SHPELLAT MISTERIOZE TË PERANDORISË ROMAKE

 

Ponza, ishulli i cili gjendet mu në mes të Romës dhe Napolit, mund të lavdërohet me shpellat e çuditshme të Pilatit. Mirëpo, meritat për krijimin e tyre nuk i takojnë natyrës. Në fakt, ato konsiderohen si një shembull i shkëlqyer i mjeshtërisë së romakëve të vjetër për rritjen e peshqve. Këto shpella janë gërryer në shkëmbin vullkanik në këtë ishull rreth shekullit të I-rë të erës sonë, dhe në to gjenden pesë basene, të cilat janë të lidhura mes tyre me kalime nënujore. Këto të fundit shërbenin për ndërrimin e ujit, por edhe për transferimin e peshqve nga njëri basen në tjetrin.

 

Shpellat gjenden në një vend shumë të veçantë, pasi që sipër tyre gjendet vila perandorake e cila dikur ishte pronë e Perandorit August. Për këtë arsye besohet se e tërë vila është ndërtuar me qëllimin që perandori dhe mysafirët e tij të mund të shijonin peshkun e freskët. Mirëpo, besohet se këto shpella nuk janë shfrytëzuar vetëm për rritjen e peshqve.

 

Njëzet vjet më parë, arkeologët gjetën aty një statujë të mermerit dhe disa kandila me vaj. Këto zbulime, tregojnë se sipas të gjitha gjasave, këto shpella janë përdorur edhe për zhvillimin e festave dhe ritualeve të ndryshme.

 

Nëse ju duket interesant emri i ishullit, atëherë duhet ta dini se ai lidhet me Ponc Pilatin. Sipas legjendës, ai rrjedh nga ky vend, ose të paktën e ka filluar karrierën e tij në këtë ishull. Ndonëse, historianët nuk mund ta konfirmojnë këtë pohim, kjo legjendë është tejet tërheqëse për turistët.

 

Ajo që ia vlen të theksohet është se nëse iu jepet mundësia që ta vizitoni këtë vend, ju do të mund të afroheni por, hyrja brenda nuk lejohet. Të gjitha, shëtitjet me anije iu afrohen shpellave por, nuk hyjnë brenda. Kjo padyshim e rrit kureshtjen për të zbuluar se çka fshihet në to.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE