SHFMU “LIDHJA E PRIZRENIT” NË PEJË

 

Jo shumë larg qendrës së Pejës, rrëzë Bjeshkëve të Nemuna gjendet objekti impozant dhe i vjetër i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët (SHFMU) “Lidhja e Prizrenit”. Duke qenë se gjendet në qendër të një prej qyteteve më të mëdha të Kosovës, nuk është për t’u habitur që kjo është edhe një prej shkollave më të vjetra. Në fakt, sipas drejtorit të kësaj shkolle z. Valdrin Husaj, kjo shkollë për herë të parë u hap në vitin shkollor 1941/1942. Asokohe shkolla i kishte gjashtë mësues (Zef Shpendi, Nexhmije Begolli, Nuradin Koplikaj, Rexhep Shpendi, dhe Zija Basha) dhe 348 nxënës.

 

Sa i përket objektit të shkollës, drejtori Husaj theksoi se ndërtimi i tij filloi në vitin 1928, kurse u përfundua në vitin 1933. Fillimisht, ka shërbyer si spital i armatës së atëhershme, ndërsa më vonë i ndërrohet destinimi për qëllime të tjera, deri sa në vitin 1941 aty u hap shkolla “Lidhja e Prizrenit”. Për këtë arsye kjo shkollë e ka një ndërtesë shumë unike me dy kate, me mure të trasha dhe dritare të mëdha. Për shkak të rritjes së numrit të nxënësve, hapësira e atij objekti nuk mjaftonte, kështu që në vitin 2006, iu shtua një aneks me 8 dhoma të mësimit me një sipërfaqe prej rreth 500 metra katrorë dhe pastaj në vitin 2009 u ndërtua edhe aneksi i dytë me 4 dhoma të mësimit me një sipërfaqe prej rreth 200 metra katrorë. Ndërtimi i këtyre dy anekseve e ka mundësuar zhvillimin e mësimit në dy ndërrime dhe jo në tri siç ishte më parë

 

Sot në këtë shkollë mësimet i vijojnë 1083 nxënës, numër ky që i afrohet shumë kapacitetit maksimal të shkollës për 1100 nxënës. Kurse për mbarëvajtjen e mësimit kujdesen 62 punëtorë, 52 prej të cilëve janë mësimdhënës. Krahas numrit të madh të nxënësve, drejtori Husaj thekson se shkolla përballet edhe me mungesën e pajisjeve për kabinetet. Mirëpo, përkundër këtyre mangësive sipas tij mësimi zhvillohet mjaft mirë në përputhje me kurikulën e re.

 

“Një ndër pikat më të forta të shkollës sonë është puna dhe funksionimi i trekëndëshit Nxënës-Shkollë- Prindër. Këtë e dëshmojnë edhe arritjet e nxënësve tonë në garat e dijes. Këtu do të veçoja nxënësen tonë Andrra Hadri, e cila ka dalë e para në garën e Gjuhës Angleze të mbajtur në Itali,” shtoi z. Husaj. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se suksesi i nxënësve është i dukshëm edhe nga rezultatet e Testit të Arritshmërisë, ku kjo shkollë vazhdimisht radhitet ndër pesë shkollat e para.

 

Fjalë miradije, drejtori Husaj shprehu edhe për kolektivin e mësimdhënësve të cilët, sipas tij, krahas përkushtimit në punë të gjithë janë të kualifikuar (me Diplomë të nivelit Bachelor) për punën si mësimdhënës, e madje disa i kanë të përfunduara edhe studimet e nivelit Master.

 

I pyetur për pengesat kryesore për zhvillimin e një procesi mësimor sa më cilësor, drejtori Husaj e ceku vjetërsinë e objektit por, edhe faktin se kabinetet që ata i kanë janë shumë të varfra me mjete të konkretizimit. Kjo edhe është arsyeja pse sigurimi i inventarit për këto kabinete është prioritet kryesor në këtë shkollë, në mënyrë që shkolla të kthehet në një institucion ku prodhohen dije të reja dhe formësohen brezat e ardhshëm të Kosovës.

 

Në fund të bisedës sonë, drejtori Husaj u bëri thirrje të gjithë të rinjve në Kosovë që të angazhohen dhe të punojnë edhe më shumë. Sipas tij u takon atyre që të jenë nxitës të zhvillimit të praktikave të reja të mësimdhënies në mënyrë që shkollat të kthehen në një vend ku ata mund të hulumtojnë por, edhe të shfaqin krijimtarinë e tyre.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE