SHKRIRJA NUKLEARE SI BURIM I ENERGJISË

 

Fuzioni ose shkrirja nukleare është bashkimi i bërthamave të atomeve me qëllim të lirimit të energjisë. Kjo është një mënyrë e pastër dhe e sigurt për furnizimin e shtëpive tona dhe industrisë me energji elektrike. Ky gral i shenjtë i energjetikës iu ka shpëtuar fizikanëve për dekada të tëra, mirëpo ka shenja që e ardhmja e ndritur ka filluar të duket në horizont.

 

Me të vërtetë duket si një ëndërr që të kemi një burim praktikisht të pashtershëm të energjisë i cili nuk prodhon gazra me efektin serë ose mbetje radioaktive. Pikërisht këtë e premton shkrirja nukleare, e cila tash e sa dekada nuk ka qenë asgjë më shumë se sa një fantazi për shkak të sfidave të pakalueshme. Mirëpo, gjërat kanë filluar të ‘nxehen’ në kuadër të garës për të krijuar një Diell artificial këtu në Tokë, diçka që mund të sigurojë energji elektrike për rrjetet, veturat dhe poçet tona.

 

Elektranat e stome nukleare prodhojnë energji elektrike me ndihmën e procesit të fizionit (zbërthimit) nuklear, që do të thotë ndarjen apo zbërthimin e bërthamave të atomeve. Shkrirja nukleare, në anën tjetër e bën bashkimin e bërthamave me qëllim të lirimit të energjisë. Ky është reaksioni i njëjtë që ndodh në bërthamën e Diellit. Sidoqoftë, zgjidhja e problemit të shtyrjes (largimit) natyrale në mes të bërthamave të atomeve dhe mbajtja e kushteve të përshtatshme për këtë shkrirje nuk është aspak e lehtë.

 

Shkrirja nukleare – nga ëndërr në realitet

Përkundër pengesave të mëdha, kërkimet shkencore nuk janë ndalur, ani pse për dekada të tëra nuk është arritur që prodhimi i energjisë të jetë më i madh se sa energjia që është harxhuar gjatë nxitjes së këtij reaksioni. Mirëpo, me sa duket nuk do të vazhdojë të jetë kështu edhe për shumë kohë. Gjatë viteve të fundit janë tejkaluar disa sfida teknike dhe qeveritë në mbarë botën janë duke investuar para në studimin e energjisë së fuzionit. Po ashtu, ekzistojnë mbi 20 nisma private në Britaninë e Madhe, SHBA, Evropë, Kinë dhe Australi, të cilat janë duke garuar se kush do të jetë i pari që ta kthejë prodhimin e energjisë nga shkrirja nukleare në realitet.

Pamje nga lokacioni i ITER në Francë

“Njerëzit janë duke thënë: Nëse kjo është me të vërtetë zgjidhja përfundimtare, le ta zbulojmë nëse ajo funksionon ose jo,” ka deklaruar Dr. Tim Luce shefi i departamentit shkencor në Reaktorin Eksperimental Termonuklear Ndërkombëtar (International Thermonuclear Experimental Reactor – ITER), i cili është duke u ndërtuar në jug të Francës. Përndryshe ITER është projekti më i madh në fushën e studimit të shkrirjes nukleare.

 

Shpenzimet e ndërtimit, të cilat e kapin vlerën e 22 miliardë dollarëve amerikan, do të mbulohen nga qeveritë e qeverive të vendeve në të cilat jetojnë dy të tretat e popullsisë së botës, ku përfshihen BE-ja, SHBA-të, Kina dhe Rusia. Pasi të vihet në punë në vitin 2025, ITER do të jetë reaktori më i madh i shkrirjes nukleare në botë. Nëse del me sukses, ITER do të transformojë shkrirjen nga një burim energjetik të ëndrrave në një zgjidhje të qëndrueshme.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE