PORTA E BRANDENBURGUT, BERLIN

 

Porta e Brandenburgut (gjermanisht Brandenburger Tor) është porta e triumfit, dhe simboli i Berlinit – kryeqytetit të Gjermanisë. Ajo gjendet në Sheshin e Parisit (gjermanisht Pariser Platz) dhe është e vetmja portë e mbetur nga një seri e portave-hyrjeve të tilla, të cilat u ndërtuan gjatë gjysmës së parë të shekullit të XVIII në Berlin.

 

Nga njëra anë e saj gjendet ndërtesa e Rajhstagut (Reichstag), gjegjësisht Parlamentit Federal Gjerman (Bundestag), kurse nga ana tjetër gjendet Qendra Përkujtimore Evropiane për hebrenjtë e vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo portë është hyrja e rrugës monumentale të rinovuar Unter den Linden, një bulevard me blinj, i cili të çon në Pallatin e Qytetit të monarkëve të Prusisë.

 

Në kohën e Frederik Uilliamit të I, (1688), menjëherë pas Luftës Tridhjetëvjeçare dhe një shekull përpara se të ndërtohej Porta e Brandenburgut, Berlini ishte një qytet i vogël i rrethuar me mure brenda një fortese yll, e cila i kishte disa porta të emëruara: Spandauer Tor, St. Georgen Tor, Stralower Tor, Cöpenicker Tor, Neues Tor, dhe Leipziger Tor. Paqja relative, toleranca fetare dhe statusi i kryeqytetit të Prusisë e ndihmuan rritjen e qytetit të Berlinit.

 

Porta e Brandenburgut nuk ishte pjesë e Fortesës së Berlinit, por një prej tetëmbëdhjetë portave të Murit të Doganës së Berlinit (gjermanisht: Akzisemauer), i cili u ndërtua në vitet 1730 rreth qytetit të vjetër të fortifikuar dhe shumë prej periferive të tij.

 

Urdhrin për ndërtimin e portës së re të Brandenburgut e dha Mbreti i Prusisë, Frederik Uilliami i II (Frederick William II) si simbol të paqes, pas rikthimit të rregullit gjatë Revolucionit Batavian. Ajo u dizajnua nga Carl Gotthard Langhans, kurse ndërtimi i saj u krye nga viti 1788 deri në vitin 1791. Ajo u ndërtua në vendin e njëjtë ku dikur në murin e doganës qëndronte porta origjinale me kasollet e rojeve anash. Emri i saj lidhet me faktin që aty ishte fillimi i rrugës nga Berlini drejt qytezës së Brandenburg an der Havel, që ishte kryeqyteti i Margraviatit të Brandenburgut.

 

Ky monument historik është ndërtuar sipas modelit të Portës së Propiles në hyrje të Akropolit të Athinës dhe si i tillë i ka 12 kolona dorike të radhitura në dy radhë me nga gjashtë kolona, të cilat i krijojnë pesë shtigje të hyrjes. Qytetarët e thjeshtë dikur lejoheshin që të përdornin vetëm dy hyrjet më të skajshme në secilën anë. Vetëm familja mbretërore si dhe anëtarët e familjes Pfuel, nga viti 1814 deri në vitin 1919, lejoheshin që të përdornin harkun e mesëm. Nën këtë hark mund të kalonin vetëm njëherë edhe karrocat e ambasadorëve kur ata vinin për t’i dorëzuar kredencialet e tyre.

 

Në majën e Portës së Brandenburgut gjendet një skulpturë e një kuadrige, gjegjësisht një karroce të tërhequr nga katër kuaj, e cila vozitet nga Viktoria (Victoria) perëndesha romake e fitores. Kjo skulpturë është punuar nga Johann Gottfried Schadow.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE