SPARTANËT

 

Edhe nëse nuk keni dëgjuar më parë për ta, pas realizimit të filmit 300 Spartanët tashmë ju e njihni legjendën e Mbretit Leonidas dhe 300 luftëtarëve spartanë të cilët e ndalën përparimin e ushtrisë madhështore persiane të Kserksit në betejën e Termopileve. Një arritje e tillë nuk është e rastësishme pasi që për dallim nga të gjitha kulturat e periudhës antike spartanët ishin më të veçantët.

 

Kush ishin spartanët?

Sparta ishte një qytet-shtet i dalluar i cili gjendej në Lakoni (Laconia) në Greqinë antike. Në antikitet ky qytet-shtet njihej si Lakademon (Lacedaemon), përderisa emri Sparta i referohej vendbanimit të tij kryesor në brigjet e Lumit Eurotas në Lakoni në Peloponezin juglindor.

 

Ushtria profesionale

Ajo që e veçon kulturën spartane nga të gjithë bashkë kohanikët e tyre është qëndrimi i tyre ndaj ushtrisë. Qytetarët e Spartës bëheshin ushtarë profesionistë që në moshën e tyre shtatëvjeçare. Të rinjtë ndaheshin sipas grup moshave të tyre dhe ata jetonin në bashkësi ushtarake.

 

Stërvitja

Të rinjtë menjëherë përfshiheshin në stërvitje të lodhshme për të rritur fuqinë e tyre dhe fshikulloheshin me kamxhik në Altarin e Artemidës për të zhvilluar aftësinë për të përballuar dhimbjet. Madje, ata garonin mes tyre se kush mund të duronte më shumë goditje.

 

Pas moshës 20 vjeçare, stërvitja ashpërsohej edhe më shumë. Mirëpo, pikërisht për shkak të këtij regjimi të rreptë ata mund të fitonin ndaj cilësdo ushtri tjetër greke. Prandaj, nuk është befasuese që përgjatë shekujve të ekzistimit të tyre ata nuk kishin nevojë për ndërtimin e fortifikimeve.

 

Trimëria dhe të qenët të drejtpërdrejt

Përpos reputacionit se ishte vatani i luftëtarëve trima, Sparta njihej edhe për zhvillimin e retorikës së pakët, por të pasur me domethënie. Plutarku shkruan se spartanët nuk flisnin shumë, por që ajo që e thonë e kaplon vëmendjen e atyre që i dëgjon pasi që ata janë shumë të drejtpërdrejt. Komedia e humbur greke (nga e cila njihen vetëm disa fragmente), e kishte një replikë që thotë: “Më pak se një letër e dërguar nga Sparta”. Edhe sot e kësaj dite e folura e shkurtër dhe thelbësore njihet si e “folur lakonike”.

 

Lufta kundër korrupsionit dhe lakmisë

Pasuritë materiale dhe gati të gjitha punët jashtë ushtrisë nuk ishin të dëshiruara sipas traditave spartane. Hekuri ishte metali i vetëm nga i cili punoheshin paratë, kurse ari dhe argjendi ishin të ndalura. Sipas Plutarkut, duke qenë se ata i përdornin vetëm paratë e metalit, nevojiteshin shumë monedha për të arritur ndonjë vlerë materiale, prandaj duhej që sasi të mëdha të monedhave të barteshin me qerre dhe të ruheshin në trezor tepër të mëdhenj.

 

Ndonëse tingëllon si jo praktike, në këtë mënyrë spartanët pothuajse e pamundësuan korrupsionin dhe hajninë. Në Spartë nuk ishte e lehtë që të shijohej pasuria dhe ishte pothuajse e pamundur që ajo të fshihej. Prej këtej vjen edhe shprehja jeton si spartan për dikë që jeton në kushte minimale.

 

Shtypja e dembelizmit

Luftëtarët spartanë duhej të ishin të fuqishëm, dhe kjo vlente posaçërisht për meshkujt e rinj të cilët ishin në stërvitje. Sipas shkrimeve të historianit grek Ailianit, zakoni spartan kërkonte nga të rinjtë që kohë pas kohe të dilnin lakuriq në publik, në mënyrë që të gjithë të mund të vlerësonin fuqinë e trupit të tyre.

 

Këto kontrolle rutinë zhvilloheshin çdo dhjetë ditë dhe nga të rinjtë kërkohej që të dukeshin të shëndetshëm dhe të fuqishëm. Të gjithë ata që dukeshin të squllët, të trashë apo të dyja, rriheshin dhe dënoheshin.

 

Frikacakëria

Ksenofoni e jep një listë të detajuar të pasojave të tmerrshme me të cilat duhej të përballej një ushtar spartan që do të tregohej frikacak. Sipas shkrimeve të tij, askush nuk pranonte të hante bashkë me ta, apo të bënte mundje në gjimnaz. Ata nuk përzgjidheshin kurrë për t’u bërë pjesë e ekipeve për lojëra, duhej t’ua lironin rrugën të tjerëve, t’ua lironte vendin të rinjve, asnjë femër nuk pranonte që të martohej me ta, dhe nëse në çfarëdo mënyre do të tentonin të tregoheshin trima para të tjerëve, ata rriheshin.

 

Helotët

Spartanët i kishin robërit e tyre të cilët i quanin helot dhe të cilët i kryenin punët bujqësore, shërbenin në shtëpitë e tyre dhe i kryenin të gjitha punët që i pengonin spartanët në përmbushjen e obligimeve ushtarake. Helotët ishin kryesisht grek të robëruar nga spartanët, dhe pas çdo ekspedite ushtarake, numri i tyre rritej. Pas përfundimit të Luftës së Mesenisë në shekullin e tetë p.e.s., spartanët e pushtuan Meseninë dhe banorët e saj i shndërruan në helot.

 

Platoni pohon që spartanët kishin kyçe të posaçme në dyert e tyre, sepse nuk iu besonin robërve të tyre. po ashtu, ata e kishin edhe një polici të fshehtë të quajtur krypteia, e cila e mbikëqyrte sjelljen e helotëve. Sipas Plutarkut krypteia kishte të drejtë të vriste cilindo rob që e zinte jashtë gjatë natës.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE