Mbrëmja e dytë e playoff-eve dhe çerekfinaleve të Nations League dhuroi emocione të mëdha për tifozët e futbollit, duke i përcaktuar katër gjysmë finalistët si dhe duke e vulosur një moment historik për Kosovën!

 

Kosova e mposht Islandën dhe siguron promovimin në Ligën B!

Kosova e përfundoi me stil rrugëtimin e saj drejt promovimit në Ligën B, pavarësisht se ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, me Islandën që kaloi në epërsi pas vetëm dy minutash lojë përmes Orri Oskarson. Megjithatë, kjo ishte nata e Vedat Muriqit, i cili shkëlqeu me një tregolësh spektakolar për ta përmbysur rezultatin dhe për ta udhëhequr Kosovën drejt fitores 3-1. Me këtë triumf, Kosova siguroi dy fitore ndaj Islandës dhe konfirmoi dominimin e saj në këtë fazë, duke vulosur një moment historik dhe duke kaluar në një nivel më të lartë të garave të UEFA-s!

 

Gjermani-Itali: Një ndeshje me dy fytyra!

Një ndeshje epike në Gjermani e pa skuadrën vendase të dominojë pjesën e parë, për ta mbyllur me rezultatin e thellë 3-0. Por, Italia nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm në pjesën e dytë, duke barazuar 3-3! Pavarësisht rikthimit të italianëve, rezultati 2-1 i ndeshjes së parë i dha Gjermanisë biletën për në gjysmëfinale.

 

Spanjë-Holandë: Dramë deri në penallti!

Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe këtë herë sfida mes Spanjës dhe Holandës përfundoi 2-2 në kohën e rregullt. Të dy ekipet shënuan edhe nga një gol në kohën shtesë për ta çuar rezultatin në 3-3. Në fund, fati ishte me Spanjën, e cila triumfoi në penallti 5-4 dhe siguroi një vend në gjysmëfinale.

 

Franca përmbys Kroacinë dhe fiton në penallti!

Pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë, Franca e kishte një mision të vështirë, por ia doli të barazonte rezultatin me një fitore 2-0 në Paris. Ndeshja shkoi në penallti, ku “Gjelat” ishin më të saktë dhe fituan 5-4, duke kaluar në fazën tjetër.

 

Portugalia e mposht Danimarkën pas një beteje të ashpër

Një nga ndeshjet më të luftuara të mbrëmjes ishte përballja mes Portugalisë dhe Danimarkës. Pas 90 minutave ndeshja përfundoi 3:2 në favor të Portugalisë, por për shkak të humbjes në ndeshjen e parë 1:0, ndeshja shkoi në kohë shtesë. Në kohën shtesë Portugalia u tregua e pamëshirshme, duke i shënuar dy gola për të fituar ndeshjen me rezultatin 5-2.

 

Gjysmëfinalet: Përplasje titanësh!

Me këto rezultate, janë konfirmuar përballjet e gjysmëfinaleve të Nations League:

Gjermani – Portugali – 4 Qershor

Spanjë – Francë – 5 Qershor

Kush do të arrijë në finalen e madhe? Përgjigjen do ta marrim në qershor!