VETËTIMA DHE MURMURIMA

 

Vetëtima është shkarkimi i dukshëm i elektricitetit atmosferik natyral me kohëzgjatje shumë të shkurtër dhe tension të lartë në mes të një reje dhe tokës ose përbrenda një reje, i përcjellë nga një ndriçim i fortë dhe zakonisht edhe nga murmurima. Përgjatë historisë ky fenomen i ka mahnitur njerëzit në mbarë botën dhe në shumë kultura vetëtima e kishte perëndinë e saj. sot e kësaj dite, vetëtimat mbesin mister, ndërsa shumë prej nesh nuk janë të vetëdijshëm se ekzistojnë lloje të ndryshme të vetëtimave.

 

Llojet e vetëtimës

Ndarja më e zakonshme e vetëtimave bëhet në bazë të drejtimit të rrugëtimit të tyre kur ato paraqiten. Rrjedhimisht ato ndahen në tri lloje kryesore: vetëtimat nga retë drejt tokës, vetëtimat nga retë drejt ajrit dhe vetëtimat nga retë në re. Prej këtyre tri llojeve të sipërpërmendura, më të zakonshmet për shumicën e njerëzve janë vetëtimat nga retë drejt tokës. Mirëpo, gjërat bëhen vërtetë interesante kur bëhet fjalë për ndarjen e vetëtimave sipas formës së tyre. Disa prej formave më të rralla, më të çuditshme dhe më të frikshme që ndodhin janë:

 

Vetëtima sferike

Sikurse edhe sugjerohet nga emri i tyre, ky lloj vetëtime e ka formën e një sfere dhe si e tillë është më misteriozja nga të gjitha format e vetëtimës. Për shekuj të tërë, njerëzit kanë raportuar hasjen e sferave të vogla rrotulluese të dritës – shpesh jo më të mëdha se një portokall – të cilat pluskojnë mbi sipërfaqen e tokës gjatë stuhive me vetëtima. Nganjëherë sfera ka kaluar përmes dritareve të mbyllura ose është paraqitur në mesin e një dhome, por pothuajse gjithmonë, ato zhduken nga ekzistenca pas 10 sekondave. Deri në dekadat e fundit, shkencëtarët nuk e kanë pasur idenë se kush mund të jenë shkaktarët e këtyre vetëtimave. Vetëm në vitin 2012 vetëtima sferike u regjistrua për herë të parë në kamerë, dhe që atëherë janë krijuar shumë teori për shkaqet e krijimit të tyre.

 

Kukudhi i kuq (Red Sprite)

Këto shpërthime të çuditshme të vogla të vetëtimave janë pothuajse po aq mitike sa edhe krijesat imagjinare në përralla. Këto lloje të vetëtimave janë shpërthime të kuqe në formën e kandilave të detit që vazhdojnë të vallëzojnë sipër stuhive me vetëtima. Ato fillojnë si topa të dritës dhe më pas rrjedhin teposhtë. Me sa duket ato krijohen nga goditjet e rrufesë nën retë e stuhive, gjë që e krijon një shpërputhje të ngarkesave sipër tyre. Shkencëtarët i kanë regjistruar ato për herë të parë në fund të viteve të ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta, mirëpo pilotët i kanë parë ato duke vallëzuar sipër reve për dekada të tëra më parë. Mirëpo, ata nuk kanë guxuar t’i raportojnë këto dukuri përpara se shkencëtarët t’i vërtetonin ato, për shkak të frikës se raportimi i tyre do të mund të vinte në dyshim gjendjen e tyre mendore. Sipas shkencëtarëve “Këto vetëtima zgjasin vetëm 10 mili sekonda dhe ato zhduken sa çelë e mshelë sytë.”

 

Kukudhët (Elves)

Këto vetëtima nuk dallojnë shumë nga Kukudhët e Kuq. Kukudhët janë vetëtima ultra të shpejta dhe ultra të shndritshme dhe mund të shihen sipër reve sikurse edhe Kukudhët e Kuq. Mirëpo, Kukudhët paraqiten si brerore ose unaza dhe ata nuk janë të vegjël pasi që mund të arrijnë diametër deri në 300 kilometra. Është interesant të ceket se Kukudhët e Kuq dhe Kukudhët janë pagëzuar me emrat e tyre mitik nga shkurtesat në gjuhën angleze: “SPRITE – Stratospheric/Mesospheric Perturbations Resulting from Intense Thunderstorm Electrification” dhe “ELVE – Emissions of Light and VLF perturbations from EMP events.”

 

Vetëtima e Errët

Ky lloj i çuditshëm i vetëtimës nuk prodhon shumë dritë të dukshme. Përderisa vetëtimat e zakonshme përbëhen nga elektrone relativisht të ngadalshme, të cilat bartin rryma elektrike përmes reve ose drejt tokës, vetëtima e errët përbëhet nga elektrone me energji të lartë të cilat ndeshen me copëzat e ajrit për të prodhuar rrezet e rrezikshme gama. Sipas NASA-së, këto shkrepje tokësore të rrezeve gama janë drita me energjinë më të lartë që ndodh në mënyrë të natyrshme në tokë. Ato janë aq të fuqishme sa që mund t’i verbojnë sensorët e satelitëve me qindra kilometra larg.

 

Vetëtima pozitive

Siç e kemi cekur më sipër, vetëtimat vazhdojnë të mbesin paksa misterioze për shkencëtarët. Mirëpo, teoria më e besuar se si ato funksionojnë është se teksa copëzat e akullit lëkunden në re, ato fitojnë ose humbin elektrone për të krijuar ngarkesa pozitive ose negative. Vetëtimat të cilat i shohim në të shumtën e rasteve janë nga ngarkesat negative, dhe ato shkarkohen kur elektronet me ngarkesa negative në fundin e një reje lidhen me tokën.

 

Vetëtima pozitive, në anën tjetër, i përbën vetëm 5 deri në 10 për qind të vetëtimave që i shohim. Ato vijnë nga copëzat me ngarkesë pozitive që mblidhen në majën e një reje dhe që në fund bashkohen me ato me ngarkesë negative në fund të reve të tjera. Mirëpo, kur këto të fundit nuk janë aty, si në fund të një stuhie ose kur ka erë të fortë, vetëtima pozitive mund të godasë në tokë. kjo është arsyeja pse asaj i referohen si vetëtima nga qielli i kaltër – pasi shpesh shfaqet kur qielli është i kthjellët. Pikërisht, këto vetëtima janë më të rrezikshmet. Ato jo vetëm që shfaqen pasi të ketë kaluar stuhia, por edhe prodhojnë shumë më tepër energji. Sa për ilustrim, një vetëtimë negative i prodhon 300 milionë volt dhe 30.000 amperë, vetëtima pozitive mund të prodhojë një miliardë volt dhe 300.000 amperë. Pra ajo është jo vetëm më e rrallë, por edhe më vdekjeprurëse, andaj ia vlen që të pritni edhe pak më shumë pas mbarimit të stuhisë, sa për të qenë më të sigurt.

 

Vetëtimat në të kaluarën

Në Evropën mesjetare të qenët kambanar (ata që iu binin kambanave të kishës) ishte shumë me rrezik për shkak të vetëtimave. Gjatë stuhive me murmurima ishte e zakonshme që t’iu bihej kambanave sa më shumë, sepse besohej që në këtë mënyrë parandalohej që vetëtimat të godisnin në majën e kullës së kishave. Po ashtu, besohej që zhurma e kambanave i largonte shpirtrat e ligj të cilët dëshironin të shkatërronin kishën me zjarr, si dhe besohej që kjo zhurmë i thyente vetëtimat. Këtë e dëshmojnë edhe sot e kësaj dite mbishkrimet “Fulgura Frango” (Unë i thyej vetëtimat) në kambanat mesjetare. Madje nga viti 1753 deri në vitin 1786 në Francë vetëtimat i goditën 386 kulla të kishave. Gjatë kësaj periudhe atje, në përpjekje për t’i “thyer” vetëtimat me kambana, vdiqën 103 kambanarë. Kjo do të thotë që çdo e treta vetëtimë që ka goditur në ndonjë kishë ishte fatale për dikë. Këta numra katastrofal ishin arsyeja pse në vitin 1786 qeveria franceze e ndaloi rënien e kambanave gjatë vetëtimave.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE