PSE JANË TË VERDHË PERSONAZHET E FILMAVE TË ANIMUAR?

 

Filmat e vizatuar si The Simpsons, Pokemon, Minions, Sponge Bob dhe shumë të tjerë e kanë të gjithë një gjë të përbashkët – ngjyrën e VERDHË! Kjo ngjyrë ka qenë zgjedhja e preferuar e animuesve që kur filluan të prodhoheshin filmat e animuar me ngjyra, dhe me sa duket kjo ngjyrë nuk është zgjedhja e tyre vetëm sepse duket bukur.

 

Në fakt për ta shpjeguar këtë trend duhet një kombinim në mes të teorisë së artit dhe psikologjisë.

 

Për shembull, në rastin e filmit Sponge Bob pjesa më e madhe e prapavijës është në ngjyrë të kaltër për të krijuar idenë e ujit të oqeanit, që është ambienti dominues i këtij filmi. Sipas shkallës së ngjyrave RGB (Red Green Blue – Kuq Gjelbër Kaltër), e cila përdoret në ekranet televizive, ngjyra e kaltër është në kontrast të drejtpërdrejt me të verdhën. Për këtë arsye zgjedhja më tërheqëse vizualisht për personazhin kryesor ishte e verdha. Kjo teori është e zbatueshme edhe kur ngjarjet zhvillohen në tokë, gjegjësisht kur në prapavijë është ngjyra e kaltër e qiellit.

 

Krahas këtij shpjegimi në bazë të teorisë së ngjyrave, trendi i ngjyrosjes së personazheve të filmave të animuar me ngjyrën e verdhë e ka edhe një shpjegim psikologjik. Ngjyra e verdhë shpesh ndërlidhet me ndjenjën e lumturisë, të qenit lozonjar dhe ngrohtësisë – të gjitha këto tipare të personazheve të animuara.

 

Pastaj, përdorimi i ngjyrës së verdhë është edhe një mënyrë shumë efektive për të kapur vëmendjen e dikujt. Kjo edhe është arsyeja pse krijuesit e serisë The Simpsons e zgjodhën ngjyrën e verdhë në vend të një toni më natyral për lëkurën e personazheve të tyre. Ata erdhën në përfundimin që nuanca e verdhë do të dallohej menjëherë nga shikuesit gjatë ndërrimit të kanaleve teksa kërkojnë për të zgjedhur çka të shohin në TV. Madje, cilësitë e tërheqjes së shikimeve që i ka e verdha janë edhe një arsye pse ajo mbizotëron edhe në shumicën e reklamave të restaurenteve.

 

Kështu pra, siç e shihni nuk është një rastësi që aq shumë personazhe të filmave të animuar janë të verdhë. Herën tjetër që e shikoni ndonjë prej tyre mendoni për këto shpjegime dhe tentoni që t’i provoni nëse ato janë të sakta.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE