Që në moshë të vogël, Orgesa Zaimi e dinte se muzika ishte thirrja e saj. E rritur në një shtëpi ku tingujt e fizarmonikës së babait të saj e mbushnin hapësirën, ajo e zbuloi dashurinë për këngën kur ishte vetëm gjashtë vjeçe, kur e fitoi çmimin e saj të parë në një festival për fëmijë. Që atëherë, ajo e ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në skenën muzikore shqiptare, duke i qëndruar besnike pasionit të saj për rock-un, ndërsa ka eksperimentuar edhe me muzikën pop dhe ndikime të tjera. Përveç zërit të fuqishëm dhe energjisë që e sjell në skenë, Orgesa njihet për autenticitetin dhe këmbënguljen e saj në një industri që shpesh i vlerëson tendencat mbi talentin. Në këtë intervistë ekskluzive, ajo na rrëfen për rrugëtimin e saj artistik, sfidat e të qenit vetvetja dhe pasionin që e shtyn gjithmonë përpara.
A mund të na tregoni për fillimet tuaja në muzikë dhe çfarë ju inspiroi të ndiqni një karrierë në botën e artit?
Fillimet e mia që nga fëmijëria e hershme i mbaj mend krejtësisht të lidhura me muzikën. Në shtëpinë time im at luante fizarmonikë, tingujt më të dashur për mua dhe kështu besoj u formësua edhe e ardhmja ime ose më saktë, ajo thirrja që më erdhi qysh në vitet e para të jetës sime! Ndërsa, hera e parë që e sprovova veten si këngëtare ka qenë në moshën gjashtë vjeçare, kur me një kompozim të tim ati e fitova çmimin e parë në Festivalin e Fëmijëve.
Si do ta përshkruanit stilin tuaj muzikor dhe si ka evoluar ai gjatë viteve?
Unë jam adhuruese e përjetshme e muzikës rock, e cila ndër vite është zhvilluar në Pop Rock apo Rokënrol, ndonëse unë i këndoj të gjitha zhanret, madje edhe muzikën popullore. Mirëpo, nëse do të zgjidhja do të këndoja përgjithmonë Rok.
Cili ka qenë aspekti më sfidues i udhëtimit tuaj në industrinë e muzikës deri tani?
Meritokracia! Lëndohesh vazhdimisht kur një këngëtar këndon ‘live’ për disa orë dhe dikush tjetër tridhjetë minuta me ‘playback’ (CD) merr më shumë të ardhura dhe ka më shumë popullaritet. Prandaj, kam pasur vazhdimisht pasiguri në vazhdimin e këtij profesioni, por mund të them që kam qëndruar e fortë.
Keni bashkëpunuar me disa artistë. A mund të ndani bashkëpunimin tuaj më të suksesshëm dhe çfarë e bëri atë të veçantë?
Deri tani kam bashkëpunuar vetëm me dy miket e mia Ronela Hajati dhe Kamela Islamaj dhe kanë qenë dy këngë pjesëmarrëse në dy festivale të rëndësishme. Të ndash skenën me shoqe është gjithmonë kënaqësi dhe qejf. Mirëpo, bashkëpunimet më të dashura për mua kanë qenë të kënduarit e këngëve të kompozuara nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku. Ato janë kujtimet më të vyera për mua sidomos për nivelin artistik në të cilin më kanë çuar.
Çfarë mesazhi shpresoni të përcillni përmes muzikës tuaj për audiencën tuaj?
Shpresoj që këngët e mia t’i frymëzojnë ose t’i bëjnë njerëzit të ndihen mirë. Ne jemi përcjellës emocionesh dhe historish. Muzika ka ndikim të tillë dhe ky është emocion i papërshkrueshëm.
A mund të ndani një përvojë ose moment në karrierën tuaj që e pati një ndikim të rëndësishëm në ju, qoftë personalisht apo profesionalisht?
Në vitin 2019 kur unë mora pjese në festivalin Kënga Magjike, me këngën ‘Verën ku ma le’ e kam përjetuar një përzierje emocionesh dhe ndodhish. Askush nuk e parashikon dot një hit! As ata që e krijojnë, e as ata që e interpretojnë. Ta bëja për vete sallën e Pallatit të Kongreseve me atë këngë ka qenë deri tani një nga përvojat më të paharruara për mua.
Si e balanconi vizionin tuaj krijues me kërkesat komerciale të industrisë së muzikës?
Përpiqem të përshtatem me dëshirat e audiencës apo trendët e momentit, por në përputhje me çfarë unë dua dhe jam. Sepse, në fund të ditës unë s’ dua të dal nga zona ime e rehatisë.
Çfarë roli luajnë mediat sociale dhe platformat digjitale në karrierën tuaj, dhe si angazhoheni me fansat tuaj online?
Jam munduar të jem sa më aktive për t’i shërbyer karrierës sime. Jam aktive dhe shpresoj argëtuese në Istagram apo Tik Tok ku e shoh se e kam edhe një bazë të fansave mjaft interesant, duke shpresuar në ngritjen e profilit tim dhe me synimin që të eci në hap me kohën.
Çfarë këshille do t’iu jepnit muzikantëve të rinj që ju shikojnë dhe duan të ndjekin hapat tuaj?
Këshilla më e vyer është që të shkollohen, të diplomohen për të qenë sa më të aftë në punën e tyre dhe mos të heqin dorë kurrë nga ëndrra e tyre dhe ta ushqejnë vazhdimisht pasionin që e kanë.
Nëse do të mund të bashkëpunonit me cilindo artist, të vdekur ose të gjallë, kush do të ishte dhe pse?
Në ëndrrat e mia unë këndoj me Freddie Mercury, pasi që ai është një nga frymëzimet e mia më të mëdha. Ai është shumëdimensional dhe unik në artin e tij dhe të grupit Queen, zëri i tij do të ngelet i përjetshëm!
Nëse nuk do të ishit muzikante, cilën karrierë tjetër mendoni se do të kishit ndjekur?
Duke qenë se unë jam diplomuar për gjuhë dhe letërsi e kam mundësinë që të jem një mësuese një ditë. Një profesion që nuk e kam ushtruar, por nuk e shoh asnjë arsye apo pengesë pse mos ta bëj nëse do të më duhej një ditë.
A keni ndonjë ritual ose besëtytni që e respektoni para se të dilni në skenë?
Unë gjithmonë i bëj ushtrimet e ngrohjes së zërit përpara daljes në skenë dhe kush më njeh dhe ka punuar me mua e di që janë pak të zhurmshme dhe disi qesharake, por gjithsesi unë s’ dal asnjëherë në skenë pa e ngrohur zërin.
Cila është gjëja më qesharake që ju ka ndodhur gjatë një performance?
Ka pasur plot raste kur kam rrëshqitur prej takave të larta, të cilat i urrej, por skena i do.
Nëse do të mund të darkonit me tre njerëz, të gjallë apo të vdekur, kush do të ishin ata dhe pse?
Një darkë ëndrrash për mua do të ishte me Freddie Mercury, Janis Joplin dhe David Bowie. Një super trio frymëzuese për mua.
Cila është një gjë që fansat tuaj do të befasoheshin të mësonin për ju?
Askush nuk është i përsosur, andaj si të gjithë të tjerët edhe unë kam ditë që pezmatohem rrëzohem, pasi që jo çdo gjë që shkëlqen është flori.
Nëse do të mund të dëgjonit vetëm një këngë për pjesën tjetër të jetës suaj, cila do të ishte ajo dhe pse?
Nëse do të dëgjoja së fundmi një këngë pandërprerë do të ishte ‘Die With a Smile’ nga Lady Gaga dhe Bruno Mars, sepse ajo ma kujton një muzikë që s’ ka mbarim dhe që s’ të lodh kurrë.
Nëse do të mund të hanit vetëm një ushqim për pjesën tjetër të jetës suaj, cili do të ishte ai dhe pse?
Unë jam adhuruesja më e madhe e orizit pa marrë parasysh mënyrën se si është gatuar. Mirëpo, nëse do të duhej të bëja një zgjedhje të tillë do të ishte sushi ose risoto.
Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?
Qëndroni të vërtetë vetes tuaj deri në fund të jetës!