SHTËPIA E MBRETËRVE FRANCEZ: PALLATI I VERSAJËS

 

Pallati i Versajës gjithmonë e ka tërhequr një numër të madh të turistëve. Krijuesi i këtij pallati unik ishte mbreti francez Luigji i XIV, i njohur edhe si Mbreti Diell. Me qëllim që ta mbronte monarkinë nga komplotet të cilat thureshin në kryeqytet, Luigji i XIV vendosi që jo shumë larg Parisit të ndërtonte një pallat mahnitës si simbol të pushtetit. Në këtë pallat madhështor së bashku me të jetonin edhe princat, oborrtarët dhe ministrat.

 

Gjithçka në Versajë duhej të ishte unike. Nga dhomat e deri tek oborret, çdo detaj u përzgjodh me kujdes në mënyrë që pallati të mund të plotësonte të gjitha tekat dhe kërkesat e mbretit dorëlirë, i cili dëshironte që ta ndërtonte pallatin më të madh dhe më të bukur në botë. Rregulli, baraspesha dhe simetria janë fjalët më të mira për të përshkruar pallatin, i cili shkaktoi zili tek shumë burrështetas dhe sundimtarë të asaj periudhe.

 

Çka është Versaja?

Duke qenë se ishte shtëpia e mbretërve francez nga viti 1662 dhe deri në vitin 1789, Pallati i Versajës është një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Francës. Ai, po ashtu, është edhe pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-së, por fillimisht ishte veçse një shtëpi modeste për gjueti, deri sa Luigji i XIV nuk u kurorëzua si mbret. Menjëherë, pastaj u vendos që pikërisht në atë vend të ndërtohej pallati madhështor. Ndërtimi i këtij pallati ishte personifikim i pasurisë dhe pushtetit të jashtëzakonshëm të këtij mbreti.

 

Para Versajës, Luigji i XIV jetonte në Luvër

Mbreti Luigji i XIV jetonte në Luvër, mirëpo duke qenë se Luvri gjendej në qendrën e Parisit, dhe ishte i rrethuar me ndërtesa të tjera, ishte e pamundur që kjo rezidencë e mbretit të zgjerohej më të tej, dhe rrjedhimisht të demonstrohej eleganca dhe madhështia e mbretërisë. Për këtë arsye ai dëshironte që të gjente një hapësirë, e cila do t’i mundësonte shumë më tepër që të shprehte përtej kufijve të mbretërisë madhështinë e tij dhe pushtetin që e kishte Franca asokohe. Në vitin 1678 Luigji i XIV u largua nga Luvri dhe kaloi në Versajë, pallatin që ishte një prej kryeveprave arkitekturore më të mëdha që ishte parë ndonjëherë në Evropë.

 

Pallati ishte shtëpi e gjuetisë

Babi i Mbretit të Diellit, Luigji i XIII, e kishte një shtëpi të gjuetisë në Versajë. Historia e pallatit filloi në vitin 1623, kur Luigji i XIII e bleu një copë tokë në Versajë për të ndërtuar shtëpinë e gjuetisë, e cila ishte shumë e vogël për njohësit e traditave të familjes mbretërore franceze. Ndryshimet e para të pallatit filluan vetëm katërdhjetë vjet më vonë, nën komandën e të birit t tij, Luigjit të XIV.

 

Kanali i madh ishte kënetë

Toka në të cilën mbreti dëshironte ta ndërtonte pallatin e tij mahnitës nuk ishte e përshtatshme për ndërtim. Për ta realizuar projektin u desh që të rindërtohej tërë zona përreth. Punimet në tokë dhe rrafshimin e terrenit ishin të domosdoshme para se të fillonte ndërtimi. Shtëpi e gjuetisë e Luigjit të XIII gjendej në një rrafshnaltë të ngushtë të rrethuar nga këneta. Punëtorët u detyruan që ta mbushnin zonën përreth rrafshnaltës me dhe e gurë si dhe ta thajnë kënetën. Ky vend nuk kishte asgjë mahnitëse përpara realizimit të projektit të Luigjit të XIV.

 

 

Furnizimi me ujë nuk ishte punë e lehtë

Versaja ishte një prej pallateve të rralla në Francë, i cili nuk është ndërtuar afër ndonjë lumi. Për mbretin i cili dëshironte që t’i ndërtonte njëqind shatërvanë, kjo ishte një sfidë e madhe. Për të realizuar ëndrrën e tij, janë krijuar basene artificiale. Punëtorët ndërtuan akueduktë nëntokësorë për të furnizuar pallatin me ujë. Kështu, të gjitha burimet e ujit përreth u ridrejtuan drejt pallatit. Duke qenë se edhe kjo nuk mjaftoi, shatërvanët viheshin në punë vetëm në prani të mbretit, gjatë shëtitjeve të tij. Në këtë mënyrë iu krijua iluzioni se gjithçka funksiononte ashtu siç pritej. Mirëpo, shatërvanët kishin nevojë për më shumë ujë për të funksionuar si duhej. Për këtë u deshën që të shpikeshin teknika dhe metoda të reja hidraulike. Në fakt, për këtë projekt u ndërtua një makineri revolucionare. Pompat e thithnin ujin nga Lumi i Senës dhe e kalonin në mbi 100 metra mbi lartësinë e vet lumit, në mënyrë që ai të arrinte në akueduktin i cili e dërgonte ujin në pallat.

 

 

Për të vizituar kopshtet duhej respektuar kodi i veshjes

Pallati nuk i ishte dedikuar vetëm mbretit dhe anëtarëve të familjes së tij, por të gjithë mund të vizitonin pallatin lirisht dhe të shëtisnin lirshëm nëpër kopshte. Mirëpo, ekzistonte një kusht: vizitorët duhej të respektonin kodin e veshjes. Nëse ata nuk i kishin veshjet përkatëse, ata mund t’i huazonin ato në hyrje të pallatit. Eleganca ishte e domosdoshme në Pallatin e Versajës. Kush nuk i respektonte këto rregulla, nuk kishte të drejtë as të ecte nëpër hapësirën e këtij pallati madhështor.

 

 

Pallati duhej të ishte mahnitës

Për mbretin, Pallati i Versajës ishte shprehje e pushtetit të tij dhe imazh i mbretërisë, kështu që ishte tejet e rëndësishme që gjithçka të dukej bukur dhe magjepsëse. Salla e pasqyrave ishte shembull ideal i asaj që mbreti dëshironte të arrinte me projektin e tij. Luigji i XIV dëshironte që të verbonte vizitorët me pasqyrat, mermerin e çmuar të zbukuruar me bronzin e praruar dhe llambadarët e xhamit.

 

Mbreti i angazhoi profesionistët më të mëdhenj për ndërtimin e Versajës

Siç e mësuat deri tani, gjithçka në Versajë ishte ekstravagante. Për të dizajnuar pallatin, Luigji i XIV i angazhoi arkitektët më të mirë të kohës si Andre Le Notre, për kopshtet, Louis Le Vau për arkitekturën dhe Charles Le Brun, për dekorimin. Këta njerëz e realizuan një punë të pabesueshme. Ata ia plotësuan dëshirat mbretit dhe me ndihmën e punëtorëve të tyre i realizuan ëndrrat e tij.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE