VENDE TË BOTËS TË CILAT I HUTOJNË SHKENCËTARËT

Ekzistojnë disa vende në planetin tonë, të cilat janë aq misterioze sa që edhe shkencëtarët e kanë të vështirë që t’i shpjegojnë. Nëse ndonjëri prej këtyre vendeve futet në mrekullitë më të reja të botës nuk do të ishte aspak gabim. Ato duken sikur janë zhvilluar në mënyrë tërësisht të pavarur nga Toka, kurse shkencëtarët e vrasin mendjen se si ti shpjegojnë ato.

 

Shpella misterioze në Rumani

Në Rumaninë juglindore ekziston një shpellë (Shpella Movile), e cila nuk e ka parë dritën diellit tash e pesë milionë e gjysmë vite. Për këtë arsye brenda saj sundon një atmosferë tërësisht ndryshe nga sipërfaqja e Tokës. Atë e zbuluan disa punëtorë të cilët po e testonin tokën e atyshme për ndërtimin e një centrali të ri elektrik. Pasi të lëshoheni nëpër kalimet e ngushta dhe e përshkoni një numër të konsiderueshëm të tuneleve do të arrini në një liqe të sulfurit, i cili e mbush ajrin me aromën e vezëve të prishura. Sigurisht, ajri është helmues pasi që niveli i dyoksidit të karbonit aty është njëqind herë më i madh se sa në sipërfaqe. Përkundër kësaj, në këtë lokacion gjendet një ekosistem i tërë, me 33 specie të cilat mund të gjenden vetëm në këtë shpellë.

 

Bunari që “të kthen në gur”

Në qytezën Knaresborough, në veri të Uellsit, gjendet një bunar i cili të krijon përshtypjen se ka dalë nga filmat horror. Kjo, për shkak se çfarëdo që të vendoset në këtë bunar kthehet në gur. Për këtë proces, zakonisht nevojiten tre deri në pesë muaj. Dikur besohej se kjo ndodhte për shkak të mallkimit nga një shtrigë mirëpo, shkencëtarët e kanë thyer këtë mit duke e vërtetuar se objektet e vendosura në të e fitojnë shtresën e jashtme gurore për shkak të nivelit të lartë të mineraleve në ujin e bunarit.

 

Liqeni radioaktiv në Rusi

Liqeni Karachay është aq radioaktiv sa që nuk do të mund të mbijetonit afër tij as edhe një orë. Në Bashkimin e dikurshëm Sovjetik, ky liqe u shfrytëzua për hedhjen e mbeturinave radioaktive. Kjo ka shkaktuar probleme të mëdha posaçërisht, në vitin 1967, kur liqeni u tha dhe pluhuri radioaktiv u përhap në një distancë prej 1,5 kilometra dhe i preku gjysmë milionë njerëz. Sot, sipërfaqja e ujit është mbuluar me beton për të parandaluar ngjarjet e tilla.

 

Parku që zhduket në Austri

Në këtë park mahnitës, çdo vjeshtë mund të shëtiteni dhe të pushoni në ndonjërin prej stolave të shumtë. Mirëpo, nëse ktheheni në të njëjtin vend në pranverë, për ta parë këtë park do t’iu duhen pajisjet për zhytje nën ujë, pasi që parku mbulohet nga uji i Liqenit të Gjelbër (Gruner See). Në fakt, niveli i ujit të këtij liqeni rritet nga uji që vjen nga shkrirja e borës nga Malet Hochschwab që gjenden në afërsi.

 

Vallja e vetëtimave në Venezuelë

Në perëndim të këtij shteti të Amerikës Jugore, vetëtimat shfaqen 140 deri në 160 netë në vit, zgjasin nga 10 orë në ditë dhe godasin deri në 280 herë në orë. Ky fenomen fillon në orën shtatë në mbrëmje dhe zhvillohet mbi dhe rreth Liqenit Maracaibo, posaçërisht afër grykës ku Lumi Catatumbo derdhet në këtë liqe. Sipas shkencëtarëve, burimi i këtij fenomeni janë erërat e ngrohta që zhvillohen në sipërfaqen e Liqenit Maracaibo dhe fushave kënetore përreth të cilat më pas ndeshen me erërat e ftohta që vijnë nga kreshtat e larta të maleve Perija dhe Merida Cordillera të cilat janë pjesë e Andeve që e rrethojnë liqenin nga tri anë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE