NASA I PËRZGJEDHË KATËR MISIONE TË VOGLA TË ASTROFIZIKËS PËR STUDIME

Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (National Aeronautics and Space Administration – NASA) ka njoftuar se i ka përzgjedhur katër misione të vogla të astrofizikës për studim të mëtejmë, ndonëse nga agjencia theksohet se mund të ndodh që përfundimisht asnjëri prej tyre të mos fluturojë.

 

Më 7 janar 2021, NASA ka bërë të ditur se i ka përzgjedhur tri misione me satelitë të vegjël (të njohura si smallsat), si dhe një mision me balonë në lartësi të madhe që të jenë të parat në programin e saj të ri të quajtur “Astrophysics Pioneers” (Pionierët e Astrofizikës). Ky program u krijua vjet dhe ka për qëllim që të mbështesë misione të vogla të astrofizikës, ku përfshihen satelitët e vegjël dhe balonat si dhe ngarkesat për Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Këto katër misione u përzgjodhën nga 24 propozimet që u dorëzuan në vjeshtën e vitit të kaluar.

 

“Secili prej eksperimenteve të propozuara do të bëjë diçka që asnjë teleskop apo mision tjetër i NASA-së nuk do të mund ta bëjë, duke i plotësuar kështu boshllëqet e rëndësishme në njohuritë tona për universin si tërësi,” kështu tha Thomas Zurbuchen, administratori i asociuar për shkencë i NASA-së, në një deklaratë për përzgjedhjet e Astrophysics Pioneers. Më tej, ai i lavdëroi shkencëtarët që i kanë ideuar këto misione për zgjidhjet inovative dhe të menduarit “jashtë kutisë” (out of the box) në lidhje me problemin se si të kryhen eksperimente astrofizike të rëndësisë së madhe me buxhet të vogël.

 

Sateliti i parë i vogël, i quajtur Aspera, do të studiojë evoluimin e galaktikës duke i vëzhguar gazrat e nxehta në mes të galaktikave me rreze ultravjollcë. I dyti, Pandora, do të vëzhgojë me valë të dukshme dhe infra të kuqe 20 yje që dihet se kanë eksoplanete (exoplanets – planetë jashtë një sistemi solar). Sateliti i tretë, StarBurst, do t’i zbulojë rrezet gama nga bashkimet e yjeve neutron, duke punuar bashkë me observatorët e valëve gravitacionale në tokë. Në kuadër të misionit të katërt Ngarkesa për Observime të Energjisë Ultra të Lartë (Payload for Ultrahigh Energy Observations – PUEO), është një instrument që vendoset në balonë, i cili do të matë neutrinot me energji ultra të lartë nga bashkimi i yjeve neutron si dhe krijimin e vrimave të zeza.

 

Secili prej këtyre misioneve e ka një kosto maksimale prej 20 milionë dollarëve, që është tri herë më e madhe se kosto e misioneve me satelitët në formë kubi me dimensionet 10 cm x 10 cm x10 cm (të njohur si cubesats), por që gjithsesi mbetet dukshëm më e vogël se sa kostoja prej miliarda dollarëve për misionet kryesore të NASA. Programi Astrophysics Pioneers synon që të zhvillojë misione që janë tepër të mëdha për misionet e cubesat por që nuk i kërkojnë përmasat dhe ndërlikueshmërinë e programeve më të mëdha satelitore si Explorer.

 

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE