TIFFANY BREZOVICË – NJË HISTORI BASHKËPUNIMI DHE BESIMI

 

Në malet e bukura të Brezovicës, ku ajri është i pastër dhe pistat e skive mirëpresin vizitorë nga të gjitha anët e Kosovës, një restorant është bërë në heshtje simbol i mënyrës se si njerëzit mund të punojnë së bashku. Tiffany Brezovicë njihet për ushqimin e tij të shijshëm tradicional, por ajo që e bën atë vërtet të veçantë është ekipi që qëndron pas tij. Aty brenda dëgjohen njerëz që flasin gjuhë të ndryshme, qeshin bashkë dhe punojnë me një qëllim të vetëm, t’i bëjnë të gjithë mysafirët të ndihen të mirëpritur.

 

Një vend i ndërtuar mbi besim

Pronari i restorantit, Lulëzim Zhubi, i cili e drejton edhe Tiffany-n në Prishtinë, u vendos në Brezovicë para njëmbëdhjetë vitesh. Ai thotë se që nga fillimi, profesionalizmi ka qenë gjëja më e rëndësishme. “Kur erdha këtu, e dija që nuk kishte kuptim të sillja punëtorë nga jashtë rajonit,” shpjegoi ai. “Këtu në Shtërpcë kemi punëtorë shqiptarë dhe serbë, dhe ajo që ka rëndësi është karakteri, jo përkatësia etnike.” Me kalimin e viteve, ekipi është bërë si një familje. Ata punojnë nën të njëjtin kulm, e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe e ruajnë një atmosferë miqësore që çdo vizitor mund ta ndiejë. Lulëzimi beson se mirësjellja dhe zemërgjerësia janë çelësi i suksesit. “Kemi ndërtuar një ekip profesional ku të gjithë i ndihmojnë anëtarët e rinj që të mësojnë dhe të ndihen si në shtëpinë e tyre,” shtoi ai me buzëqeshje.

 

Të drejtosh një biznes me një ekip kaq të përzier nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Në fillim kishte pengesa në komunikim dhe keqkuptime të vogla, por koha dhe durimi i kapërcyen të gjitha. Menaxheri i restorantit, Jovan Ristiq, thotë se sot bashkëpunimi është i qetë dhe plot besim. “Në fillim, gjuha ishte problemi më i madh,” tha ai. “Por me kalimin e kohës mësuam nga njëri-tjetri. Ne mësuam shqip, ndërsa kolegët tanë mësuan serbisht. Tani gjithçka funksionon si duhet.” Ai shton se gjëja më e rëndësishme është puna në ekip dhe respekti. “Të gjithë e ndajmë të njëjtin vend pune, prandaj ne e kemi një përgjegjësi të përbashkët që ta bëjmë atë të mirë,” shpjegoi Jovani. “Për një të ardhme më të mirë, duhet gjithmonë të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar.”

Secili sjell diçka të veçantë

Në kuzhinën e Tiffany-t, zërat e bisedës shpesh përzihen me aromën e bukës së sapo pjekur dhe me të qeshurat e ekipit. Ndër ata që e mbajnë gjallë zemrën e restorantit janë bashkëpunëtoret e vjetra Nizaqete Halili dhe Sonja Benxhareviq. Nizaqetja ka punuar me Lulëzimin për njëzetetre vjet, njëmbëdhjetë prej tyre në Brezovicë. Ajo thotë se ekipi e kryen punën me profesionalizëm dhe harmoni. “Gjithçka funksionon mirë,” tha ajo shkurt. Sonja, e cila punon gjithashtu në kuzhinë dhe është pjesë e ekipit prej nëntë vitesh, beson se respekti është përbërësi më i rëndësishëm i suksesit të tyre. “Nuk ka rëndësi se çfarë kombësie je. Rëndësi ka të jesh i mirë me të tjerët,” tha ajo. “Më e bukura është kur të gjithë shkojmë mirë dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Atëherë shihet forca e vërtetë e shoqërisë.”

 

Më shumë se një restorant

Tiffany Brezovicë është më shumë se një vend për të ngrënë. Ai është bërë pjesë e kësaj zone. Restoranti bashkëpunon ngushtë me fermerët vendas që e furnizojnë djathin, frutat dhe perimet. Ajvari i famshëm që shërbehet aty gatuhet dhe paketohet në vetë restorantin duke përdorur produkte të blera nga fshatrat përreth dhe më pas shitet nëpër supermarkete në të gjithë Kosovën. Ky bashkëpunim i motivon fermerët që ta ruajnë cilësinë e lartë të produkteve, ndërsa restorantit ia siguron përbërësit më të mirë. Është një sistem i thjeshtë ku përfitojnë të gjithë, fermerët, restoranti dhe klientët.

 

Vendndodhja e restorantit në një zonë turistike të njohur do të thotë se aty vijnë vizitorë nga e gjithë Kosova. Një kamerier serb që shërben një familje shqiptare, apo një kuzhinier shqiptar që përgatit ushqim për mysafirë serbë, është pamje e zakonshme këtu. Përmes ushqimit, buzëqeshjeve dhe fjalëve të përditshme, të gjithë gjejnë mënyra për t’u kuptuar. Me kalimin e kohës, restoranti është bërë një vend ku njerëzit e kuptojnë njëri-tjetrin pa pasur nevojë për shumë fjalë.

 

Historia e Tiffany Brezovicës tregon se bashkëpunimi nuk ka nevojë të imponohet. Ai lind vetvetiu kur njerëzit e respektojnë njëri-tjetrin dhe përqendrohen në atë që mund të arrijnë së bashku. Ekipi këtu dëshmon se edhe në një restorant të vogël malor, njerëzit mund të gjejnë frymëzim dhe një shembul konkret se si të krijojnë një të ardhme më të mirë duke i bashkuar shkathtësitë, mirësinë dhe tryezën e tyre.

Our team delivers reliable solutions tailored to your specific needs. We prioritize quality and customer satisfaction in every project.

Address :

Info :

Best KINDERGARTEN Theme

All Demos Included

With Kindergarten WordPress Theme you will have everything you need to create a memorable and enchanting online presence. Start create your dream education site today.