“TË FORMËSOJMË TË TASHMEN PËR NJË TË ARDHME MË TË MIRË”

 

“Të formësojmë të tashmen për një të ardhme më të mirë” kjo, siç shumë prej jush mbase e dinë, është motoja e Komandantit të ri të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia. Kjo moto e thekson se sa të rëndësishme janë veprimet dhe përkushtimi ynë sot për një të nesërme paqësore së bashku. Në këtë frymë, gjatë muajit nëntor, Komandanti i KFOR-it e vizitoi Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët (SHFMU) “Faik Konica” në Prishtinë dhe Shkollën Fillore (SHF) “Branko Radiqeviq” në. Mitrovicën Veriore.

 

Edukimi i gjeneratave të reja është çelësi i një shoqërie paqësore dhe demokratike

Gjatë vizitës në SHFMU “Faik Konica” në Prishtinë, Komandanti Ristuccia u takua me drejtoreshën e shkollës znj. Jehona Oruçi. Gjatë këtij takimi Gjenerali Ristuccia e njoftoi drejtoreshën Oruçi se vizita e tij në këtë shkollë ishte rezultat i bindjes së tij të thellë se edukimi i brezave të rinj është çelësi i krijimit të një shoqërie demokratike në të cilën njerëzit jetojnë në paqe dhe harmoni. Komandanti Ristuccia, po ashtu, theksoi se përveç përgatitjes akademike të fëmijëve, mësuesve u takon që t’ua mësojnë atyre rëndësinë e të kuptuarit të diversitetit të tyre me të tjerët dhe gjithashtu që ta pranojnë atë. Diversiteti është një vlerë, një pikë e fortë, ai i ndihmon të gjithë që të rriten. Ai nuk është një sfidë, por një mundësi për të kuptuar se pse njerëzit mendojnë dhe veprojnë ndryshe.

 

Mirënjohje për përpjekjet e KFOR-it

Nga ana e saj, drejtoresha Oruçi e falënderoi Komandantin Ristuccia për vizitën e tij dhe e shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin dhe ndihmën që KFOR-i ia ka dhënë disa herë kësaj shkolle në të kaluarën. Më pas, drejtoresha Oruçi foli për specifikat e kësaj shkolle në lidhje me punën që bëhet në këtë institucion arsimor. Ajo foli edhe për sfidat me të cilat përballen aktualisht nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke filluar nga vonesa e fillimit të vitit akademik për shkak të grevës së sektorit arsimor e deri te pasojat e pandemisë COVID-19. Të dyja palët ranë dakord se këto sfida janë ngarkesë për të gjithë.

 

Një program special për një të ftuar special

Me një frymë mikpritjeje u karakterizua edhe vizita në SHF “Branko Radiqeviq”. Për më tepër, nxënësit e kishin përgatitur një program të shkurtër kulturo-artistik për nder të mysafirit të shquar në shkollën e tyre. Komandanti Ristuccia më pas e vazhdoi vizitën në një takim me shefin e administratës së shkollës z. Ivan Zaporozhac si dhe drejtoreshën e shkollës Biljana Vukiqeviq. Porosia që u dha edhe në këtë takim nga Komandanti Ristuccia ishte e ngjashme dhe e përsëriti bindjen e tij se edukimi i brezave të rinj është çelësi i një shoqërie demokratike dhe paqësore.

 

Asgjë nuk mund të arrihet pa mësuar dhe lexuar

Gjatë vizitave të tij, Komandanti Ristuccia u takua edhe me shumë prej nxënësve në të dyja shkollat. Ai i porositi të gjithë ata që të punonin fort. “Udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës, mjekët, inxhinierët apo mekanikët mund të jenë të pranishëm në klasat tuaja, por për të arritur këtë ju duhet të vazhdoni të mësoni dhe të lexoni”, theksoi Komandanti Ristuccia.

 

“KFOR-i mbetet i përkushtuar për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë duke formësuar të tashmen”

Gjatë takimeve të tij me nxënësit në të dyja shkollat, Komandanti Ristuccia i porositi ata që t’i përshëndetnin prindërit e tyre dhe t’ua rikujtonin atyre se KFOR-i mbetet i përkushtuar për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë duke formësuar të tashmen. Pas secilës vizitë u bënë foto grupore që pa dyshim do të jenë një kujtim i këndshëm për të gjithë të pranishmit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE