NËN DYSHEMENË E KATEDRALES SË NOTRE DAME ZBULOHET NJË THESAR ARKEOLOGJIK

 

Gërmimet arkeologjike në Katedralen Notre Dame në Paris e kanë zbuluar një pasuri të pabesueshme në formën e statujave, skulpturave, varrezave dhe copëzave të kulmit origjinal, që daton që nga shekulli i 13-të, bën të ditur gazeta The Guardian.

 

Në këtë zbulim arkeologjik përfshihen edhe disa varreza antike të mesjetës, si dhe një sarkofag i plumbit në formën e trupit të njeriut i cili ishte varrosur nën dyshemenë e katedrales së shkatërruar nga zjarri, kurse ekspertët francez e kanë përshkruar këtë zbulim si “të pabesueshëm dhe emocional”, shton kjo gazetë britanike.

 

“Gjithçka është zbuluar vetëm 10-15 centimetra nën pllakat e dyshemesë. Ishte goxha e papritur që të gjenim gjëra të tilla. Këtu gjenden artefakte të rëndësishme të cilat e dokumentojnë historinë e këtij monumenti”, ka deklaruar Christophe Besnier, i cili është duke e udhëhequr ekipin e shkencëtarëve të cilët janë duke i kryer gërmimet në përgatitje të terrenit për punimet e rindërtimit.

 

“Ky ishte një moment mjaft emocional. Papritur i gjetëm disa qindra pjesë, fragmente më të vogla dhe blloqe më të mëdha, në mesin e të cilave përfshihen skulptura të duarve, shputave të këmbëve, fytyrave, dekoreve arkitekturale dhe bimëve. Disa prej pjesëve e kanë ende ngjyrën origjinale,” theksoi arkeologu francez.

 

Zbulimi është bërë i ditur nga Instituti Kombëtar Arkeologjik i Francës. Ekipi që i ka gërmuar artefaktet, ishte ftuar nga ky institut për të kryer “gërmimet parandaluese” nën dyshemenë e katedrales, përpara se të ngrihej skela mbi 100 metra e lartë dhe 600 tonelata e rëndë, e cila do të shërbejë për renovimin e kulmit të kullës.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE