SINDROMA E SHIKIMIT KOMPJUTERIK

 

Sindroma e shikimit kompjuterik është një gjendje e posaçme mjekësore e cila ndërlidhet me varshmërinë e njeriut me pajisjet elektronike si kompjuterët, telefonat mobil, video lojërat dhe librat elektronik. Gjatë kësaj periudhe të pandemisë së COVID-19, ky problem është edhe më i theksuar sepse një numër gjithnjë e më i madh njerëzve janë duke punuar nga shtëpia, por edhe një numër i madh i nxënësve po vijojnë mësimin online, kështu që të dyja këto grupe janë duke kaluar mjaft shumë kohë përpara ekraneve të kompjuterëve.

 

Shikimi për disa orë në ekran shkakton stres për sytë e fëmijëve sepse kërkon angazhim dhe fokusim të shtuar. Teksa ata përqendrohen në ekranet e tyre, fëmijët harrojnë që t’i rrahin qepallat dhe kjo i thanë sytë e tyre edhe më tej. Pasojat janë djegia dhe skuqja e syve, kokë dhembja, lodhja dhe shikimi i turbullt.

 

Me rastin e shpjegimit të këtij problemi të syve, doktorët tregojnë se sindroma e shikimit kompjuterik shkakton lodhjen e syve, mund të shkaktojë dhembje të kokës, qafës, shpinës, e madje edhe dukuri të tilla si shikimi i dyfishtë dhe nganjëherë edhe shikim të turbullt.

 

Mësoni fëmijët si ti përdorin kompjuterët

Kohëzgjatja dhe pushimi

Gjëja më e rëndësishme është që të kufizohet koha e kaluar përpara ekraneve duke bërë pauza të shpeshta. Këshillohet që pas çdo 20 minutave të kaluar përpara ekranit, fëmijët të pushojnë 15 minuta.

 

Pozita e kompjuterit

Maja e kompjuterit duhet të jetë në nivel me sytë 45-70 centimetra larg syve, kurse karrigeja duhet t’i plotësojë parametrat ergonometrik.

 

Rregullimi i ekranit

Këshillohet përdorimi i ekraneve më cilësore si dhe që të rregullohet drita dhe kontrasti për të qenë të rehatshme. Teksti duhet të ketë madhësinë e duhur në mënyrë që të mos i ngarkojmë sytë për ta lexuar.

 

Kushtet klimatike

Hapësira ku qëndron fëmija nuk duhet të ketë ajër të thatë dhe tepër të ngrohtë. Posaçërisht aty nuk duhet të ketë ekspozim të drejtpërdrejt në rrymën e ajrit që lëshohet nga kondicionerët e ajrit, pasi që kjo ua thanë sytë edhe më shumë.

 

Ndriçimi

Drita e diellit ose ajo artificiale nuk duhet të bien drejtpërdrejt në ekran për të shmangur reflektimin e saj. Ideale është që fëmijët ta përdorin kompjuterin gjatë ditës, sepse drita artificiale shpesh i lodh sytë.

 

Mjekët pajtohen se të shikuarit e materialeve në ekran dallon plotësisht nga të shikuarit e materialeve të shtypura, si për shembull librat, sepse kjo e fundit ka kontrast më të mirë. Është shumë më e vështirë për t’u përqendruar në ekran prandaj, kjo edhe shkakton ngarkesë më të madhe për sytë.

 

Sipas mjekëve, syzet e posaçme për punë mund të ndihmojnë. Këto janë syze të cilat i kanë xhamat e posaçëm për punë në ekran. Mjet tjetër i mirë janë edhe lotët artificial për sy të cilët e mbajnë lagështinë e syve, por gjithmonë duhet të mos harrohet që të bëhen pushime 15 minutëshe.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE