PSE HAPIM ME GOJË?

 

Ekzistojnë shumë arsye pse hapim me gojë. Ndoshta e keni vërejtur që shpesh ju hapni me gojë kur i shihni të tjerët duke hapur me gojë. Po ashtu, kur bisedoni ose lexoni për hapjen me gojë, gjasat janë që do të ndjeni nevojën e shtuar për të hapur edhe ju me gojë. Kjo është tërësisht e natyrshme.

 

A ju intereson që të mësoni pak më shumë për teoritë e ndryshme se përse hapim me gojë? A mund t’i rezistoni tundimit që të hapni me gojë teksa e lexoni këtë tekst? Në vijim mund t’i lexoni disa shpjegime se pse hapim me gojë.

 

Cilat janë teoritë për shkaktarët e hapjes me gojë?

Deri tani, mungesa e oksigjenit në trup ka qenë ‘fajtori’ kryesor për hapjen me gojë. Logjikisht – kur e hapim gojën, trupi absorbon më shumë oksigjen. Mirëpo, kjo teori është vënë në dyshim, pasi që edhe fetuset hapi me gojë, ndonëse ata nuk thithin ajër përmes mushkërive. Prandaj, ka më pak gjasa që ne hapim me gojë për shkak të mungesës së oksigjenit në trup.

 

Një tjetër shpjegim për hapjen me gojë është që shërben për të shtriqur muskujt e fytyrës. Ashtu siç ka rëndësi që në mëngjes të shtriqim trupin për ta aktivizuar për ditën para nesh, hapja me gojë po ashtu ndihmon në aktivizimin e muskujve të fytyrës.

 

A ju ndodh që të hapni me gojë edhe kur nuk jeni të lodhur?

Hapja me gojë, zakonisht zgjat 6 sekonda. Mirëpo, ajo nuk ndodh vetëm kur jemi të lodhur. Nëse truri nuk stimulohet ai fillon të mërzitet. Kjo e rrit temperaturën e trurit, gjë që mund të rezultojë në shtimin e nevojës për të hapur me gojë.

 

A ka lidhje në mes të migrenës dhe hapjes me gojë?

Nëse vuani nga migrena, gjasat janë që të kenë tendencë më të madhe për të hapur me gojë. Gjatë sulmeve të migrenës vjen deri te grumbullimi i gjakut në tru, gjë që e rrit nevojën për ftohjen e trurit, dhe rrjedhimisht edhe hapjes me gojë.

 

Pse ftohet truri gjatë hapjes me gojë?

Një nga teoritë më të reja, thekson që ne hapim me gojë për ta ftohur trurin. Kur hapim me gojë, ne e shtojmë shpejtësinë e rrahjeve të zemrës, dhe kjo ndihmon në ftohjen e trurit. Kjo teori është mbështetur nga një studim që e ka vërtetuar që njerëzit hapin me gojë më pak gjatë dimrit se sa gjatë verës. Rrjedhimisht, kur rriten temperaturat, automatikisht do të keni tendencë më të madhe për të haur me gojë.

 

Pse është hapja me gojë infektuese?

Buzëqeshja është infektuese. Sigurisht ju ka ndodhur që keni filluar të hapni me gojë pasi i keni parë të tjerët duke e bërë këtë. Ekzistojnë teori të ndryshe për atë se pse është infektuese hapja me gojë. Një nga shpjegimet ndërlidhet me instinktin themelor njerëzor që ‘tufa’ duhet të ketë bioritmin e njëjtë. Një shpjegim tjetër është që hapja me gojë është shprehje e empatisë, bashkë ndjenjës.

 

Në këtë rast, një fakt interesant është që ‘shkaktari’ i hapjes suaj me gojë ndryshon. Nëse jeni bashkë me familjen, shokët, apo kolegët, gjasat për të hapur me gojë janë më të mëdha se sa kur një i panjohur hap me gojë afër jush. Fëmijët nën moshën gjashtë vjeçare, po ashtu kanë më pak gjasa që të hapin me gojë pasi t’i shohin të rriturit që hapin me gojë. Kjo ndërlidhet me faktin që fëmijët e kësaj moshe ende nuk e kanë të zhvilluar ndjenjën e empatisë, ndjenjë që do ta mësojnë vetëm më vonë në jetë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE