QERSHIA JAPONEZE – SIMBOLI I LUMTURISË, BUKURISË, SUKSESIT DHE NDERIT

 

Askush nuk mund të mbetet indiferent ndaj bukurisë së lulëzimit të luleve të qershisë në mbarë Japoninë. Pamja e tyre është aq përthithëse sa që kur i sheh të duket sikur ke kaluar në një dimension tjetër paralel, ku ekziston vetëm një stinë e vitit – pranvera magjike. Në Japoni ky dru kaq i bukur quhet “Sakura”.

 

Nuk është për t’u habitur që simbolika e këtij druri është e lidhur me bukurinë e femrës, si dhe me jetën e samurajëve. Janë të shumta arsyet pse turistët e vizitojnë Japoninë dhe njihen me këtë kulturë unike. Mirëpo, padyshim kujtimet më të mira u mbesin atyre që e përjetojnë beharin e pranverës në Japoni dhe me këtë rast arrijnë t’i vizitojnë festivalet tradicionale japoneze, të cilat e festojnë lulëzimin e qershive.

 

Qershia japoneze (Prunus serrulata) është një dru gjetherënës me origjinë nga Japonia, Kina dhe Koreja. Në botë ajo njihet edhe me emrat Qershia Aziatike ose Orientale. Ajo është jashtëzakonisht e çmuar për shkak të lulëzimit të bollshëm dhe formacioneve të saj spektakolare të cilat i krijon në formën e reve të luleve. Ajo arrin gjatësi tetë deri në 12 metra, mirëpo me krasitje mund të rregullohet që të jetë edhe më e vogël. Është shumë e qëndrueshme dhe gjethet e saj janë të ngjashme me qershinë e zakonshme, mirëpo me ngjyrë më të errët.

 

Përndryshe ky dru mbillet vetëm për qëllime dekorative pasi që nuk ka ndonjë fryt me vlera ushqyese, ndonëse disa varietete të saj e prodhojnë qershi me ngjyrë të errët. Ai mund të mbillet i vetëm, në rend apo në grupe dhe është një dru jashtëzakonisht atraktiv gjatë tërë vitit.  Në pranverë, përpara se të çelë behari, trungu mbushet plot me lule me aromë trëndafili, më pas e formon kurorën e dendur me gjethe të gjelbra të errëta, kurse në vjeshtë merr tone të ngjyrave portokalli, të verdhë, dhe të kuqe.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE