STUDIM GLOBAL: RRITJA DRAMATIKE E LIQENEVE AKULLNAJORE

Ngrohja globale është një prej pasojave më të rënda të shkaktuara nga moskujdesi i njerëzimit për ruajtjen e mjedisit jetësor. Efektet e saj na prekin të gjithë neve mirëpo, në disa zona ndikimi i ngrohjes globale manifestohet me pasoja katastrofale. Posaçërisht të rrezikuara nga ky fenomen janë zonat në afërsi të liqeneve akullnajore të cilat i grumbullojnë ujërat pas shkrirjes së akullnajave.

 

Në një prej studimeve më të mëdha të liqeneve akullnajore deri tani, studiuesit kanë zbuluar se që nga viti 1990 sipërfaqet e këtyre liqeneve në mbarë botën janë rritur për rreth 50%, si pasojë e shkrirjes së akullnajave. Ky studim, i cili bazohet në të dhënat dhe regjistrimet e siguruara nga NASA, do t’iu ndihmojë shkencëtarëve që t’i vlerësojnë rreziqet për vendbanimet poshtë rrjedhave të këtyre liqeneve.

 

Autori kryesor i këtij hulumtimi Dan Shugar nga Universiteti i Calgary në Kanadë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij nga qeveritë dhe universitet në Kanadë, SHBA dhe Britaninë e Madhe, do t’i shfrytëzojnë të dhënat dhe incizimet satelitore të NASA-së për të studiuar njëzet liqene akullnajore nga zonat e larta malore si Himalajet, rrafshnalta e Tibetit, Andet, etj.

 

Për dallim nga liqenet e zakonshme, në të cilat ne jemi mësuar që të notojmë apo të dalim me varka, në liqenet akullnajore krahas ujit grumbullohet edhe akull dhe morenë (gurë, rërë, lym dhe sedimente të tjera të bartura nga akulli). Për shkak se këto liqene gjenden në zona malore shumë të larta, rrëshqitja e akullit dhe morenës i bën ato të paqëndrueshme dhe shpesh shumë të rrezikshme, pasi që mund të shkaktojnë përmbytje dhe të shkatërrojnë vendbanime të tëra. Një përmbytje e tillë e ka përfshirë luginën Hunza në Pakistan në maj të këtij viti. S’do mend që përmbytjet e tilla kanë pasoja fatale për njerëzit, kafshët vendbanimet dhe infrastrukturën.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE