NGJARJET KLIMATIKE QË E SHËNUAN VITIN 2020

 

Ndonëse pandemia është ngjarja që në çdo aspekt e shënoi vitin 2020, s’do mend që ne nuk mundemi dhe as nuk duhet t’i harrojmë ndryshimet klimatike gjegjësisht ngrohjen globale dhe pasojat shkatërrimtare të shkaktuara nga këto ndryshime. Në vijim mund të lexoni për disa prej ngjarjeve kryesore klimatike të cilat e shënuan vitin që e lamë pas.

 

Zjarret e pyjeve

A ju kujtohet janari dhe kulmi i sezonit të zjarreve të pyjeve në Australi? Pas gjithë peripecive të vitit të shkuar, duket paksa e pabesueshme që edhe kjo ngjarje e rëndësishme ndodhi në vitin 2020.

 

Pas vitit 2019, i cili u quajt “viti i djegies së pyjeve të shiut”, trendi i njëjtë vazhdoi edhe gjatë vitit 2020, dhe shumë studime e kanë treguar lidhjen në mes të ndryshimeve klimatike dhe kushteve të përshtatshme për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve të pyjeve, si në Australi ashtu edhe në pjesën tjetër të botës.

 

Krahas Australisë, gjatë vitit 2020, zjarre të mëdha u shënuan edhe në Siberi, Amazonë, dhe ligatinën më të madhe në botë Pantanatal. Njëkohësisht, edhe bregdeti perëndimor i SHBA-ve u përball me një prej zjarreve më të mëdha në histori.

 

Stuhitë e fuqishme

Tash e sa vite, shkencëtarët janë duke paralajmëruar se ngrohja e planetit tonë do të përcillet me forcimin e stuhive shkatërruese tropikale, të cilat godasin pjesë të ndryshme të botës, dhe gjatë vitit 2020 kjo ishte më se e qartë.

 

Sezoni i uraganeve gjatë vitit 2020 u shënua nga disa kuriozitete, në mesin e të cilave ishin dy uraganet, Mark dhe Laura, të cilat i goditën brigjet e SHBA-ve në më pak se 48 orë. Një kuriozitet tjetër është se për shkak të numrit të madh të këtyre stuhive që ndodhën, u përdorën të gjithë emrat nga lista e emrave për uraganet dhe më pas u përdorën emrat nga alfabeti grek (Alfa, Beta, Gama, etj.). Lista e emrave të uraganeve në çdo sezon përcaktohet nga Organizata Botërore e Meteorologjisë. Më shumë informacione për emërtimin e stuhive tropikale mund të gjeni këtu.

 

Temperaturat jashtëzakonisht të larta në arktik

Mbetet që të shihet nëse viti 2020 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar. Mirëpo, ajo që është regjistruar për sa i përket temperaturave ekstreme janë temperaturat jashtëzakonisht të larta të cilat u regjistruan në mbarë Arktikun.

 

Nga vala jashtëzakonisht e ngrohtë që e goditi Siberinë gjatë muajit maj, e deri te shkrirja e dytë më e madhe e akullnajave në Oqeanin e Ngrirë Verior të regjistruar ndonjëherë, dhe më pas krijimit më të vonë të akullit në Detin Laptev, është e qartë se veriu i planetit tonë është në rrugë drejt ndryshimeve të pakthyeshme. Teksa njerëzit do të mund të përshtaten me këto ndryshime, speciet e bimëve dhe kafshëve të ndryshme nuk do ta gëzojnë fatin e njëjtë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE