T’I MËSOJMË DHE T’I PËRSOSIM GJUHËT!

Mësimi ka kaluar në klasat virtuale. Pjesa më e madhe e materialeve janë duke u vijuar përmes internetit. Mirëpo, krahas mësimeve shkollore, në dispozicion janë edhe materiale të tjera, falë të cilave do të pasuroni njohuritë e juaja. Përsosja e gjuhëve të huaja është një prej tyre. Shikoni se cilat janë disa prej platformave online përmes të cilave mund të mësoni gjuhë të reja dhe t’i përsosni ato që tashmë i flisni.

 

Duolingo

Duolingo është platformë falas për mësimin e gjuhëve e cila pa ndonjë promovim të veçantë është kthyer në mënyrën më të popullarizuar për të mësuar gjuhët e huaja online. Për popullaritetin e saj flasin numrat, pasi që ajo i ka mbi 300 milionë përdorues.

 

Duolingo, ka përmbajtje të larmishme për mësimin e gjuhëve të huaja përmes programit të posaçëm për shkolla si dhe audio skedarë (podcasts), tregime, harta, e madje e ka edhe fjalorin vet. Ai është në dispozicion për telefonat Android, iOS dhe Windows.

Themeluesit e Duolingo janë Luis von Ahn, profesor në Universitetin Carnegie Mellon në Pitsburg, Pensilvani, shpikës i “CAPTCHA” dhe i cili ia ka shitur dy kompani të tij gjigantit Google, dhe Severin Hacker, i cili ka doktoruar në universitetin e njëjtë sikurse Ahn.

 

“HelloTalk”

Kjo platformë/aplikacion, është më pak i njohur por, popullariteti i saj është vazhdimisht duke u rritur. Ajo që është posaçërisht interesant në lidhje me të, është se gjuhën e mësoni përmes bisedave (chat) me folës burimor, përmes kontaktit të drejtpërdrejt, dhe jo përmes robotëve, shikimit të video incizimeve, të lexuarit apo dëgjuarit e incizimeve.

Në të mund t’i mësoni rreth 150 gjuhë dhe kjo platformë i ka mbi 18 milionë përdorues me të cilët mund të bisedoni (chat) dhe të mësoni gjuhën.

Kjo platformë po ashtu, ju mundëson që të specifikoni nivelin tuaj gjuhësor, mund të shfrytëzoni përmirësimin automatik të fjalive në varësi të gjuhës në të cilën i shkruani bashkëbiseduesit, përkthimin, transliterimin, shqiptimin e fjalëve, bisedat (chat) grupore, dhënien e komenteve, pëlqimin e fotografive…

 

“Fable Cotagge” – Shtëpiza e Përrallave

Versionet e reja të përrallave të njohura të cilat janë përgatitur posaçërisht për ata që duan të mësojnë gjuhë të reja, mësuesit dhe për këdo që kënaqet duke dëgjuar përralla – kështu e përshkruajnë veten Shtëpiza e Përrallave.

Përrallat mund të qasen në versionet audio dhe me video në gjuhën angleze, franceze, spanjolle, italiane dhe gjermane.

Të gjitha përrallat tregohen nga njerëzit dhe jo nga përkthyesit automatik. Në dispozicion është edhe “teksti paralel”, kështu që teksa e dëgjoni përrallën në frëngjisht, spanjisht, italisht apo gjermanisht, me të shtypur pullën “translation” do të shihni edhe përkthimin në gjuhën angleze.

 

Voc-up

Në fund, ua rikujtojmë edhe platformën për mësimin e gjuhës serbe dhe asaj shqipe – Voc-up. Kjo platformë përmban video leksione për të mësuar gjuhën shqipe dhe serbe (nivelet A1 dhe A2), shpjegime tekstuale, ushtrime dhe fjalorin e shprehjeve të reja, video incizime të posaçme me terminologji që përdoret në institucione, fjalorin online dhe mund të luani edhe kuize.

Krahas faqes së internetit, Voc-up është në dispozicion edhe si aplikacion për Android apo iOS. Shfrytëzimi i Voc-up është tërësisht falas.
Tani keni kohë, andaj provoni këto aplikacione dhe mos harroni: “Sa gjuhë i dini aq njerëz vleni!

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE