Shkolla fillore e mesme e ulët – SHFMU “Afrim Gashi” në Hajvali i hapi dyert e saj më 20 janar 2012. Kjo ngjarje ishte qenësore për komunitetin, pasi nxënësit më parë kishin ndjekur shkollën “Shkëndija”, e cila kishte mbi 1700 nxënës dhe punonte në tri ndërrime. Themelimi i shkollës “Afrim Gashi” ia ka lehtësuar barrën stafit, prindërve dhe më e rëndësishmja e nxënësve.
Ndërtesa e shkollës u përfundua në vitin 2012 dhe që atëherë, ajo e ka ofruar një mjedis të sigurt dhe mikpritës për nxënësit. Fillimisht shkolla kishte 660 nxënës dhe sot ky numër është rritur në 770. Ndërkohë që kjo rritje është e qëndrueshme, ka pasur disa nxënës që janë larguar për mundësi jashtë vendit. Megjithatë, numri mbetet i ulët, me vetëm rreth shtatë nxënës që janë larguar në vitin 2024.
Staf mësimor i angazhuar
Në këtë shkollë janë të punësuar 35 mësues dhe 10 të punësuar në stafin administrativ, duke e krijuar një ekip të përkushtuar prej 45 individësh. Me një sipërfaqe të gjerë prej 5000 m², shkolla mund të funksionojë në një ndërrim të vetëm, gjë që e përbën një avantazh të rëndësishëm. Megjithatë, aktualisht shkollës i mungon një fushë sportive në ambient të hapur, të cilën drejtori e pranon si një nevojë për të ardhmen. Stafi mësimdhënës është i përkushtuar dhe përdorë në mënyrë efektive teknologjinë në orët e tyre mësimore, me përjashtim të disa mësuesve më të vjetër. Siç pritej, ata përballen me sfida në përshtatjen me trendet e reja teknologjike. Fatmirëshisht, stafi po rinovohet gradualisht, pasi shumë mësues më të moshuar po i afrohen pensionimit. Ky tranzicion do t’i mundësojë shkollës të integrojë mësues të rinj që ndjehen më rehat me teknologjinë, duke e siguruar kështu një mjedis modern të të mësuarit.
Rëndësia e programit të plotë ditor
Ndonëse nuk ka filluar të aplikohet ende, Drejtori Xhevat Rafuna thekson rëndësinë e programit të plotë ditor për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Ky program ofron aktivitete shtesë që i ndihmojnë nxënësit të angazhohen më thellë në edukimin e tyre. Prindërit janë në favor të këtij sistemi, pasi ai përputhet me oraret e tyre të punës dhe u mundëson mësuesve të shpenzojnë kohë shtesë duke i mbështetur nxënësit me detyrat e shtëpisë dhe shpjegimet shtesë, si dhe aktivitetet jashtëshkollore.
Bashkëpunim i fortë i komunitetit
Një nga pikat e forta të shkollës është bashkëpunimi me prindërit. Komuniteti është shumë i angazhuar dhe ka një partneritet të fortë mes mësuesve dhe prindërve. Ky bashkëpunim i ngushtë ka ndihmuar në krijimin e një atmosfere tërheqëse arsimore ku nxënësit e fitojnë një ndjenjë pronësie mbi shkollën e tyre. Si prindërit edhe nxënësit marrin pjesë aktive në mirëmbajtjen e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të shkollës, duke e bërë atë një vend të këndshëm për të mësuar.
Përparimet teknologjike
Shkolla gjithashtu krenohet me një laborator kompjuterik të pajisur mirë dhe është duke punuar për të përmirësuar resurset e saj teknologjike. Për vitin shkollor 2023-2024, shkolla ka realizuar dy projekte madhore: një donacion nga Ambasada Bullgare për zmadhimin e bibliotekës së shkollës dhe sigurimin e laptopëve dhe projektorëve nga një kishë e Nju Jorkut. Këto donacione e pasqyrojnë lidhjet e forta ndërmjet shkollës dhe komunitetit lokal.
Një mesazh për të rinjtë
Drejtori Rafuna e ka një mesazh të qartë për të rinjtë e Kosovës: “Mësoni, mësoni dhe mësoni më shumë, së bashku me angazhimin për të punuar për të mirën e Kosovës dhe vetes”. Ky mesazh mishërohet në misionin e shkollës për të frymëzuar nxënësit që të angazhohen në edukimin e tyre dhe të kontribuojnë pozitivisht në komunitetin e tyre.