“RACE FOR THE CURE KOSOVO”

Nga data 25 deri më 27 shtator 2020 do të organizohet aktiviteti më i madh i ecjes dhe vrapimit në mbarë botën “Race for the Cure”. Ky aktivitet zhvillohet nga Organizata Amerikane e Kancerit të Gjirit “Susan G. Komen”, në mbështetje të luftës kundër kancerit të gjirit.

 

Edicioni i dytë i “Race for the Cure” në Kosovë do të organizohet nga Shoqata e të prekurve me kancer të gjirit “Renesanca”. Në një prononcim për Radio KFOR-in, drejtoresha e kësaj organizate, Violeta Pirana, tha: “Ky është event, i cili tradicionalisht organizohet në të dielën e fundit të muajit shtator në tërë Evropën, në shenjë të kremtimit të mbijetesës së personave me kancer të gjirit, të cilët vishen me bluza rozë, kurse të tjerët që solidarizohen, qofshin familjarë apo miq, vishen me bluza të bardha dhe mund të marrin pjesë të gjithë, pa dallim moshe. Kjo garë zakonisht mbahet në të njëjtën ditë në tërë Evropën, por këtë vit, për shkak të pandemisë, është planifikuar të mbahet në tri data: 25, 26 dhe 27 shtator.”

 

Për t’u bërë pjesë e kësaj gare, e tëra që duhet të bëni është që të regjistroheni dhe të krijoni një ekip me miqtë, familjen apo kolegët tuaj dhe të zgjidhni vetë ecjen ose vrapimin në lagjen tuaj, në natyrë apo sallë sportive. Qëllimi i kësaj gare është që të mbijetuarit të festojnë për jetën, kurse për pjesëmarrësit e tjerë që të shfaqin përkrahjen për të dashurit e tyre. Së bashku, ata i përkujtojnë ato që nuk janë më për shkak llojit më të zakonshëm të kancerit tek femrat – Kancerit të Gjirit.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE