Çdo ditë shohim qindra postime online. Mesazhe nga miqtë, video në rrjetet sociale, tituj lajmesh, screenshots (pamje të ekranit) dhe histori që premtojnë lajme tronditëse. Shumica e kësaj përmbajtjeje shfaqet gjersa ne hulumtojmë shpejt nëpër ekran, shpesh pa u ndalur për të menduar. Problemi nuk është dëshira për t’u informuar. Problemi është shpejtësia. Hapësirat online janë krijuar për reagime të menjëhershme: pëlqe, shpërndaje, komento, vazhdo tutje. Kur diçka na habit, na frikëson ose na zemëron, ajo na shtyn të reagojmë menjëherë, nganjëherë pa e kuptuar të gjithë situatën. Pikërisht atëherë ndodhin gabimet.
Pse reagimi i shpejtë mund të jetë problem?
Shumica e përmbajtjes mashtruese nuk duket e rreme në shikim të parë. Ajo shpesh duket urgjente, emocionale ose e cunguar. Një titull dramatik. Një video e shkurtër pa kontekst. Një mesazh që thotë: “po ndodh tani” ose “të gjithë duhet ta shohin këtë”. Emocionet e forta na bëjnë të reagojmë më shpejt. Kur ndihemi të tronditur ose të zemëruar, ne përqendrohemi më pak te verifikimi i informacionit dhe më shumë te reagimi. Në ato momente, të menduarit kalon në plan të dytë. Shpesh ndajmë përmbajtje jo sepse jemi të sigurt që është e vërtetë, por sepse na bëri të ndiejmë diçka. Kjo i ndodh secilit prej nesh.
Platforma të ndryshme, i njëjti efekt
Një screenshot (pamje ekrani) në një bisedë grupi dhe një titull lajmi “urgent” mund të duken shumë të ndryshme. Në realitet, ato shpesh funksionojnë në të njëjtën mënyrë. Të dyja mund të tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Konteksti i rëndësishëm mund të mungojë. Imazhet mund të jenë të vjetra. Citimet mund të jenë të shkurtuara. Një postim apo një video rrallë e tregon të gjithë historinë, prandaj mbështetja vetëm te një burim mund të jetë e rrezikshme. Sot, përmbajtja mashtruese nuk shpërndahet vetëm nga njerëzit. Ajo mund të krijohet edhe përmes inteligjencës artificiale. Mjetet e IA-së mund të gjenerojnë imazhe, video, zëra dhe tekste shumë realiste brenda sekondave. Një foto që duket e vërtetë mund të mos ketë ekzistuar kurrë. Një zë që tingëllon i njohur mund të jetë plotësisht i rremë. Klipet e shkurtra të krijuara nga IA-ja mund të ndryshojnë kuptimin ose të heqin kontekstin, ashtu si pamjet e ekranit të edituara ose titujt e manipuluar. Për shkak se kjo përmbajtje duket e lëmuar dhe bindëse, ajo mund të përhapet më shpejt, ndërkohë që tregon vetëm një pjesë të së vërtetës.
Pse përmbajtja mashtruese përhapet kaq lehtë?
Platformat online shpërblejnë shpejtësinë, jo saktësinë. Sa më shpejt të përhapet diçka, aq më e dukshme bëhet. Kjo i jep përparësi përmbajtjes emocionale dhe mashtruese ndaj informacionit të qetë dhe të verifikuar, i cili zakonisht kërkon më shumë kohë për t’u përgatitur dhe shpjeguar. Inteligjenca artificiale e përshpejton edhe më shumë këtë proces duke prodhuar sasi të mëdha përmbajtjeje emocionale brenda një kohe shumë të shkurtër. Besimi luan gjithashtu një rol. Ne shpesh i besojmë përmbajtjes që ndahet nga miqtë, shokët e klasës ose anëtarët e familjes. Kur dikush që njohim ndan diçka, ajo na duket më e besueshme. Ne supozojmë se është kontrolluar tashmë, edhe kur nuk është. Por vetëm besimi nuk mjafton për të garantuar saktësinë.

Ngadalësimi na jep kontroll
Të ndalemi për një moment nuk do të thotë se jemi të ngadaltë apo të painformuar. Do të thotë se kemi kontroll. Kjo pauzë është edhe më e rëndësishme sot, kur mjetet e inteligjencës artificiale mund të krijojnë përmbajtje që duket e vërtetë në shikim të parë. Të rinjtë shpesh e dallojnë IA‑në kur ajo është e dukshme, por shumë postime të krijuara nga IA-ja janë bërë qëllimisht të duken natyrale dhe të njohura. Ngadalësimi na jep kohë të bëjmë disa pyetje të thjeshta. A duket imazhi shumë perfekt? A vjen videoja nga një burim i qartë? A po shtyn mesazhi emocione të forta pa fakte të qarta? Këto kontrolle të vogla na ndihmojnë të vërejmë kur diçka nuk është në rregull. Verifikimi i informacionit na mbron nga mashtrimi, jo sepse teknologjia është e keqe, por sepse të kuptuarit e mënyrës se si përdoret na jep fuqi. Ai gjithashtu mbron të tjerët, sepse çdo shpërndarje e paverifikuar ndihmon përhapjen e përmbajtjes mashtruese.
Pse ka rëndësi kjo?
Informacioni mashtrues mund t’i ngatërrojë njerëzit, të krijojë frikë ose të rrisë tensionet. Me kalimin e kohës, ai mund të dëmtojë besimin dhe ta bëjë më të vështirë të dimë se çfarë të besojmë online. Të jesh i kujdesshëm online nuk do të thotë të jesh perfekt. Do të thotë të jesh i vetëdijshëm. Internetit i pëlqen shpejtësia, dhe mjetet e reja si IA-ja e bëjnë atë edhe më të shpejtë. Por ne nuk jemi të detyruar ta ndjekim këtë ritëm. Të mos ngutemi para se të klikojmë, reagojmë ose ndajmë është një zgjedhje e vogël. E përsëritur çdo ditë, na ndihmon të qëndrojmë të informuar, të qetë dhe në kontroll.
Çka është dezinformimi?
Dezinformimi është informacion i rremë ose mashtrues që shpërndahet me qëllim. Ai shpesh krijohet për të ngatërruar njerëzit, për të shkaktuar emocione të forta ose për të shtyrë një mesazh të caktuar. Mund të shfaqet si tituj të rremë, imazhe të edituara, video të krijuara nga inteligjenca artificiale, zëra të klonuar ose histori që përziejnë detaje të vërteta me të pavërteta. Për shkak se kjo përmbajtje shpesh duket bindëse, shumë njerëz e shpërndajnë pa e kontrolluar. Prandaj, ndalimi për një moment dhe verifikimi i informacionit është i rëndësishëm para se të reagojmë ose ta ndajmë me të tjerët.



