Specialitete kulinare të gatuara në shtëpi, turshi, rroba të punuara me dorë, çanta dore, bizhuteri, lule, balsam, përzierje bimore dhe lodra ishin vetëm disa nga artikujt që e tërhoqën interesin e vizitorëve në tregun e komunitetit të mallrave të përziera multietnike në Urën Austerlitz në Mitrovicë. Organizuar nga Community Building Mitrovica (CBM) si pjesë e projektit “Pajtimi dhe Transformimi i Konflikteve” të mbështetur nga USAID në Kosovë, kjo ngjarje e kishte për qëllim të promovojë zhvillimin e përbashkët
ekonomik dhe lidhjen multietnike në nivel lokal.
Produktet dhe punimet e ekspozuara në treg ishin krijuar kryesisht nga gratë e komunitetit shqiptar, serb, boshnjak dhe turk. “Nëse politika nuk mund të na afrojë, puna, arti, dashuria, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe gjëra të tjera pozitive duhet ta bëjnë këtë”, tha për Revistën 4You, Ljiljana Drazevic, nga Mitrovica Veriore. E njohur për punimet e saj unike të thurura me dorë, këtë herë ajo e prezantoi një koleksion të quajtur ‘Inspiration’. Ajo thotë se punimet e saj nuk janë “thurje klasike, antike”, por një shkrirje e modës dhe artit të gërshetuar me dashurinë për këtë zanat. Përpos që bën shalle, mantele, asura, asaj i pëlqen të bëjë qilima nga çanta të ricikluara, të cilat u pritën mirë edhe nga ushtarët e KFOR-it të vendosur në urë. Ajo beson se ngjarje të ngjashme duhet të organizohen më shpesh. “Kështu bëhemi më të dukshëm. Është një formë reklamimi dhe bashkëpunimi që duhet të jetësohet. Këta janë disa nga hapat e parë që shpresojmë të bëhen më të mirë dhe më të mëdhenj”, tha Liljana. Sa i përket blerësve, ky treg e ofroi një mundësi të veçantë për të blerë gjithçka në një vend.
Vendi i duhur, njerëzit e duhur!
E specializuar në bizhuteri dhe punime me grep, Gulshen Llapashtica, nga Mitrovica e Jugut, na tha se produktet e saj i pasqyrojnë kërkesat sezonale duke filluar nga tregjet lokale e deri në Stamboll. Gjatë verës janë bizhuteritë dhe çantat verore, dhe në dimër shallet dhe dorezat. Ka blerës të interesuar për punimet e saj, por ajo që është më e rëndësishme për të është rëndësia e këtij aktiviteti. “Qëllimi i tregut është i mirë – koha e duhur, vendi i duhur, njerëzit e duhur! Ky treg mund të më ndihmojë shumë në të ardhmen sepse është edhe një reklamë. Na vjen i gjithë qyteti dhe na vizitojnë. Ata kanë informacion se ne jemi sot këtu. Shumicën e klientëve të mi i kam fituar përmes reklamave gojore dhe rrjeteve sociale, ky treg është një mbështetje për të ardhmen”, beson Gulsheni. Në një shfaqje pozitive të gjithëpërfshirjes, në një nga stendat e këtij tregu e gjetën vendin e tyre edhe anëtarët e organizatës “Together”, e përbërë nga persona me aftësi të kufizuara. Ndonëse janë aktiv në prodhimin e bizhuterive dhe i shesin punimet e tyre artizanale në organizatën e tyre, ata gjithmonë gjejnë kohë për t’iu përgjigjur veprimeve të tilla. “Ne gjithmonë marrim pjesë kur CBM, dhe çdo organizatë tjetër, organizon ngjarje të tilla. Na pëlqen të vijmë, të tregojmë se çfarë bëjmë, por edhe të shohim se çfarë po bëjnë gratë e tjera. Nuk është aq e rëndësishme të shesësh, sa është e rëndësishme të lidhesh dhe njihesh me femra të tjera nga komunitete të ndryshme”, deklaroi Merita Voca në emër të organizatës “Together” nga Mitrovica e Jugut.
Gratë si nismëtare të ndryshimit pozitiv
Qëllimi i këtij manifestimi ishte që të lidhë bizneset nga Mitrovica Veriore dhe Jugore, por përtej kësaj edhe që ekspozuesit t’i prezantojnë produktet e tyre para komuniteteve, të rrjetëzohen dhe të inkurajojnë zhvillimin ekonomik në nivel lokal, na tha Milivoje Raiçevic nga CBM. Siç theksoi Milivoje, femrat janë aktoret kryesore të këtij manifestimi, gjë që flet vetëm për rëndësinë e rolit të tyre në komunitetin lokal. Janë ato që janë më pragmatike dhe praktike për sa i përket organizimit të çdo aksioni në nivel lokal. Synimi ynë është ta kthejmë këtë treg në një aktivitet që do të mbahet rregullisht çdo vit”, shtoi ai. Ndërsa vizitorët shëtisnin nëpër tezgat shumëngjyrëshe dhe shitëset miqësore dhe të buzëqeshura, ky treg ishte një testament i vërtetë se gratë janë me të vërtetë nismëtaret e ndryshimeve pozitive dhe pajtimit mes komuniteteve.
Sipas pjesëmarrësve dhe ekspozuesve, si dhe blerësve në tregun multietnik, mësuam se qëllimi i këtij manifestimi u arrit. Përveç prezantimit dhe shitjes së produkteve, ky treg shërbeu edhe si platformë për krijimin e rrjeteve dhe lidhjeve multietnike. Pjesëmarrësit dhe organizatorët shprehin shpresën se ky treg do të bëhet një manifestim i rregullt vjetor që do të kontribuojë në një kuptim dhe lidhje më të mirë të komuniteteve të ndryshme në Mitrovicë. Së fundi, kjo ngjarje mund të shërbejë si shembull se si komunitetet mund të punojnë së bashku për të ndërtuar besimin dhe bashkëpunimin ndëretnik.