PAMJE E KETSKILL–VJESHTË E HERSHME NGA TOMAS KOULL

 

Shumë adhurues të artit e njohin kryeveprën e Tomas Koull (Thomas Cole) Pamje e Ketskill–Vjeshtë e Hershme (View on the Catskill—Early Autumn), por ajo që shumica nuk e dinë është që kjo skenë idili është në fakt pamja nga ballkoni i shtëpisë së piktorit në Ketskill (Catskill), Nju Jork. Ishte ky vend special vetëm dy orë në veri të qytetit të Nju Jorkut që rezultoi si muza e përsosur për Tomas Koull.

 

Pamje e Ketskill elegji e një peizazhi të humbur

Tomas Koull e ndërmori udhëtimin e tij të parë përpjetë rrjedhës së Lumit Hadson nga qyteti i Nju Jorkut drejt fshatit Ketskill në vitin 1825, dhe menjëherë u dashura me peizazhet e egra të Luginës së Lumit Hadson dhe Maleve Ketskill. Në një letër që ia dërgoi një mikut të tij në vitin 1826, Koull shkruan: “Tani jam në fshatin Ketskill me qëllim që ta kalojë verën këtu… i tërhequr nga zhurma dhe tollovia e qytetit dhe i rrethuar nga bukuritë e Natyrës.”

 

Janë të shumtë ata që e konsiderojnë kryeveprën e tij Pamje e Ketskill si një lloj elegjie për një peizazh që ishte zhdukur kur ai e përfundoi këtë pikturë. Koull më pas e pikturoi edhe një pikturë tjetër me emrin Lumi në Ketskill (River in the Catskill), në të cilën ai e paraqet shkatërrimin e shkaktuar nga ndërtimi i Hekurudhës së Kanaxhohari dhe Ketskill (Canajoharie dhe Catskill) në vitin 1836.

 

Lumi në Ketskill kundrejt Pamje e Ketskill 

Në sfondin e pikturës Lumi në Ketskill shihet ura e hekurudhës që e përshkon peizazhin që dikur ishte paqësor dhe një lokomotivë me avull teksa kalon mbi lumë. Druri i panjës në anën e majtë të planit të parë te Pamje e Ketskill, tani është prerë dhe është veçse një cung, përderisa drunjtë që e kufizojnë pikturën në të djathtë janë zhdukur plotësisht. Pjesa më e madhe e pyllit të dendur tani është kthyer në kullosë. Në planin e parë një njeri me sëpatë në dorë e shikon skenën i rrethuar nga degët e një druri të sapo prerë.

Tomas Koull dhe Shkolla e Lumit Hadson (Hudson River School)

Tomas Koull ishte një piktor Anglo-Amerikan i njohur për pikturat e tij historike dhe të peizazheve. Ai konsiderohet si themeluesi i Shkollës së Lumit Hadson, lëvizjes artistike amerikane, e cila lulëzoi në mesin e shekullit të 19-të. Veprat e Koull njihen për portretizimin romantik të natyrës së egër të Amerikës. Pikturat e tij madhështore të peizazheve gjenden në muze dhe galeri kudo duke filluar nga Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork (ku edhe gjendet Pamje e Ketskill-Vjeshtë e Hershme) e deri te Muzeu i Luvrit në Paris.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE