SHIKONI DREJTPËRDREJT KAFSHËT NËPËR KOPSHTE ZOOLOGJIKE DHE KAFSHËT E EGRA KENIANE 

Mësimi në distancë, shoqërimi, shikimi i shfaqjeve teatrale, vizitat në muze dhe ekspozitat – për shkak të pandemisë COVID-19 mundësohen nga larg. Në një farë mase, falë teknologjive të reja, ne jemi në gjendje të kalojmë një pjesë të kohës sonë në natyrë, me kafshë. Ju me befasi pyesni veten se si është e mundur kjo. Falë kopshteve zoologjike “online”, ju mund hidhni një vështrim në botën e kafshëve!

 

Kopshti zoologjik i Edinburgut

Gjeni faqen “Edinburg Zoo” në “Internet” dhe duke klikuar në “web cam” (kamera), ju keni mundësinë të vëzhgoni pinguinët, pandat, tigrat, koalat dhe luanët. Duke klikuar në kamerat ose aparatin, merrni edhe informacione për kafshët që shikoni. Kështu që do të zbuloni se, për shembull, emri i pandës në këtë kopsht zoologjik është Yang Guang dhe se i pëlqen të hajë bamboo, gjersa këtë e bënë edhe gjatë natës.

Në të njëjtin kopsht zoologjik, koala Tanami konsumon rreth 500 gram dru eukalipti në ditë, që është e barabartë me një qese sheqeri. Nëse nuk e shihni Tanamin duke lëvizur shumë, mos u shqetësoni, sepse koalat flenë 22 orë në ditë dhe u pëlqen të kalojnë kohë vetëm. Tanami është më së shumti aktiv në mëngjes.

Përmes kamerave, ju gjithashtu mund të vëzhgoni luanët aziatikë, të quajtur Mitaali, Keshari dhe Kushanu, me nënën e tyre Robertën dhe babanë Jayendra-në. Kjo specie normalisht mund të gjendet vetëm në pyllin e Girit në Indi dhe popullsia aktuale e këtyre luanëve vlerësohet të jetë 350 sosh.

 

Kopshti zoologjik i San Diegos

Kopshti zoologjik i San Diegos është edhe më i llojllojshëm kur bëhet fjalë për vëzhgimin e kafshëve përmes kamerave. Ju mund të shikoni babunë, pengiunë, panda, arinj polarë, majmunë, koala, gjirafa, kastorë, elefantë, tigra, bufa dhe gjithashtu kondorë.

Në faqen e internetit të kopshtit zoologjik, gjithashtu do të merrni informacione për kafshët që vëzhgoni. Nëse bëhet fjalë për elefantët, do të zbuloni se si quhen ata, çfarë gjinie kanë, kur kanë lindur, cili është temperamenti i tyre, por edhe se si erdhwn ata në këtë kopsht zoologjik.

Mund t’i vëzhgoni arinjtë polarë në habitatet e tyre tundra. Mos u habitni nëse shihni një njollë të errët në leshin e tyre, sepse arinjtë në kopshtin zoologjik të San Diegos janë pjesë e një studimi në të cilin shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë se sa shpejt rriten flokët e tyre. Studiuesit që punojnë me arinj në natyrw e përdorin leshin e tyre për të zbuluar informacione në lidhje me dietën (të ushqyerit) e tyre, sasinë e stresit…

Vëzhgoni bufat ndërsa janë jashtë, ose në strofullin e tyre nëntokësor, që është një lloj inkubatori për vezët e sapoçelura. Kjo specie e bufit është në prag të zhdukjes, kështu që kopshti zoologjik gjithashtu ka një program që merret me rikuperimin e habitateve të kësaj specie.

 

Drejtpërdrejt nga Kenia

Është e vërtetë që të gjitha kafshët e lartpërmendura gjejnë kujdes në kopshtet zoologjike, por kjo sigurisht nuk është habitati i tyre natyror. Nëse jeni më të interesuar të shihni kafshët në habitatin e tyre natyror, vizitoni explore.org dhe shikoni kafshët duke jetuar, për shembull, në Kenia.

Qendra Kërkimore e Mpalasë ishte ajo që e bëri të mundur që ju të shikoni elefantë, hipopotamë, gjirafë, zebra, gazele, krokodila, leopardë ndërsa ata janë duke fjetur, pirë ujë nga lumi, pushojnë nën hije me këlyshët e tyre…

Qendra kërkimore është duke luftuar për të ruajtur speciet që jetojnë në natyrë dhe është nikoqir i disa programeve edukative e informative që synojnë, siç thonë ata, zgjidhjen e konflikteve midis njerëzve dhe kafshëve të egra.

Mpala ka madhësi prej afro 200 kilometra katrorë dhe mbulon rreth 48,000 hektarë tokë. Është shtëpi e shumë specieve të kafshëve të egra dhe vendase të Afrikës. Duke klikuar në secilën prej kamerave, ju keni mundësinë të kontrolloni parashikimin e motit për ditët në vijim, kur është koha më e mirë për të vëzhguar kafshët, d.m.th. kur ato janë më aktive, si dhe gjithashtu aty gjeni fakte interesante për Afrikën, mu aty ku saktësisht kamera është vendosur dhe cilat kafshë mund t’i shihni. Gjithashtu keni mundësinë që të komunikoni me studiuesit edhe përmes “chat-it” që është në dispozicion.

Në qoftë se dëshironi të shihni ndonjë kafshë tjetër, mund të kërkoni kamerat në kopshtin zoologjik në Viktoria, Atlanta, Kanzas ose Hjuston. Ekziston një mori situatash interesante që ju mund të shihni.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE