SHKENCA E MIRAZHEVE

 

Të gjithë e kemi parë të paktën një skenë të filmit kur një personazh i lodhur, pas disa orëve të ecjes në shkretëtirë është duke vdekur për një pikë ujë. Papritur, ai e sheh një burim të madh uji në horizont. Ai fillon të vrapojë drejt ujit dhe kur i afrohet mjaftueshëm hidhet në ajër për të përfunduar në rërë, ndërsa uji zhduket.

 

Ky mund t’ ju duket si një halucinacion, por në fakt, mirazhet janë një iluzion optik që paraqitet në mënyrë të natyrshme dhe njihet si mirazh. Në filmat e vizatuar, një mirazh paraqitet si një oazë paqësore dhe e begattë që shtrihet në hijen e palmave, por në realitet një mirazh duket më shumë sikur të shikosh një pishinë me ujë.

 

Si formohen mirazhet?

Në realitet mirazhet nuk kanë të bëjnë asgjë me ujin. Gjithçka, lidhet me mënyrën se si drita e përshkon ajrin. Normalisht, valët e dritës nga dielli udhëtojnë përmes atmosferës drejt në syrin tonë. Mirëpo, drita udhëton me shpejtësi të ndryshme në ajrin e ftohtë dhe atë të nxehtë.

 

Mirazhet ndodhin kur toka është tepër e nxehtë, ndërsa ajri është i freskët. Toka e nxehtë e ngroh një shtresë të ajrit në afërsi të sipërfaqes së saj. Kur drita e përshkon ajrin e freskët dhe kalon në shtresën e ajrit të nxehtë pranë tokës, drita përthyhet.

 

Një shtresë e ajrit shumë të ngrohtë afër sipërfaqes e përthyen dritën nga qielli në pothuajse formën e shkronjës U dhe e kthen atë në syrin tonë. Truri ynë mendon se drita ka udhëtuar në vijë të drejtë. Ai nuk e sheh imazhin si një përthyerje të dritës nga qielli. Në vend të kësaj, truri ynë mendon që drita duhet të jetë kthyer nga një sipërfaqe në tokë.

 

Kjo është arsyeja pse shumë mirazhe shfaqen si ujë i kaltër. Ne mendojmë se e kemi hasur një oazë, kur në realitet në jemi duke e parë një imazh shkëlqyes të qiellit të kaltër. Duke qenë se truri ynë nuk e pranon që qielli është në tokë, ne e imagjinojmë atë si një imazh të ujit të kaltër shkëlqyes.

 

Ku mund ta shihni një mirazh?

Nuk ka nevojë që të vizitoni një shkretëtirë për ta parë një mirazh. Ato janë mjaft të zakonshme në rrugë, pistat e avionëve e madje edhe në rërën e ngrohtë në një plazh. Me fjalë të tjera, mirazhet mund të shihen kudo ku toka mund të përthithë sasi të madhe të nxehtësisë.

 

Mirazhet më spektakolare shfaqen në hapësira të gjera të tokës së rrafshët, pasi që kodrat dhe gropat e shumta e pengojnë dritën që të arrijë në syrin tonë.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE