TRENDËT MË TË RI TË STËRVITJES

 

Gjatë pesë viteve të fundit, stërvitjet me intervale me intensitet të lartë të njohura shkurt si HIIT (High-intensity interval training), janë kthyer në një nga format më të popullarizuara, por edhe kontroverse të stërvitjes.

 

Ky lloj i stërvitjes zhvillohet në intervale të shkurtra të stërvitjes, por me intensitet të lartë, të ndërthurura në mes me pauza të shkurtra. Janë testuar dhe provuar lloje të ndryshme të stërvitjes HIIT, për të cilat është folur mjaft shumë, të cilat nganjëherë janë përqeshur nga ana e shumë studiuesve, trajnerëve, gazetarëve, personave me ndikim, dhe nga pothuajse të gjithë personat e interesuar për fitnes. Gjithsesi, zinxhirët e palestrave dhe orët onlajn janë specializuar për stërvitje HIIT, ndërsa dhjetëra studime shkencore pothuajse çdo muaj vazhdojnë të hulumtojnë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Pothuajse në çdo aspekt, stërvitjet HIIT janë një temë e nxehtë në këtë fushë.

 

A është stërvitja HIIT e dobishme për trupin tonë?

Arsyeja për gjithë këtë zhurmë në lidhje me stërvitjet HIIT është se duke qenë një risi në fushën e sportit dhe mirëqenies ajo ende përmban shumë të panjohura dhe pyetje që kërkojnë përgjigje si: A është kjo stërvitje e mirë për trurin dhe zemrën tonë? A ndikon ajo në jetëgjatësinë tonë? a e zvogëlon masën e belit? A është më e mirë në planin afatgjatë, se sa një shëtitje e përditshme? Apo, çka do të thotë stërvitje intensive?

Çka është stërvitja HIIT?

Në kuadër të stërvitjes HIIT me forcë apo intensitet të lartë ju zhvilloni një aktivitet çfarëdo qoftë sportiv si vrapimi, notimi, kërcimi, ngritja e peshave për disa minuta apo edhe sekonda. Më pas ngadalësoni apo ndaloni që të pushoni për një periudhë të shkurtër kohore, dhe më pas e përsëritni sekuencën e njëjtë edhe tri ose katër herë të tjera. Qëllimi është që të sfidoni sistemin tuaj kardiovaskular dhe muskujt gjatë secilit interval, por gjithmonë duke u kujdesur që të mos arrini pikën rraskapitjes ekstreme ose lëndimit, thotë Martin Gibala, studiuesi i shquar dhe profesori dhe drejtuesi i Departamentit të Kineziologjisë në Universitetin McMaster në Hamilton në Kanada. Arsyeja pse stërvitjet HIIT janë tërheqëse për shumë njerëz është se ato mund të jenë mjaft të shkurtra, pasi që shpesh nuk zgjasin më shumë se gjithsejtë dhjetë minuta.

 

Stërvitja HIIT është njohur qëmoti

Kjo qasje, sigurisht nuk është risi në stërvitje. Sportistët që kërkojnë përmirësimin e performancës së tyre qëkur mbahet mend i kanë ndërthurur në stërvitjet e tyre të zakonshme intervale të shkurtra me intensitet të lartë. Mirëpo, risia është që tani stërvitjet HIIT promovohen si forma e vetme e stërvitjes që kemi nevojë ta zhvillojmë, dhe jo si shtojcë në kuadër të stërvitjeve të tjera më të gjata dhe më gjithëpërfshirëse.

 

Në ndërkohë, vrapimi i ashtuquajtur fartlek është kthyer në një prej formave më të popullarizuara të stërvitjes HIIT. Termi fartlek vjen nga gjuha suedeze që do të thotë lojë me shpejtësi. Në kuadër të këtij lloji të stërvitjes seancat e zakonshme të vrapimit ndërthuren me intervale të vrapimit me shpejtësi të lartë. Kështu për shembull gjatë vrapimit ju e fiksoni një objekt si një shtyllë apo diçka të tillë përpara jush dhe përnjëherë e rritni shpejtësinë e vrapit deri sa ta arrini objektin në fjalë dhe më pas e ulni ritmin tuaj. Këtë veprim e përsëritni disa herë. Ajo që ka rëndësi është që në këto raste nuk keni nevojë që ta kontrolloni pulsin, të kontrolloni distancën, apo që ta matni kohëzgjatjen e secilit interval. Mjafton që të orientoheni me objektet përreth jush.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE