytë.

 

Si kanë ndikuar këto përvoja në formësimin tënd si njeri dhe si muzikant?

Kohët e fundit kam kaluar kohë me veten dhe me njerëz të talentuar që e vlerësojnë muzikën e mirë. Në këtë mënyrë e gjeta veten dhe stilin që tani e kam. Për të qenë artist i mirë dhe profesionist duhet patjetër të jesh Njeri në radhë të parë. Kombinimi i të dyjave e sjell artin e bukur.

 

Si është procesi yt krijues?

As vetë nuk e di 😂 Çdo gjë ndodh spontanisht. I referohem fillimit, pra krijimit të tekstit dhe vijës melodike. Shumë orë të ditës i kaloj në studio duke provuar tekste dhe vija të ndryshme, dhe zakonisht ato më të bukurat dalin atëherë kur nuk kam shumë mendim, por më së shumti emocion dhe instinkt.

 

A këndon në dush?

Po nuk këndove në dush nuk ia vlen fare 😂. Zakonisht aty i provoj këngët e reja dhe nëse janë këngë dushi atëherë jemi në rrugë të mbarë.

 

Cila është këshilla më e mirë që ta ka dhënë dikush?

Mos hiq dorë kurrë nga ajo që do. Nëse dorëzohesh je direkt i humbur. Nëse nuk heq dorë, dhe ke durim, atëherë do t’ia dalësh patjetër.

 

A di të luash në ndonjë instrument muzikor?

Profesionalisht jo, por di ti bie kitarës dhe pak pianos. Por, nuk e marr guximin ta shoqëroj veten në publik akoma 😂. Prandaj ua lë profesionistëve në dorë këtë gjë.

 

Çfarë arritje pret që të përmbushësh në pesë deri në dhjetët vjetët e ardhshme?

Ndoshta 10 vite janë shumë për të vendosur objektiva, duke e parë që jeta lëviz shumë shpejt dhe planet jo gjithmonë dalin ashtu siç i mendon. Por në 5 vitet e ardhshme objektivi kryesor që kam është të jem i përmbushur në karrierën time.

 

A të ka shkuar ndonjëherë mendja që të braktisësh gjithçka dhe të fillosh nga e para?

Nuk është e thjeshtë të bësh atë që e do. Do punë dhe sakrificë çdo ditë. Ka momente errësire kur mund të të shkojë mendja të heqësh dore nga ëndrra e të vazhdosh diçka tjetër. Por, për mua është e qartë që kjo është rruga ime, dhe do t’ia dal me çdo kusht.

 

Cilën këngë e këndon më me dëshirë?

Të gjitha i këndoj me shumë dëshirë, momenti kur këndoj “Sytë” apo “A ja thash” apo edhe “E pash un djallin” dhe i gjithë publiku i këndon me mua, është shumë kënaqësi dhe më mbushet zemra plot. Por, personalisht e shijoj shumë “Ka me t’ba me kajt”.

 

Si duket dita jote e zakonshme?

Mëngjesi së fundmi më gjen në palestër ku e nisi ditën me aktivitete fizike. Më pas deri në darkë jam në studio, aty ku fokusohet çdo gjë drejt muzikës, krijimit dhe përpunimit të projekteve që i publikoj. Gjatë fundjavave gjej kohë edhe për shoqërinë dhe familjen, apo edhe për veten për të kaluar pak pushim nga java.

 

Si preferon të komunikosh me mesazhe apo telefonata?

Mesazhet më hutojnë pak sepse nuk arrij dot t’i lexoj emocionet kështu që jam më shumë te telefonatat ose takimet.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, Whatsap… cila është platforma jote e preferuar?

Instagrami është i preferuari.

 

Emojit – sa i përdor dhe cilat i përdor më shumë?

I përdor për tu shpreh pak më thjesht 😂😅❤️😘🔥🐐🤣

 

Destinacioni turistik i ëndrrave?

Afrika më pëlqen shumë, dhe çdo vend tropikal. E shijoj natyrën jashtë mase.

 

Me cilët artistë të famshëm botërorë do të darkoje?

Me Stromae, Coldplay, Sia, Dua Lipa do të ishte mirë 😂

 

A është dashuria vetëm fjalë?

S’ka se si. Dashuria as nuk përshkruhet dot me fjalë. Mund të shkruajmë shumë për dashurinë, por asnjë nuk arrin dot të përshkruaj vërtet emocionin e dashurisë. Për mua, ajo është virtyt hyjnor.

 

Cilat janë dëshirat e tua për llambën e Aladinit?

  1. Shëndetin e familjarëve dhe të dashurve të mi.
  2. Turne në çdo trevë shqipfolëse.
  3. Sa më shumë këngë të bukura.

 

Porosia jote për të rinjtë në Kosovë?

Vazhdoni ta mbani gjallë kulturën dhe traditat e bukura që i kemi.

 

PROFILI:

Emri dhe mbiemri: Sardi Strugaj

Data e lindjes: 07 Shtator 1995

Vendi i lindjes: Pukë

Gjatësia: 191 cm

Pesha: 80 kg

Ngjyra e syve: Gjelbër

Ngjyra e flokëve: Gështenjë

Ushqimi i preferuar: Lazanja dhe fli

Këngëtari/ja i/e preferuar: Stromae

Ngjyra e preferuar: E zeza

Talenti sekret: Gatimi

Sporti i preferuar: Volejboll

Sportisti/ja i/e preferuar: Lorik Cana

Cilat janë virtytet tuaja: Besnikëria, sinqeriteti, gjendshmëria.

Kompania incizuese: Undefined Entertainment

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE