UNICEF-I VAZHDON T’I MBËSHTES INSTITUCIONET PUBLIKE NË KOSOVË

Dje zyra e UNICEF-it në Kosovë bëri të ditur se është duke e vazhduar përkrahjen e vet për institucionet publike të Kosovës. Në kuadër të kësaj përkrahjeje, kjo zyrë njofton se me përkrahjen e Qeverisë së Luksemburgut, e ka dorëzuar edhe një donacion me pajisje mjekësore, gjegjësisht 40 Koncetrues të Oksigjenit, të cilët janë të dedikuar për Qendrat e Kujdesit Primar Shëndetësor në Kosovë.

 

Këtë njoftim zyra e UNICEF-it e bëri përmes llogarisë së tyre në Facebook ku në mes të tjerash theksoi se janë duke vazhduar me përkrahjen e institucioneve publike në reagimin ndaj nevojave të fëmijëve dhe komunitetit gjatë pandemisë së COVID-19. Me qëllim që të rritet qasja në produkte cilësore dhe të sigurohet furnizim me terapi të oksigjenit për fëmijët dhe të rriturit në gjendje të vështira shëndetësore në kontekstin e COVID-19, Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Qeveria e Luksemburgut po i përkrahin qendrat e Kujdesit Primar Shëndetësor në mbarë Kosovën duke iu ofruar 40 Koncentrues të Oksigjenit, thuhet më tej në postimin në fjalë.

 

Zyra e UNICEF-it bëri të ditur më tej se me rastin e dorëzimit të këtij donacioni znj. Natacha Gomes, Shefe e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut tha: “Është inkurajuese të shihet se si kjo mbështetje shkon në Qendrat e Kujdesit Parësor në nivelin Komunal, e të cilat ndryshe mund edhe të mos marrin ndonjë mbështetje direkte të ndërlidhur me COVID -19, por në anën tjetër janë në nevojë sepse janë të parat që ballafaqohen me njerëzit të cilët janë të sëmurë.”

 

Që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Luksemburgut dhe me përkrahjen e tyre ka ofruar mbështetje të rëndësishme dhe të konsiderueshme për Ministrinë e Shëndetësisë, duke ofruar pajisje të mbrojtjes personale për punëtorët shëndetësorë dhe duke e përkrahur programin e imunizimit.

 

Në fund të postimit të tyre UNICEF e ritheksoi përkushtimin se do të vazhdojë të sigurohet që të gjithë fëmijëve dhe familjeve e tyre, dhe sidomos atyre në nevojë, do t’iu ofrohet qasje në shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE