Në shikim të parë, duket sikur Toka është e qetë dhe e qëndrueshme. Ne ecim mbi të, ndërtojmë qytete dhe planifikojmë të ardhmen sikur asgjë nuk po ndodh poshtë nesh. Mirëpo e vërteta është krejtësisht ndryshe. Thellë nën sipërfaqen e planetit diçka vazhdimisht vlon, lëvizë dhe çliron energji. Në disa vende, ky proces është aq i dukshëm sa duket sikur Toka në të vërtetë po merr frymë.
Gejzerët që nxjerrin ujë të nxehtë, çarjet që nxjerrin avull dhe vullkanet e baltës që ziejnë vazhdimisht tregojnë se planeti po ndryshon vazhdimisht formë. Këto janë disa nga vendet më të mahnitshme ku mund të shohim atë Tokë “të gjallë”.

YELLOWSTONE – SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Yellowstone (Jelloustoun) ka numrin më të madh të gejzerëve në botë. Më i famshmi, Old Faithful (Olld Fejthfëll), nxjerr ujë të nxehtë dhe avull lart në ajër në intervale pothuajse të rregullta. Nën këtë park është një sistem i madh vullkanik që ngroh ujërat nëntokësore dhe krijon shpërthime të fuqishme me avull. Nëse Yellowstone shpërthen me forcë të plotë, do të ishte një nga shpërthimet më të mëdha vullkanike në historinë e planetit, prandaj shkencëtarët po e monitorojnë nga afër çdo ditë.

ZONAT GJEOTERMALE – ISLANDË
Islanda ndodhet në kufirin e dy pllakave tektonike, prandaj është plot me burime të nxehta, avull dhe gejzerë. Toka, nëse e prekim, është e ngrohtë në shumë vende dhe energjia nga brendësia e planetit përdoret për të ngrohur shtëpitë dhe pishinat. Në Islandë, vendasit shpesh lahen në burime natyrore të nxehta, madje edhe në borë e akull, një aventurë e vërtetë për vizitorët.

VULLKANET E BALTËS – AZERBAJXHAN
Azerbajxhani ka më shumë se gjysmën e të gjitha vullkaneve të baltës në botë. Në vend të lavës, prej tyre dalin balta, uji dhe gazrat. Sipërfaqja duket sikur po zien, dhe flluskat vazhdimisht shfaqen dhe shpërthejnë. Edhe pse nuk duken të rrezikshme, disa nga këto vullkane mund të shpërthejnë papritur, gjersa njerëzit nga fshatrat përreth janë në dijeni për këtë dhe i përcjellin vazhdimisht.

SOLFATARET – ITALI
Në afërsi të Napolit ka solfatare, vrima nga të cilat dalin gazra squfuri dhe avull. Toka është e ngrohtë dhe aroma është shumë e fortë. Kjo zonë tregon se magma është afër sipërfaqes, megjithëse nuk ka shpërthim klasik. Romakët e lashtë besonin se solfataret ishin hyrja për në botën e nëndheshme dhe vendi ku perënditë “marrin frymë”.

LUSI – INDONEZI
Lusi është një vullkan balte që për vite me radhë ka nxjerrë vazhdimisht sasi të mëdha balte. Ai është aq aktiv sa ka fundosur fshatra, rrugë dhe fusha, por gjithashtu i magjeps shkencëtarët. Lusi ka nxjerrë baltë për më shumë se 15 vite pa u ndalur; kjo është sikur Toka të ketë shatërvanin e vet që zgjat për dekada.

ROTORUA – ZELANDA E RE
Rotorua është një qytet i ndërtuar në një zonë gjeotermale. Avulli del nga toka, balta vlon, gjersa gejzerët shpërthejnë papritmas. Era e squfurit është pjesë e jetës së përditshme të banorëve vendas. Në Rotorua, ushqimi ndonjëherë gatuhet duke përdorur nxehtësinë që vjen direkt nga toka, që është “një gatim i vërtetë nga toka”.

DEPRESIONI I DANAKILIT – ETIOPI
Ky është një nga vendet më ekstreme në Tokë. Këtu, kontinenti vërtet po ndahet, gjersa korja e re e Tokës formohet ngadalë. Lava, gazrat dhe çarjet krijojnë një peizazh që duket si një botë tjetër. Kjo zonë është një nga vendet më të nxehta e të banuara në botë, njerëzit vendas kanë mësuar si të mbijetojnë në temperatura që kalojnë 50°C.
TOKA NUK ËSHTË E HESHTUR – THJESHT RRALLË E DËGJOJMË ATË
Vendet ku Toka “merr frymë” na kujtojnë se bota nuk është statike. Malet, ishujt dhe kontinentet lindin dhe zhduken falë këtyre proceseve. Këto vende nuk janë vetëm pika interesante në hartë, ato janë provë se natyra ka forcë të madhe dhe ka ritmin e vetë. Ndërsa ne planifikojmë për nesër, Toka po përgatit frymëmarrjen e saj të ardhshme. Mu ashtu siç ne marrim frymë edhe ajo “merr frymë” vazhdimisht, gjithmonë e gjallë, gjithmonë në lëvizje.



