Bruno Revolt, këngëtari karizmatik dhe i gjithanshëm, i ka rrëmbyer zemrat e shumë adhuruesve me zërin e tij të ndjeshëm dhe performancat dinamike. Duke u ngritur nga rrugët modeste të Vlorës në dritat vezulluese të industrisë së muzikës, udhëtimi i Bruno-s është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe pasionit. Pavarësisht sfidave ekonomike, ai e ndoqi ëndrrën e tij pa u ndalur, duke u bërë përfundimisht një emër i njohur në Kosovë, pjesërisht falë pjesëmarrjes së tij të paharrueshme në “Big Brother VIP Kosova.” Në këtë intervistë ekskluzive, Bruno e ndan me ne historinë e tij frymëzuese, evolucionin e stilit të tij muzikor si dhe vizionin e tij për të ardhmen.
A mund të na tregoni për fillimet tuaja në muzikë dhe çfarë ju inspiroi të ndiqni një karrierë në botën e artit?
Fillimet e mia kanë qenë sa të bukura aq edhe të vështira. Të vështira ishin pasi që mundësitë ekonomike nuk ishin të mira teksa përpiqesha që përmes shokëve dhe miqve të krijoja lidhjet e para në Vlorë! Në fillim merresha me aktivitetet e shkollës kërceja këndoja dhe kam qenë fëmijë që vdisja të bija në sy. Gjithmonë doja të isha unë ai që ishte më “trendi,” hahahaha. Më pas, kur isha në klasën e 7-të mora pjesë në konkursin “Gjeniu i Vogël” në TV Klan. Aty dola për herë të parë në televizion dhe zemra sa nuk më doli nga kraharori.
Si do ta përshkruanit stilin tuaj muzikor dhe si ka evoluar ai gjatë viteve?
Stilin tim muzikor do ta cilësoja të shumëllojshëm pasi që si grup jemi paraqitur me këngë Hip-hop dhe RnB, pastaj kemi eksperimentuar me këngë pop-rok ku në “Këngën Magjike 2017” e kemi fituar çmim “Best Group”. Më pas kemi vijuar me muzikë të zhanrit “dance house” ku kemi pasur bashkëpunime me artistë ndërkombëtar si Mario Bishcin, Otilia, Alisia etj. Më pas kemi eksperimentuar edhe me zhanrin turbo-folk ku kemi pasur shumë sukses, dhe si solist kam vendosur të qëndroj në këtë zhanër ku e shoh veten shumë rehat dhe publiku më përqafon më shumë. Por, në thelb e cilësoj veten si një këngëtar me plot ngjyra që i këndoj dashurisë – një djalë i baladave.
Cili ka qenë aspekti më sfidues i udhëtimit tuaj në industrinë e muzikës deri tani?
Mbajtja e baraspeshës mes punës, miqësisë dhe konkurrencës…
Keni bashkëpunuar me disa artistë. A mund të ndani bashkëpunimin tuaj më të suksesshëm dhe çfarë e bëri atë të veçantë?
Hmmm, të them të drejtën me çdo artist që kam bashkëpunuar jam ndjerë rehat dhe secili në karakterin e vet ka qenë i veçantë si nga ana artistike edhe nga ana njerëzore. Jam me fat që kam bashkëpunuar me artistë që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare dhe i falënderoj shumë për këtë. E ndjej veten shumë të vlerësuar.
Çfarë mesazhi shpresoni të përcillni përmes muzikës suaj për audiencën tuaj?
Dua t’i bëj njerëzit të mësojnë të jetojnë bukur dhe ta shohin jetën me ngjyra dhe plot dashuri.
A mund të ndani një përvojë ose moment në karrierën tuaj që pati një ndikim të rëndësishëm në ju, qoftë personalisht apo profesionalisht?
Vlerësimi në Kënga Magjike me çmimin “Best Group” për grupin tim të quajtur Revolt Klan, pasi që grupin e konsideroj shtëpinë time të parë të muzikës që më ka sjell këtu ku jam sot! Me këtë rast e përshëndes dhe falënderoj edhe pjesëtarin e grupit Febin, për gjithë rrugëtimin dhe punën që e ka bërë bashkë me mua për të qenë këta që jemi sot!
Çfarë roli luajnë mediat sociale dhe platformat digjitale në karrierën tuaj, dhe si angazhoheni me fansat tuaj online?
Mendoj që është një pjesë shumë e rëndësishme për karrierën, prandaj e kam një skuadër të tërë që punon me mua për këtë gjë.
Çfarë këshille do t’iu jepnit muzikantëve të rinj që ju shikojnë dhe duan të ndjekin hapat tuaj?
Mos u dorëzoni asnjëherë! Vazhdoni të luftoni, të ëndërroni dhe më besoni që herët apo vonë keni për ta arritur atë që ju e kërkoni!
Si ka ndikuar pjesëmarrja në ‘Big Brother VIP Kosova’ në karrierën dhe imazhin tuaj publik?
Më ka ndihmuar shumë për t’u njohur me publikun e Kosovës ku më kanë dhënë shumë dashuri dhe jam shumë falënderues për të gjitha mundësitë që më dha “Big Brother VIP Kosova”. Kurse për publikun e kam vetëm një gjë për t’ua thënë – thjesht: ju dua, ju dua, ju dua!
Cila ishte gjëja më befasuese që e mësuat për veten tuaj gjatë kohës tuaj në këtë reality show?
Aaaaa, këtu kam shumë për te thënë por, do të na duheshin net e ditë të tëra kështu që vetëm po i përmendin shkurt disa prej tyre. Mësova që jam më i ndjeshëm seç duhet, që s’duhet të jem shumë naiv. Mësova që të dashuroj më shumë dhe të vlerësoj më shumë veten dhe familjen time pastaj të tjerët. Mësova si të jetoj me arrogancën, me trillimet dhe me mashtrimet pasi që aty ti e mëson dhe e kupton që jeta të çon në rrugë të ndryshme dhe ti has në njerëz të ndryshëm por, gjithmonë duhet të bëhesh i durueshëm dhe të mos dorëzohesh kurrë! Me fjalë të tjera aty e mësova më të vërtetë se çka do të thotë fjala DURIM.
Nëse do të mund të bashkëpunonit me cilindo artist, të vdekur ose të gjallë, kush do të ishte dhe pse?
Një artiste me të cilën do të doja shumë që të bashkëpunoja është Dafina Zeqiri. Më pëlqen shumë se si këndon me një stil të veçantë. Ndonëse nuk e njoh personalisht ajo më jep atë ndjesinë e një njeriu me zemër të bardhë dhe që vërtetë është artiste fillimisht në shpirt e pastaj në skenë.
Cila është një gjë që fansat tuaj do të befasoheshin të mësonin për ju?
Që pjesën më të madhe të kohës e kaloj me fëmijët që u jap mësim në muzikë dhe se ata më motivojnë shumë, pasi që jam edhe profesor muzike 😍🥰.
Nëse do të mund të dëgjonit vetëm një këngë për pjesën tjetër të jetës suaj, cila do të ishte ajo dhe pse?
Po të mundja do i zgjidhja disa por, meqenëse zgjedhja është e kufizuar hahahaha, do të thosha këngën me titullin “Ëndrra,” të cilën e kam kënduar me grupin në “Top Fest”😍.
Nëse do të mund të hanit vetëm një ushqim për pjesën tjetër të jetës suaj, cili do të ishte ai dhe pse?
Jam tradicional në përgjithësi dhe më pëlqejnë ushqimet e shtëpisë dhe do doja të haja gjellën me patate me mish viçi 😍😍, e dua shumë atë gjellë, hahahah.
Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?
Porosia për lexuesit tuaj është që ju t’ju lexojnë e ne të na dëgjojnë më shumë se do të kënaqen😍😍. Jepni dashuri, ndihmoni sa më shumë të mundeni dhe bëni njerëzit të lumtur sepse jeta sa e gjatë është po aq edhe e shkurtër dhe nuk do të marrim asgjë me vete por, të paktën le ta lëmë një shenjë apo gjurmë të mirë në këtë vend ku jetojmë duke i bërë sado pak të lumtur të tjerët. Ju dua dhe ju falem nderit shumë për intervistën 😍😍😍.