QYTETI ANTIK I PETRËS

 

Qyteti antik i Petrës, arabisht Batra, ishte qendra e një mbretërie arabe gjatë periudhës helene dhe romake, rrënojat e të cilit gjenden në jugperëndim të Jordanisë së sotme. Qyteti është ndërtuar në një tarracë, e cila përshkohet nga lindja drejt perëndimit nga e ashtuquajtura Wadi Musa (Lugina e Moisiut) – një nga vendet ku sipas traditës, prijësi izraelit Moisiu e goditi një gur dhe nga ai shpërtheu uji. Kjo luginë është e rrethuar me gurë ranor me ngjyrë të kuqe dhe vjollcë, dhe për këtë arsye, në shekullin e 19-të studiuesi biblik anglez John William Burgon e quajti Petrën “qyteti i kuq si trëndafili, i vjetër sa gjysma e Kohës.” Qyteti modern i Wadi Mūsā, i cili gjendet përbri qytetit antik është burimi i vazhdueshëm i turistëve që vijnë për ta vizituar këtë vend.

 

Khaznah (“Thesari”)

Lindja dhe zhvillimi i qytetit

Qyteti është emëruar nga fjala greke Petra që do të thotë gur, e që sipas të gjitha gjasave e ka zëvendësuar emrin biblik të këtij qyteti – Sela. Mbetje nga periudha e Paleolitit dhe Neolitit janë zbuluar në Petra, dhe në bazë të tyre është e ditur që edomitët e kanë banuar këtë zonë rreth vitit 1200 p.e.s. Shekuj më vonë nabateanët, një fis arab e pushtoi dhe e ktheu atë në kryeqytetin e mbretërisë së tyre. Në vitin 312 p.e.s. rajoni u sulmua nga forcat Selucide, të cilët nuk ia dolën që të pushtonin qytetin. Nën sundimin nabatean, Petra u zhvillua si qendër e tregtisë së erëzave, dhe transportit të mëndafshit pasi që ishte në rrugën që i bashkonte mbretëritë e tilla si Kina, Egjipti, Greqia dhe India. Për rrjedhojë popullsia e qytetit u rrit diku në mes 10.000 dhe 30.000 banorë.

 

Pushtimi dhe zhdukja

Pas humbjes së nabateanëve nga romakët në vitin 106 të e.s., Petra u bë pjesë e provincës romake të Arabisë dhe vazhdoi që të zhvillohej deri kur ndërrimi i rrugëve të tregtisë çoi në rënien graduale ekonomike të qytetit. Pas një tërmeti të fortë (që nuk ishte i pari) i cili e dëmtoi rëndë qytetin në vitin 551, banimi i qytetit bie tërësisht. Pushtimi arab ndodhi në shekullin e shtatë, dhe një avanpost i kryqëzatave në shekullin e 12 janë dëshmi e aktiviteteve atje. Pas kryqëzatave, qyteti humbi dhe mbeti i panjohur për botën perëndimore deri në rizbulimin e tij nga shtegtari zviceran Johann Ludwig Burckhardt në vitin 1812.

 

Al-Dayr (“Manastiri”)

Monumentet më të njohura

Gërmimet nga viti 1958 në emër të Shkollës Britanike të Arkeologjisë në Jerusalem dhe më vonë nga Qendra Amerikane e Studimeve Orientale ndihmuan shumë në shtimin e njohurive për Petrën. Sot rrënojat zakonisht qasen nga lindja përmes një gryke të ngushtë që njihet si Siq (Wadi Al-Sīq). Një nga lokacionet e para që shihen nga Siq është Khaznah (“Thesari”), i cili në fakt është një varrezë (tumë) e madhe. Al-Dayr (“Manastiri”) është një prej monumenteve më të njohura të Petrës të gdhendura në gur. Ai është një fasadë varreze e papërfunduar e cila gjatë kohës së Bizantit u përdor si kishë. Shumë prej varrezave të Petrës kanë fasada të detajuara dhe ato sot përdoren për strehim. Vendi i Lartë i Sakrificës, një altar kulti që daton që nga periudha biblike, është një tjetër lokacion i ruajtur mirë.

 

Pjesë të kanaleve të sistemit hidrologjik të Petrës

Sistemi hidrologjik

Për të mbështetur popullsinë e madhe të qytetit antik, banorët e tij e mirëmbanin një sistem të madh hidrologjik, i cili përfshinte penda, cisterna, kanale uji të gdhendura në shkëmb, dhe gypa të qeramikës. Gërmimet e filluara në vitin 1993 zbuluan edhe disa tempuj dhe monumente të tjera, të cilat e ofrojnë një pasqyrim më të mirë të traditave politike, sociale dhe fetare të qytetit antik. Këto rrënoja janë të ndjeshme ndaj vërshimeve dhe fenomeneve të tjera natyrore, dhe turizmi, po ashtu i ka dëmtuar monumentet. Në vitin 1985 Petra u emërua si Lokacion i Trashëgimisë Botërore të UNESCO për shkak të rëndësisë historike dhe strukturës delikate. Për më tepër Petra është gjysmë e ndërtuar dhe gjysmë e gdhendur në gur (shkëmbinj). Madje UNESCO e përshkruan atë si një prej lokacioneve më të çmuara kulturore të trashëgimisë kulturore të njeriut.

 

Shpella dhe varreza (tuma) ne qytetin antik të Petrës

Shtatë Mrekullitë e Reja të Botës

Bashkë me Murin e Madh Kinez, Maçu Piçu (Machu Picchu) në Peru, Taxh Mahallin (Taj Mahal) në Indi, Koloseun (Colosseo) në Itali, Çiçen Itca (Chichen Itza) në Meksikë dhe Krishtin Shpëtimtar të Brazilit, në vitin 2007 Petra u shpall një prej Shtatë Mrekullive të Reja të Botës. Kthimi i Mumjes, Indiana Jones dhe Last Crusade (Kryqëzata e Fundit) janë disa prej filmave më të rëndësishëm që janë xhiruar në Petra. Realizimi i këtyre filmave atje e rritur vetëdijen për Petrën dhe rrjedhimisht edhe interesimin e turistëve për ta vizituar atë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE