Dy muaj më parë, Festivali “Mirëdita, dobar dan!” u mbajt në Prishtinë, duke treguar edhe një herë pse konsiderohet një platformë unike për dialog, shkëmbim kulturor dhe promovim të krijimtarisë bashkëkohore. Gjatë tri ditëve, diskutimet, ekspozitat, shfaqjet teatrale, koncertet dhe shfaqjet filmike u zhvilluan njëra pas tjetrës, duke tërhequr vizitorë të gjeneratave dhe prejardhjeve të ndryshme.
Festivali u organizua së bashku nga Integra nga Prishtina, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Serbia dhe Civic Initiatives, me mbështetjen e shumë partnerëve ndërkombëtarë. Ai mblodhi së bashku shumë artistë nga Beogradi dhe Prishtina, të cilët, përmes shembullit të tyre personal, tregojnë se mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë thelbësore për ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës. Edicioni i këtij viti u frymëzua nga aktori Bekim Fehmiu, i cili, sipas koordinatorës së festivalit në Beograd, Tijana Djuknic, përfaqëson një shembull të bashkimit dhe multikulturalizmit. “Festivali dërgon mesazhin se dallimet janë diçka pozitive, sepse po të ishim të gjithë njësoj, jeta do të ishte e mërzitshme. Prandaj duhet t’i festojmë dallimet. Ajo që na lidh dhe ngjashmëritë tona duhet të na bashkojnë, por dallimet janë ato që na bëjnë unikë dhe duhet të përfaqësojnë një shoqëri më të mirë dhe më të shëndetshme,” theksoi Djuknic.
Që kultura lidh dhe afron njerëzit është edhe mendimi i Kushtrim Koliqit nga OJQ Integra, një prej organizatorëve të festivalit. “Ne të gjithë vijmë nga vende të ndryshme dhe nga histori të ndryshme, por kultura na lidh në një pikë të përbashkët. Ajo na afron, na mëson dhe na kujton se bashkëjetesa është shumë më e lehtë kur e respektojmë njëri‑tjetrin. Çdo buzëqeshje, çdo fjalë e mirë dhe çdo gjest mirëkuptimi është një hap i vogël drejt paqes së qëndrueshme,” tha Koliqi.
Organizatorët theksuan gjithashtu se qëllimi i festivalit është të ofrojë një hapësirë të sigurt për komunikim të hapur dhe për prezantimin e praktikave artistike bashkëkohore që kontribuojnë në mirëkuptim e jo në ndarje. “Ky festival ekziston për të treguar se dialogu jo vetëm që është i mundur, por i domosdoshëm. Përmes kulturës, njerëzit e dëgjojnë njëri‑tjetrin shumë më lehtë,” u tha në hapje.

Një festival ku paragjykimet mbeten jashtë derës
Në ditën e parë, përveç ceremonisë së hapjes ku morën pjesë artistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe diplomatë, vizitorët shijuan një koncert energjik nga grupi i pavarur Plis, i cili hapi festivalin në një atmosferë optimizmi dhe bashkimi. “Muzika na lidh sepse është universale. Është një formë arti që nuk kërkon njohjen e një gjuhe për t’u kuptuar dhe ndjerë, dhe pikërisht sepse i kapërcen barrierat gjuhësore, ajo i lidh njerëzit kudo”, tha anëtari i grupit Plis, Branislav Cvetković, me atë rast.
Në ditën e dytë të festivalit u mbajt një debat dhe program letrar i frymëzuar nga botimet Pro Peace, “Momenti kur për mua filloi lufta/paqja”. Autorët Marija Ratković dhe Arber Selmani morën pjesë së bashku me redaktorin Vladimir Arsenic në një diskutim që hapi hapësirë për reflektim më të thellë mbi temat e librave. Segmenti vizual përfshiu një ekspozitë nga Ivan Šuletić, si dhe një ekspozitë të përbashkët nga Mihaela Vucinic dhe Nemanja Joković, ndërsa i gjithë programi u kurua nga Mia David. Në mbrëmje u shfaq drama teatrore “All the Good Barbies”, prodhim i Hartefakt House dhe me regji të Djordje Nesovic.
Në ditën e fundit të festivalit, aktivistë, gazetarë dhe studiues morën pjesë në diskutime mbi sfidat aktuale, narrativat mediatike dhe rrugët e mundshme drejt normalizimit. “Nëse duam një të ardhme pa frikë, duhet të fillojmë të flasim hapur, pa maska dhe pa qëllime të fshehura”, theksoi njëri nga panelistët. Pas diskutimeve serioze, atmosfera u zhvendos në hapësirën më intime të Bubble Bar, ku u mbajt një mbrëmje poezie me poetën Radmila Petrović. Më pas u shfaq filmi i vlerësuar me çmime “78” nga regjisorja Emilija Gasic, i cili eksploron traumën dhe ndryshimet e jetës në një shoqëri post-konfliktuale. Festivali u mbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku çmimi i këtij viti iu dha Lindita Sejdiut, themeluese e Departamentit të Studimeve Ballkanike në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.
Një festival si simbol i besimit në një të ardhme të përbashkët
Prej më shumë se një dekade, “Mirëdita, dobar dan!” ka treguar se arti dhe dialogu kanë fuqinë të ndryshojnë perspektiva. Në një kohë kur narrativat politike shpesh thellojnë ndarjet, ky festival ofron një qasje tjetër duke krijuar hapësirë të përbashkët. Edhe këtë vit, festivali konfirmoi se komunikimi mes njerëzve, kur është i sinqertë dhe i bazuar në respekt të ndërsjellë, mbetet themeli më i fortë për çdo bashkëpunim të ardhshëm.



