VEGLA E RE E GOOGLE I TREGON VENDET QË KANË NEVOJË TË MBJELLIN DRUNJ

 

Google e ka krijuar një vegël të re, e cila ndihmon në identifikimin e zonave apo qyteteve, të cilat duhet t’i japin prioritet mbjelljes së drunjve. Kjo vegël është iniciuar në kuadër të të ashtuquajturit  “Environmental Insights Explorer” dhe njihet si “Tree Canopy Lab” (Laboratori i Kurorave të Drunjve).

 

“Për ta vlerësuar mbulimin me kurorat e drunjve, në i analizojmë fotografitë në kombinim me modelet digjitale 3D të sipërfaqeve, në mënyrë që të gjenerojmë modelin e probabilitetit të gjelbërimit. Të gjitha vlerat mbi një prag të caktuar klasifikohen si kurora të drunjve. Kur është e mundur, analiza përfshin edhe të dhënat për rrjetin me rreze infra të kuqe. Duke i shfrytëzuar vlerësimet e gjeneruara nga ky model, ato përmblidhen për të krijuar vlerësimin e plotë të mbulimit për çdo zonë të cekur,” shpjegojnë nga Google.

 

Kjo vegël e re e Google ka për qëllim që t’i nxis qytetet që të luftojnë kundër rritjes së temperaturave në mjediset urbane përmes mbjelljes së drunjve në zonat ku ka më së shumti nevojë.

 

Prandaj, në Google besojnë që kjo vegël do të ndihmojë në zhvillimin e politikave dhe proceseve për mbjelljen e drunjve duke i theksuar zonat me nevojat më të mëdha për drunj në bazë të dhënave të numrit të banorëve dhe rrezikut nga nxehtësia. Po ashtu, ata besojnë se kështu do të zhvillohen projekte për mbjelljen e drunjve, gjë që ndihmon në reduktimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit dhe përmirësohet cilësia e ajrit.

 

Aktualisht, Tree Canopy Lab është në fazën e testimit në Los Anxhelos, ku është konfirmuar se më shumë se gjysma e popullsisë së atjeshme jetojnë në zona me më pak se 10 për qind të mbuluara më drunj. Ekziston edhe një dallim i madh i temperaturave të pjesëve të ndryshme të qytetit. Vegla e Google e ka zbuluar se zonat më të ngrohta në përgjithësi anonin nga zonat më të banuara dhe me më pak mbulim nga drunjtë.

 

Google, po ashtu është duke e zhvilluar edhe një vegël për matjen e cilësisë së ajrit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE