PLATFORMA TRI-GJUHËSORE SI NJË MJET DIALOGU NDËRMJET KOMUNITETEVE: ZBULONI SE KUSH JANË THEMELUESIT E MIRËBESIMIT!

Diversiteti dhe toleranca janë çelësi për ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve. Nga ana tjetër, dialogu i vërtetë ndëretnik shpesh zhvillohet larg syve të publikut dhe mediave. Sidoqoftë, rrjetet sociale dhe interneti e kanë bërë të mundur që të ketë hapësirë për informata që janë të rëndësishme, dhe të cilat jo gjithnjë arrijnë në titujt e mediave.

 

Një hapësirë e tillë në internet është Platforma e Ndërtimit të Mirëbesimit në Kosovë, e cila i promovon iniciativat dhe përpjekjet e organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, si dhe politikat dhe veprimet institucionale për ta avancuar ndërtimin e mirëbesimit në Kosovë. Platforma është në dispozicion në shqip, serbisht dhe anglisht, dhe e monitoron zbatimin e 135 rekomandimeve të pjesëmarrësve nga Forumi i Ndërtimit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe më shumë se 400 nismave dhe 320 aktorëve.

 

Çka mund të gjeni konkretisht në këtë platformë? Informata të dobishme për thirrjet e hapura për financim dhe punësim, si dhe raporte të rëndësishme, ngjarje të ardhshme në Kosovë, lajme, video dhe bllogje, dhe ju mund të kontribuoni vetë përmes seksionit “Si mund të kontribuoj”, ku qytetarët, organizatat ose institucionet mund të ndajnë informata lidhur me projektet, thirrjet e hapura, ngjarjet kalendarike, raportet dhe tregimet për ndërtimin e mirëbesimit.

 

Si filloi e gjithë kjo? “Ideja e Platformës së Ndërtimit të Mirëbesimit u zhvillua në të vërtetë në Forumin e Ndërtimit të Mirëbesimit të mbajtur në Lubjanë në maj 2018, dhe u jetësua falë punës së zellshme të Nismës së Re Sociale (NSI), UNMIK, si dhe organizatës ‘Fundacion Ciudadania Inteligente’ dhe ‘Mint22’, dhe ideja është që kjo platformë të vazhdojë të zhvillohet tutje me kontributin e të gjithë atyre që punojnë në ndërtimin e mirëbesimit në Kosovë”, shpjegon Drejtoresha Ekzekutive e NSI, Jovana Radosavleviq për Revistën “For you”.

 

Deri sa arritët në këtë pjesë të tekstit me siguri se e bëtë një kërkim për platformën në internet dhe në rrjetet sociale, ku përveç informatave të lartpërmendura, gjetët edhe një numër të mesazheve frymëzuese nga individë, pra “kampionë të KTB”. Lansimi zyrtar i platformës ishte planifikuar për në mes të marsit, por u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Prandaj zyrtarisht u lansua në internet, dhe NSI përgatiti një larmi përmbajtjesh që ishte pjesë e kësaj fushate. “Kështu vendosëm për fushatën ‘Zërat e Kampionëve’, e cila kishte për qëllim të paraqiste individë që shquhen për punën e tyre, dhe që ta tregojmë numrin e tyre, diversitetin, por edhe që t’u japim mirënjohje”, shton Radosavleviq. Mesazhet janë publikuar nga mbi njëqind persona frymëzues, me larmi në moshë, kombësi, gjini ose sektor në të cilin punojnë dhe që janë pjesë e fushatës së përmendur, të cilat mund të shihen përmes llogarisë @trustbuildingks në mediat sociale.

 

Për më tepër, disa figura të shquara në Kosovë kontribuuan në fushatën e ndërtimit të mirëbesimit duke i shprehur pikëpamjet e tyre në artikuj. Kjo fushatë ndërkohë mbaroi, por NSI më pas filloi një të re – Takoni Ndërtuesit e Mirëbesimit të Kosovës (Meet Kosovo Trustbuilders), e cila synon të promovojë organizata, institucione dhe shoqata dhe t’u japë atyre mirënjohjen që e meritojnë. Platforma për ndërtimin e mirëbesimit ka arritur të bëhet një markë e njohur në kohë të shkurtër, me prani të vazhdueshme në mediat sociale. Faqja në Facebook ndiqet nga ë shumë se 1.530 persona dhe ky numër po rritet. Radosavleviq thekson si një nga sukseset më të rëndësishme që individët dhe organizatat e njohin Platformën si një hapësirë të rëndësishme dhe një mjet të dobishëm që do t’i frymëzojë, informojë dhe ndihmojë ata në punën e tyre. “Suksesi jonë është që individët dhe organizatat të lajmërohen vet me ide, informata dhe nominime për të cilat ata mendojnë se duhet të gjenden në Platformë”, thotë ai.

 

Në fund të bisedës, e pyetëm bashkëbiseduesen tonë, duke pasur parasysh përvojën e saj të mëparshme në punën e Platformës, se çka është e nevojshme për ta ndërtuar mirëbesimin? Ndryshimi i diskursit publik dhe krijimi i hapësirës për tregime të cilat nuk janë në titujt e mediave, por meritojnë të jenë, është vetëm një pjesë e përgjigjes së saj: “Ne vetë duhet të jemi iniciatorët e ndryshimit pozitiv, dhe të mos heqim dorë”.

 

ZËRAT E KAMPIONËVE
“Vetëm përmes komunikimit të hapur dhe të sinqertë mund t’i rrënojmë barrierat dhe urat që ekzistojnë midis nesh. Të flasim pa shumë arsye! Të flasim hapur për gjithçka!”- mesazhi i gazetares së RTK2, Marija Stanojkoviq. “Ndërtimi i besimit është si një ndeshje sportive. Ju duhet t’i besoni ekipit tuaj për të pasur sukses. Për të fituar, duhet të keni besim te bashkëlojtarët. Unë besoj fuqishëm se, herët a vonë, ne do t’i besojmë njëri-tjetrit dhe ‘do të luajmë’ (jetojmë) bashkë” – është mesazhi i arsimtarit të gjuhës serbe dhe shqipe, Lulzim Hakaj.

 

Ndiqeni Platformën në: https://www.kosovotrustbuilding.com; https://www.facebook.com/trustbuildingks; https://www.instagram. com/trustbuildingks.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE