Për këtë edicion të tetorit e kemi përgatitur një listë të pajisjeve elektronike për klasa. Sidoqoftë, të gjitha që janë në listë mund të përdoren edhe në jetën e përditshme, jo vetëm në shkollë. Dikujt i shërbejnë si një mënyrë shtesë e të mësuarit, e dikujt tjetër për punë në zyrë, e dikujt tjetër për kohë të lirë cilësore.
Kamerë për mikroskop
Kamerat për mikroskop përmbajnë softuer të avancuar për mikroskop. Kamerat e tilla kapin video dhe foto me rezolucion të lartë në kohë reale pa pasur nevojë për pajisje shtesë. Kamera gjithashtu i tregon me saktësi imazhet e mostrave në ekran të kompjuterit dhe është e lehtë për përdorim – thjesht lidheni njërin skaj në portën USB 2.0 të kompjuterit dhe tjetrin skaj në portin në mikroskop ose tubin për sy. Përveç se mund ta ndani videon drejtpërdrejt, softueri me shumë qëllime mundëson që regjistrimet të redaktohen, dosjet të ruhen në formate të ndryshme – si dhe të bëhen matje të ndryshme.
Gjeneratori elektrik
Gjeneratori elektrik është makinë elektrike rrotulluese që e shndërron energjinë mekanike në energji elektrike. Parimi themelor është që rryma elektrike të induktohet në përçues të mbyllur të vendosur në fushë magnetike alternative. Pjesa rrotulluese, ashtu si te motorët elektrikë, quhet ‘rotor’, dhe pjesa fikse quhet ‘stator’. Rotori rrotullohet nga një motor. Burime të energjisë mekanike më së shpeshti janë turbinat e ujit dhe të avullit. Ky lloj gjeneratori është një mënyrë e shkëlqyeshme për ta prezantuar funksionimin e kësaj makine, sepse krijon shkëndija të mëdha elektrike statike me ndihmën e një doreze. Fikni dritat dhe do të shihni se si rryma lëviz nëpër pjesë të ndryshme të makinës.
Lapsi 3D
Lapsi 3D punon në parim të ngjashëm si printeri 3D. Është pajisje për vizatim tre-dimensional me plastikë. Me prekjen e një butoni, në pak sekonda mund të krijohen objekte të ndryshme nga plastika e hollë. Ky laps e nxehë plastikën me ngjyrë dhe e shkrinë shpejt, dhe gjatë shkrimit plastika ftohet dhe kështu mundësohet krijimi i strukturave dhe formave 3D të forta, të vetë qëndrueshme. Përveç lapsit, njëjtë sikurse me printerët 3D, do t’ju duhen fije plastike që janë në dispozicion në shumë ngjyra.
Printeri 3D
Printeri 3D i shndërron objektet digjitale 3D në modele fizike përmes procesit të Prodhimit Aditiv. Kjo mënyrë e prodhimit e nënkupton ndërtimin e objekteve duke
shtruar shtresa të imëta të materialit njëra mbi tjetrën. Ekzistojnë teknologji të ndryshme me të cilat funksionon, dhe më të zakonshmet janë: Printerët Inkjet 3D, të cilët janë më të avancuar se printerët e zakonshëm Inkjet. Objekti krijohet duke shtuar gjips ose rrëshirë përmes inkjet. Kjo është gjithashtu mënyra e vetme për printim 3D me ngjyra. Modelimi i Depozitimit të Fuzionuar (FDM) përdorë plastikën e shkrirë si material modelimi. Kjo është aktualisht metoda më e zakonshme e printimit 3D.
A
Tabela e bardhë interaktive e kthen dërrasën e zezë shkollore tradicionale në një pajisje interaktive për mësimdhënie dhe prezantim. Lapsi elektronik e kontrollon miun në kompjuter, vetë kompjuterin, aplikacionet, por gjithashtu i redakton imazhet në bord. Shkrimi është i mundur vetëm me një gisht. Më vonë mund ta ruani ose modifikoni imazhin në tabelë. Sidoqoftë, tabela e tillë nuk i ka për destinacion vetëm shkollat, por edhe fakultetet, kopshtet, kompanitë dhe të gjithë ata që duan ta përdorin. Të kujtojmë se tabelat e bardha interaktive ishin pjesë e donacionit të KFOR-it për shkollat në Shtërpcë.