SPINALONGA – ISHULLI I TË VDEKURVE TË GJALLË

 

Ishulli grek i Spinalongas, në pjesën lindore të Kretës, njihet edhe si “ishulli i të vdekurve të gjallë” dhe “ishulli i vuajtjeve”. Ndërsa tuneli i ulët përmes të cilit kalohet edhe sot, pas zbarkimit në ishull, quhet Porta e Dantes. Kjo sepse, toka shterpë, por magjepsëse e Spinalongas ishte shtëpia e qindra njerëzve të sëmurë – të vdekurve të gjallë, të dëbuarve nga bota.

 

Ishulli i Lebrozëve

Emri i lashtë i Spinalongas ishte Kalidonia, ndërsa thuhet se emrin e tij aktual ia kanë lënë Venedikasit. Ky emër krijohet nga dy fjalë – ‘spina’ që do të thotë gjemb dhe ‘longa’ që do të thotë i/e gjatë.

 

Spinalonga mbeti nën sundimin e Venedikut edhe pasi pjesa tjetër e Kretës u pushtua nga osmanët, dhe kur turqit u larguan nga Kreta në vitin 1903, Spinalonga u bë përsëri pjesë e Greqisë.

 

Si i tillë ky ishull e ka një trashëgimi të pasur historike, por fama e tij botërore nuk buron nga kjo trashëgimi. Fatkeqësisht, ai deri vonë ai njihej si “Ishulli i Lebrozëve”, pasi që nga viti 1903 deri në vitin 1957, Spinalonga ishte një nga kolonitë e fundit aktive të lebrës në Evropë. Madje, gjatë një periudhe ajo i kishte pothuajse 400 banorë.

 

Çka është lebra

Lebra është një sëmundje kronike infektive e njohur që nga kohërat antike. Ajo njihet edhe si sëmundja e Hansenit (HD), dhe shkaktohet nga bakteri Mycobacterium leprae ose Mycobacterium lepromatosis, i cili tani trajtohet me sukses me antibiotikë.

 

Simptomat e lebrës ndryshojnë nga pacienti në pacient, mirëpo kryesoret dhe më të zakonshmet janë vdekja e nervave, dëmtimi i traktit respirator, lëkurës dhe syve si dhe ndryshimet në enët e gjakut për shkak të trashjes së gjakut. Si rrjedhojë, pacientët e humbin ndjenjën e të ftohtit, nxehtësisë dhe dhimbjes, prandaj ata shpesh lëndohen. Në të kaluarën, përpara shpikjes së ilaçeve kundër kësaj sëmundjeje, këto lëndime infektoheshin dhe infeksionet e rënda çonin në paaftësi ose vdekje.

 

Në fillim të shekullit të 19-të, nuk dihej shumë për lebrën, as se si ajo shfaqej, as se si trajtohej, dhe besohej se ishte e trashëgueshme. Sidoqoftë, kur u zbulua se ajo ishte ngjitëse – pacientët u dërguan menjëherë në izolim.

 

Në Greqi, qendra e izolimit ishte në ishullin Spinalonga. Ka shumë histori të frikshme për ishullin, sidomos nga koha kur një koloni lebrozësh sapo kishte filluar të formohej. Ishulli nuk kishte asnjë infrastrukturë dhe njerëzit – shpesh vetëm me psoriazë – u dërguan atje për të pritur vdekjen në kushte çnjerëzore.

 

Të frikësuar nga sëmundja dhe historitë që qarkulluan, vendasit e quajtën vendin “Ishulli i të Mallkuarve” dhe “Ishulli i të Vdekurve të Gjallë”.

 

Vëllazëria e të Sëmurëve

Në mars të vitit 1936, një i ri e ndryshoi fatin e të gjithë banorëve të ishullit. Epaminondas Remountakis, një student i vitit të tretë për drejtësi në Athinë, u detyrua të shkojë në ishull pas disa viteve që e kishte fshehur dhe kishte luftuar me sëmundjen.

 

Pasi arriti në ishull, ky i ri ambicioz e themeloi “Vëllazërinë e të Sëmurëve të Spinalongës”, me dëshirën për të përmirësuar kushtet e jetesës së pacientëve. Ai ia kushtoi jetën qëllimit të tij.

 

Për herë të parë, shtëpitë në Spinalonga u lyen, u krijua një shërbim publik pastrimi, madje u ndërtua një teatër dhe një kinema, ndërsa muzika klasike shpesh mund të dëgjohej në rrugët e ishullit që vinte nga një altoparlant i dhuruar nga një pacient. Pas disa kohësh, një makinë për prodhimin e energjisë elektrike, e cila i ndriçonte rrugët natën, mbërriti në ishull.

 

Ngadalë, por me siguri, banorët e ishullit filluan të formonin një komunitet që nuk përqendrohej më vetëm në mbijetesë. Njerëzit ranë në dashuri dhe u martuan, madje lindën fëmijë që u rritën në ishull pa u infektuar kurrë.

 

Nga një “vend i mallkuar” në një atraksion turistik

Numri i pacientëve filloi të bjerë në vitin 1948, kur u prodhuan ilaçet e para për këtë sëmundje dhe “banori” i fundit u largua nga ishulli në vitin 1962.

 

Sot, Kalaja Spinalonga është vendi i dytë më i vizituar arkeologjik në ishullin e Kretës, pas pallatit të Knossos.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE