NETFLIX – FENOMENI GLOBAL

 

Një ndër masat kryesore globale për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19 është ruajtja e distancës fizike dhe kufizimi i lëvizjes gjegjësisht qëndrimi në shtëpi. Si pasojë e kësaj mase, jo vetëm në Kosovë por, në mbarë botën u shënua rritje e interesimit për shërbimet online të kompanive të tilla si Netflix, HBO Max, Disney Plus, Hulu, Amazon Prime Video, etj. Duke e pasur parasysh rritjen e interesimit për këto shërbime në muajt në vijim do t’i prezantojmë disa prej shërbimeve kryesore të transmetimeve online (streaming).

 

 

Si u krijua Netflix?

Që nga viti 1977 kur filloi prodhimi i teknologjisë VHS (Video Home System) e deri në vitin 2007, krahas kinemave, një ndër burimet kryesore të fitimit në industrinë e filmit ishte publikimi i filmave në formatin e videokasetave VHS dhe më pas DVD-ve. Krahas shitjes së tyre, në mbarë botën u krijuan edhe të ashtuquajturat video-klube, të cilat ua ofronin shikuesve mundësinë e huazimit të filmave më të rinj përpara se ata të fillonin të transmetoheshin në televizion, por edhe klasikëve më të vjetër.

 

Në vitin 1997, Reed Hastings dhe Marc Randolph nga Scotts Valley në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e themeluan video klubin Netflix. Për dallim nga video klubet e deriatëhershme, Netflix ua ofronte mundësinë abonuesve të vet që t’i përzgjidhnin cilët filma donin t’i huazonin përmes internetit dhe më pas ua dërgonte fillimisht videokasetat dhe më vonë DVD-të përmes postës së bashku me zarfet e gatshme për kthimin e tyre. Ky koncept ua mundësoi atyre që të kishin një shtrirje jo vetëm në SHBA, por edhe në disa vende të tjera të botës, sidomos në Evropën Perëndimore.

 

Falë zhvillimeve të teknologjisë së internetit videokasetat dhe DVD-të u zëvendësuan me shërbimet streaming (transmetimit online) duke e rritur kështu edhe më tej potencialin për shtrirjen e shërbimeve të kësaj kompanie në mbarë botën dhe në lindjen e fenomenit global të Netflix. Madje, për përsosjen e kësaj teknologjie, në vitin 2006 Netflix e ofroi një shpërblim prej një milion dollarë amerikan për këdo që do të arrinte të krijonte i pari një algoritëm që do ta thjeshtonte dhe përmirësonte cilësinë e këtij shërbimi. Në ndërkohë në muajin shkurt 2007, Netflix arriti në një miliardë DVD të dërguara me postë. Sidoqoftë, shumë shpejt teknologjia streaming i zëvendësoi në tërësi DVD-të.

 

Netflix sot

Përkundër krijimit të shumë kompanive simotra, Netflix vazhdon të mbetet shërbimi më i mirë streaming. Këtë e dëshmon edhe fakti se në janar të këtij viti Netflix arriti në 203,7 milionë abonues në mbarë botën, ndërsa, të ardhurat gjatë vitit 2020 arritën në 1,2 miliardë dollarë amerikan.

 

Ajo që e dallon Netflix është se ofron transmetimin online të një numri të pafund të shfaqjeve televizive, filmave, shfaqjeve të komedianëve, dhe kohëve të fundit edhe prodhimit gjithnjë e më të madh të filmave dhe serive origjinale. Netflix dallohet edhe për një sistem tejet të suksesshëm të rekomandimeve në bazë të shijeve të përdoruesve. Po ashtu, për çdo abonim mund të krijohen deri në pesë profile të përdoruesve, në mënyrë që shërbimi i ofruar të jetë sa më specifik për të gjithë anëtarët e familjes, apo edhe shokëve.

 

Duke qenë se Netflix jo vetëm që ishte kompania e parë që filloi të ofronte shërbime online, por për një kohë të konsiderueshme edhe e vetmja, nuk është ndonjë befasi se ajo vazhdon të mos ketë ndonjë konkurrent të denjë. Rrjedhimisht, pasuria e përmbajtjes së bashku me numrin gjithnjë e në rritje të prodhimeve origjinale të Netflix, vazhdojnë ta bëjnë Netflix zgjedhjen numrin një, kur bëhet fjala për shërbimet streaming.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE