VENDE TË PABESUESHME NË BOTË TË CILAT NUK E KENI DITUR QË EKZISTOJNË

 

Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë kur e shohim se sa bukuri të pazbuluara i ofron planeti ynë. Në këtë artikull do t’ju dërgojmë në tri kontinente dhe do t’i zbulojmë disa prej vendeve më të bukura në botë, por që janë të panjohura.

 

Liqeni Abraham në Kanada

Ky liqe gjendet në rajonin e Albertas, dhe ai njihet për flluskat e ngrira të cilat shihen nën sipërfaqen e ujit. Për këtë arsye tash e sa vite ky vend ka tërhequr fotografë nga e mbarë bota të cilët dëshirojnë që të fotografojnë këtë fenomen. Flluskat krijohen sepse bimët në fund të liqenit krijojnë metan, flluskat e të cilit i afrohen sipërfaqes ku temperatura është më e ulët dhe për këtë arsye flluskat ngrihen dhe depozitohen njëra nën tjetrën.

 

Shpella e kristaleve në Meksikë

Mos u ndjeni keq nëse nuk keni dëgjuar për këtë vend, pasi që deri në vitin 2000, kjo shpellë ishte e panjohur për të gjithë. Atë e zbuluan rastësisht dy vëllezër teksa kërkonin argjend. Në shpellë gjenden kristale 11 metra të gjata dhe deri në 55 ton të rënda. Për ta vizituar atë duhet të keni me vete pajisje mbrojtëse sepse temperatura brenda saj është 58 gradë celsius dhe ajo ka lagështi tejet të lartë.

 

Gropa e kaltër e Dinit (Dean’s Blue Hole)

Kjo gropë e kaltër pothuajse nuk ka fund! Në fakt, ajo është 202 metra e thellë, gjë që e bën gropën më të thellë në botë në ujërat detare. Duhet theksuar se në këtë rast nuk është vetëm gropa që është mbresëlënëse, pasi asaj i bashkëngjitet edhe plazhi me rërë dhe tërë mjedisi që e rrethon këtë gropë.

 

Ujëvarat Iguazu në Argjentinë

Mbase këto ujëvara nuk bëjnë edhe aq shumë pjesë në kategorinë e vendeve të panjohura pasi që krahas ujëvarës së Niagarës dhe Ujëvarës Viktoria, këto ujëvara janë një vend që duhet parë patjetër. Sidoqoftë, këto ujëvara janë një mrekulli më vete pasi që në çdo sekondë i qarkullojnë rreth 53 mijë metra kub ujë!

 

Lençóis Maranhenses në Brazil

Ky është një Park Kombëtar i cili shtrihet në një sipërfaqe paksa më të madhe se 300 kilometra katrorë. Kurse, gjatë periudhës së sezonit të shirave aty krijohen liqene të vogla, të cilat kthehen në shtëpinë e shumë llojeve të peshqve dhe guacave, prandaj mos u hutoni nga pamja e këtij vendi që duket si shkretëtirë.

 

Shpellat e Mermerit (Cavernas de Marmol) në Kili

Një emër tjetër me të cilin njihet kjo mrekulli natyrore është Katedralja e Mermertë, dhe ajo gjendet në Kili dhe në Argjentinë. Ajo njihet edhe për troftat dhe gjuetinë e salmonit. Kjo Katedrale, në fakt është një labirint i shpellave, kurse muret e mermerit, e krijojnë një peizazh të mahnitshëm. Në të vërtetë të arrihet deri në këtë vend është mjaft e vështirë, sepse ajo gjendet 1500 kilometra larg qytetit të Santiagos, dhe kësaj distance duhet t’i shtohet edhe vozitja e gjatë me anije.

 

Kanali Lemaire

Ky kanal i gjatë disa dhjetëra kilometra dhe goxha i gjerë në mes të maleve në ishullin Booth, dhe Gadishullit të Antarktikut, njihet edhe me emrin Kanali Kodak, sepse është një shënjestër e vazhdueshme e fotografëve. Ndoshta sot do t’i shkonte edhe më shumë emri Kanali Instagram, mirëpo atë mund ta vizitoni vetëm gjatë kohës që nuk është i ngrirë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE