ZBULOHET GRABITQARI MË I MADH QË KA JETUAR NË EVROPË

 

Një dinozaur i cili është emëruar “spinosauridi i White Rock” është gjetur në tokën me më së shumti fosile në Evropë, Ishulli i Wight, ku shkencëtarët kanë zbuluar dëshmi për këtë grabitqarë të frikshëm dhëmbë mprehtë, raporton tabloidi britanik Daily Star.

 

Një dinozaur që është gjetur në Ishullin e Wight është grabitqari më i madh tokësor që ka jetuar ndonjëherë në Evropë, pohojnë shkencëtarët. Sipas ekspertëve kjo krijesë, e cila për fat të mirë nuk shëtitet më nëpër rrugët e Evropës, ishte një kombinim i T-Rexit të famshëm dhe peshkaqenit të bardhë të madh dhe ajo ishte mbi dhjetë metra e gjatë.

 

Kjo krijesë tmerruese, për të cilën supozohet se peshonte mbi 5 tonelata, e kishte edhe një sërë dhëmbësh të mprehtë si brisku, fytyrë të krokodilit dhe një bisht si kamxhik.

 

Eshtrat e fosilizuara të kësaj bishe tmerruese ku përfshihen një vertebër e madhe e legenit dhe bishtit ishin në mesin e disa copave që janë zbuluar kohëve të fundit.

 

Zbulimet dhe analizat kanë treguar që kjo kafshë kishte duar të shkurtra si ato të T-Rex dhe se ai bënte pjesë në kategorinë e spinosauridëve, që do të thotë se ishte pjesë e grupit të parë të dinozaurëve që mund të notonin.

 

Më tej, Daily Star raporton që Chris Baker, nga Universiteti i Southampton, tha që kjo bishë ishte një vrasëse e përmasave të mëdha. “Kjo ishte një kafshë e stërmadhe, mbi dhjetë metra në gjatësi, dhe duke u bazuar në disa dimensione, mbase është dinozauri grabitqar më i madh që është gjetur ndonjëherë në Evropë. Është vërtetë shumë keq që atë e njohim nga kaq pak mbetje.”

 

Këtij zbulimi tmerrues i është dhënë një emër jo zyrtar “spinosauridi i White Rock” sipas shtresës gjeologjike në të cilën është gjetur. Ndërsa Ishulli i Wight është pagëzuar me emrin “Ishulli i Dinozaurëve” pasi që aty janë gjetur më shumë eshtra të dinozaurëve se sa kudo tjetër në Evropë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE